Historia e panjohur e UNRRA-s në Shqipëri: Komunistët u sollën shumë keq në portin e Durrësit! Flakën plaçkat me forcë në anije dhe keqtrajtuan fizikisht vajzën e Harry Fultz-it, Joana, me qëllim denigrimin moral…

Nov 20, 2024 | 7:49
SHPËRNDAJE

Që në fillimet e ekzistencës së tij, regjimi komunist në Shqipëri u karakterizua nga shkelje të së drejtave më themelore të njeriut, si mjet i vazhdueshëm pune, duke nisur që nga eliminimi i pronës private, te përdorimi i punës së detyruar, trajtimi çnjerëzor e poshtërues dhe burgimi, vrasja e kundërshtarëve apo individëve të tjerë, të kapur në shakullinë shkatërruese të agresionit komunist. Një shembull konkret i kësaj politike thellësisht çnjerëzore e antishqiptare, është arrestimi i grupit të inxhinierëve të ngarkuar me detyrën e tharjes së Kënetës së Maliqit, të akuzuar nga regjimi si sabotatorë dhe bashkëpunëtorë të spiunazhit amerikan në Shqipëri.

harry fultz

Sipas një memorandumi të Zv/Drejtorit Për Koordinimin e Politikave në Washington DC, të de-klasifikuar vitet e fundit nga CIA, që mban datën e nëntorit 1949, përmendet se: “Informacioni (i CIA-s) është marrë nga një burim i mirëfilltë që këshilltari kryesor i Komitetit për “Shqipërinë e Lirë”, gjatë vizitës së tij të fundit në Washington, ishte Harry Fultz, i njohur mirë nga intelektualët shqiptarë, sepse ka qenë për shumë vite Drejtor i Shkollës së Kryqit të Kuq Amerikan, në Tiranë.

“…. Në bisedimet me shqiptarët, thuhet se ai do të donte ta shihte vendin ku ai kaloi kaq shumë vite të çliruar nga komunizmi dhe ai premtoi gjithë mbështetjen e tij personale…!

(Jemi njoftuar) se ai i dha secilit anëtar të “Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë”, një shpërblim prej $ 5.000.00.

(Një raport tjetër nga i njëjti burim, kishte treguar se anëtarët e këtij Komiteti, kishin marrë secili nga dhjetë mijë dollar, nga Departamenti i Shtetit)”.

Në materialet e gjetura në dosjet e de-klasifikuara të Sigurimit të Shtetit, për grupin e inxhinierëve dhe për Harry Fultz-in, deri tani nuk ka rezultuar asnjë provë e drejtpërdrejtë, e shkruar, që të mbështesë teorinë se këto rekrutime, përfshinë edhe grupin e inxhinierëve të Maliqit. Ky fakt, vërtetohet nga raportet survejuese të gjendura mbi lëvizjet dhe veprimtarinë e Fultz-it, në të cilat nuk ka asnjë gjurmë të takimeve të tij, me ndonjë prej inxhinierëve apo me Zyrika Manon, e cila u akuzua si ndërlidhësja mes tyre.

Duke iu referuar përsëri rrëfimit të James Hudson, të përmendur më lart, pyetjes; nëse kishte ndonjë të vërtetë në faktin se Enver Hoxha, e akuzonte Fultz-in se ai ishte një spiun i amerikanëve dhe se përdorte ish-studentët e tij, për të mbledhur informacione, ai i përgjigjet se; të paktën deri në vitin 1944, Fultzi ishte dakord me marrëveshjen apo, me vendimin e anglezëve, për të pajisur partizanët me armatime, kundrejt ‘Ballit Kombëtar’.

Ai pohon se; “Fultzi ishte një njeri shumë serioz, i përkushtuar ndaj punës së tij dhe më e rëndësishmja, ai ishte një djalë Tirane, ai kishte jetuar në Tiranë dhe e njihte mirë qeverinë. Ai nuk ishte tipi i Hoxhës. Atë nuk do ta shihje nëpër male, ishte një djalë qyteti i shkolluar, i mprehtë dhe shumë i zgjuar.

