Sikur kam shkruar edhe më parë, pikësëpari komunizmi i Shqipërisë, ishte instalim i një shumice të paditurish, të cilët me mjete kryesisht kriminale, morën pushtetin, për të shkatërruar çdo gjë të mirë që ekzistonte në atë kohë në vend. Këta shihnin me zili, smirë, çdo gjë që u kapte syri. Me pak fjalë, le të shohim biografinë e komandantit të kampit të Tepelenës (Kampi i Tepelenës), Xhafer Pogaçe, në kuadër të debatit të fundit, për këtë kamp.
Lindur në vitin 1922 në fshatin Plasat të Kardhiqit Gjirokastër, me profesion bujk. Deri pas lufte analfabet, por në moshën 22 vjeçare, në shkurt-shtator 1947, kur ishte me punë në Skrapar, mbaroi (të gjithë) arsimin fillor. Koha kur e ka mbaruar këtë arsim, ka pak gjasa të vërtetojë plotësimin e këtij detyrimi “madhor”, për kuadrot komunistë të kohës.
Doli partizan siç doli shumica, në vitin e fundit të luftës, më 15.2.1944, në batallonin e Kurveleshit. U vendos më pas në Brigadën e XVI-të, ku shkoi deri komisar kompanie. Këtë “karrierë”, e mbylli më 9.5.1945. Në vitet 1945-1947, ishte oficer në Batalionin e I-rë të Brigadës së I-rë, të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në Peshkopi dhe në Shkodër. Në vitin 1947, ishte shef i policisë së Skraparit. Në organet e Punëve të Brendshme, shërbeu në vitet 1945-1955.
Prej këtu, më 25.9.1947, emërohet përgjegjës i kampit të internimit të Beratit. Më 9.5.1949, zhvendoset me të njëjtën detyrë, në kampin e Tepelenës, duke qëndruar aty deri më 15.2.1952. Në karakteristikën e datës 2.12.1951, të shefit të seksionit të Punëve të Brendshme të Tepelenës, Gani Aloçi, thuhej se: “Xhaferi është besnik, e urren armikun”.
Pogaçe e përfundoi karrierën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si zëvendëskomandant i Shkollës së Instruksionit dhe Stërvitjes së Qenve, në nëntor 1955.
Në maj të këtij viti, në Tiranë, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, erdhi raporti i qeverisë amerikane, për kampet e burgjet e Shqipërisë, i cili u paraqit në OKB më 29.3.1955. Nuk dihet me saktësi, në kishte apo jo lidhje, nxjerrja në lirim e komandantit të kampit të Tepelenës, nga përmendja e emrit të tij në këtë raport të qeverisë amerikane, ku përmendej; “aktiviteti negativ dhe imoral i komandantit të kampit të Tepelenës”!
Pas Xhafer Pogaçes, komandanti i dytë dhe i fundit i kampit të Tepelenës, ishte Haki Ibrahimaj, lindur në Dhëmblan të Tepelenës, në vitin 1924. Edhe ky doli partizan vitin e fundit të luftës, pikërisht më 5.4.1944, në batalionin “Perlat Rexhepi” në Shkodër, e më pas në Brigadën e XXII-të, partizane, e cila u formua më 30 nëntor të vitit 1944, një ditë pasi kishte mbaruar lufta. Profesioni i jetës, ishte ai i marangozit. Karriera deri në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore, sipas viteve, ishte kjo:
1934-1939, bari dhensh në Martalloz të Tepelenës.
1939-1940, shërbëtor në Kakos të Gjirokastrës.
1940 (janar-shkurt), shegert në restorantin e Veip Runës në Vlorë.
1940-1944, marangoz në zdrukthëtarinë e Xhemal Kasmit në Shkodër.
Deri këtë kohë të dhënat dëshmojnë, se i përmenduri nuk kishte kurrfarë arsimi.
Pas majit 1945, ai kaloi nga partizan, në forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në radhët e Policisë Popullore, si dhe hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në vitet 1951-1952, ishte kursant në shkollën e Policisë, ku mësoi shkrim e këndim, si dhe disa parime elementare të punës policore.
Nga data 15.3.1952, deri më 15.9.1953, ishte komandant i kampit të internimit (i rrethuar me tela me gjemba) të Tepelenës. Në vitet 1953-1964, shërbeu në detyra të ndryshme të Policisë Popullore, në Shkodër, Elbasan e Skrapar. U nxor në lirim më 30.5.1964, për “shpërdorim të pozitës zyrtare, me qëllim përvetësimin e 5.500 lekëve”.
Megjithëse me këtë shkollim, karriera ushtarake, nga rreshter në vitin 1945, e çoi në major në vitin 1962. Kur shërbente në kampin e Tepelenës, ishte me gradën toger. Memorie.al
Nga Kastriot Dervishi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al