Nuk më la në asnjë moment përshtypjen, se pas luftës do të bënte diçka kundër dikujt. Mendoj se ai po luante drejt dhe ishte pjesë e ushtrisë amerikane, duke u munduar të fitonte luftën”.

Ekziston një fotografi shumë domethënëse e Fultzit, e shkrepur jashtë ndërtesës së shkollës Teknike, në vitin 1945, ku ai është i rrethuar nga dyzet prej studentëve të tij të mëparshëm, disa të veshur me uniformën partizane. Pa kaluar shumë kohë pasi ishte bërë fotografia, Fultz-it iu desh të dëshmonte, sesi studentët e tij, po vrisnin njëri-tjetrin.

Në një letër drejtuar një kolegu të tij, në kohën e gjyqit të grupit të inxhinierëve, Fultzi vuri në dukje se; kreu i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, që kishte qenë një prej të diplomuarve në shkollën e Fultz-it, kryesonte dënimin e 37 burrave, të akuzuar si “armiq të popullit” dhe njëkohësisht ish-nxënës të shkollës së tij.

Dënimi i “grupit sabotator” të Kënetës së Maliqit, u konsiderua një sukses politik nga ana e Sigurimit të Shtetit, siç rezulton nga një shkresë adresuar Seksionit të Sigurimit në Korçë, nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit për të dënuar grupin e inxhinierëve, Departamenti Amerikan i Shtetit, nxori një deklaratë, ku kategorikisht mohonte pohimet e bëra në gjyq, e publikuar në buletinin mujor të këtij Departamenti: “Gjykimet (e inxhinierëve), që po ndodhin në Tiranë, janë padyshim një përpjekje e regjimit shqiptar, për të përjetësuar veten me anë të shtypjes dhe terrorizimit të elementeve liberalë, patriotike dhe opozitare shqiptare.

Akuza se të akuzuarit ishin të lidhur me anë të pagesës ose shërbimit ndaj Shteteve të Bashkuara, apo të ndonjë përfaqësuesi të saj në Shqipëri, nuk ka ndodhur në asnjë mënyrë dhe është krejtësisht e pavërtetë”.

Në ndryshim nga pjesëtarët e tjerë të misionit, (si p.sh. Jacobs, që e konsideronte eksperiencën e tij në Shqipëri, si; “purgator Ballkanik” dhe vazhdimisht riafirmonte besimin e tij se; “ditëve të tij në Shqipëri, po u vinte fundi”! “Pas një viti që po merrem me ta, – vazhdonte ai, – nuk mundem dot më”), Harry Fultzi dëshironte ende të qëndronte, duke u quajtur kështu nga kolegët e tij, si; “ai i cili e kërkon me zor, ndëshkimin”!

Në zbatim të politikës së qeverisë, Sigurimi i Shtetit u soll ashpër ndaj pjesëtarëve të misionit amerikan, gjatë largimit të tyre nga porti i Durrësit, në nëntor 1946. Kjo dëshmohet nga një letër e gruas së Henderson (pasardhësi i Fultz-it, në detyrë për shumë pak muaj, përpara se SHBA-ës, ta tërhiqte misionin amerikan përfundimisht nga Shqipëria), drejtuar një mikut të saj, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Aty përshkruhen peripecitë e hequra, që nga flakja e plaçkave të tyre me forcë në anije, deri te keqtrajtimi fizik i vajzës së Fultz-it, Joana, me qëllim denigrimin e tyre moral.

Në mes të nëntorit 1946, kur misioni amerikan u largua nga Tirana, pjesëtarët e tij do t’i referoheshin Qeverisë së atëhershme, si; “barbare”, “e pamëshirshme” dhe “e paskrupullt”. Menjëherë pas ngjarjes në Shqipëri, anëtarët e misionit amerikan, u drejtuan drejt Liberisë, ku në një nga fotot (bashkangjitur këtij shkrimi), është fotografuar edhe Fultzi, bashkë me të bijën. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura