UVIL ZAJMI/ I ftuar në një ekspozitë retrospektivë të organizuar nga familja e “Piktorit të Popullit”, Fatmir Haxhiu, në një përvjetor të tij, ku ishin edhe mjaft miq të artistit, një mbrëmje prekëse, plot emocion, kujtime, shoqëruar me piktura, vizatime, gjithçka që Haxhiu la pas, një trashëgimi me vlerë. Midis të ftuarve ishin edhe dy zonja të nderuara, me të cilat rastësisht u ndodha pranë. Pasi u prezantuam, mësova se ato kishin qenë mësuese në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku edhe im atë, piktori Nexhmedin Zajmi, ka qenë një ndër pedagogët e parë të tij. Ndërsa, të pranishmit ndiqnin, pikturat njëra pas tjetrës, vëmendja u ndal kur u shfaq tabloja “Nënat labe”, e përmasave 1920×150, në vaj realizuar nga piktori Haxhiu në vitin 1986.
Nisur nga shënimi i lënë nga vetë piktori, Fatmir Haxhiu, ishte dëshira, ideja e tij, për të paraqitur ndihmën e madhe që kanë dhënë nënat e gratë trime shqiptare në luftërat e vazhdueshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Një kompozim përgjithësues me terrenin e thyer, dhe peizazhin me dëborë, për të treguar edhe vështirësitë e natyrës, si dhe veshjet e grave, karakteristike të zonës së Labërisë.
“Kjo tablo ka një histori të rrallë, vijoi rrëfyesi, djali i piktorit. E gjykova si një shprehje shoqëruese të një pikture, vepër arti, një histori, që e ka nxitur, provokuar frymëzuar autorin. Por, papritur, Artani shumë i emocionuar, nxori një letër, kërkoi qetësi, dhe nisi leximin. Të gjithë ne u përqendruam, për të dëgjuar çfarë përmbante ajo letër, me kureshtjen nëse kishte lidhje apo jo me pikturën. Dhe vërtet, historia, si ajo e veprës “Nënat labe”, të piktorit Fatmir Haxhiu, vështirë se mund ta ndeshësh. Një ngjarje e vërtetë, befasuese, tronditëse, deri në kufijtë e të pabesueshmes kur e dëgjon, informohesh për fatin e saj.
LETRA
“Pas ngjarjeve të vitit 1997, në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, u vendos të bënim përpjekje për të ndryshuar “klimën”, si rezultat i atmosferës së rëndë të krijuar në të gjithë vendin. Ndërtuam lulishten para shkollës, mbollëm shumë pemë që sot janë bërë disa vjeçare, duke aktivizuar mjaft nxënës për të mbledhur material për historikun e gjimnazit e për të filluar punën për ringritjen e muzeut të shkollës (Gjimnazi u çel më 1925, një gjimnaz me shumë vlera e traditë, ku kanë dhënë mësim personalitete të kohës dhe kanë studiuar nxënës që kanë kontribuar në shumë fusha, brenda dhe jashtë vendit. Unë isha mësuesja koordinatore, që përveç mësimdhënies, mbuloja qeverinë e nxënësve dhe gjithë veprimtaritë në shkollë. U vendos që do të festonim 70-vjetorin e gjimnazit, dhe kishim përcaktuar detyrat për vendosjen në hollet e shkollës, të stendave, fotot e mësuesve të nderuar që kanë dhënë mësim në gjimnaz dhe të ish-nxënësve, personalitete në vite.
Me drejtorin e gjimnazit të atyre viteve, zotin Gjegj Zaharia, shkuam në Ministrinë e Arsimit për të saktësuar emrat e mësuesve të nderuar me tituj “Mësues i Popullit” dhe “Mësues të Merituar”, të dhëna pas viteve 90-të. Kur mbaruam punë dhe do të largoheshim, u gjendëm përpara një pamje të pabesueshme. Dy punëtorë po transportonin materiale ndërtimi me një tezgë të improvizuar, që s’ishte asgjë tjetër, por tabloja origjinale “Nënat labe” e Mjeshtrit Fatmir Haxhiu. Piktura kishte qenë pjesë e ekspozitës kombëtare të vitit 1986. Nuk u besonim syve dhe u alarmuam. Shkova menjëherë për të marrë dy nxënës për ta shpëtuar e transportuar tablonë. Bashkë edhe me një pikturë tjetër, që kishte pësuar të njëjtin fat.
E kemi mbajtur tablonë për gjashtëmbëdhjetë vjet në shkollë dhe në 8-vjetorin e gjimnazit në vitin 2010, pikturën e vendosëm në një kornizë dinjitoze. Profesorit të nderuar Fatmir Haxhiu nuk ia treguam asnjëherë si arriti piktura në shkollë. Në vitin 2000, i ftuar në 75-vjetorin e gjimnazit u befasua kur e pa, duke na shpjeguar qëllimin që e kishte shtyrë piktorin në realizimin e saj. Na premtoi se do të bënte një riprodhim dhuratë për gjimnazin, për ta marrë më pas origjinalin. Por, në atë kohë ai ishte shumë i impenjuar për realizimin e tablosë monumentale “Beteja e Fushë Kosovës”, për Muzeun Historik të Kosovës. Fatkeqësisht në marsin e vitit 2001, papritur kur ishte në kulmin e punës, ai ndërroi jetë. Sot jam e lumtur që ajo është pronë e familjes Haxhiu si një vepër arti e jo si një tezgë”.
Për një çast Artani, ndaloi, pa nga salla, për të vijuar: “Nga një ish-mësuese në gjimnazin “Qemal Stafa,” Tiranë, 3 mars 2016″.
Sigurisht që të gjithë ne, të pranishëm u befasuam. Atmosfera e krijuar, vërtet ishte e pabesueshme, e papritur për atë çfarë përmbante letra, rrëfimi, dhe ngjarja, i bëri të heshtin njerëzit, pati një moment pauze. Pa humbur kohë, Artani iu drejtua një gruaje, duke e prezantuar publikisht. Ktheva kokën dhe konstatova se ishte pikërisht, ajo mësuesja, protagonistja, autorja e asaj letre, e atij veprimi, gruaja që unë kisha në krah, dhe që isha prezantuar në fillim. E ftuar, ajo nuk e priste, që letra, të cilën ja kishte dërguar familjes, të bëhej publike aty. E mbetur disi e hutuar, kur Artani përfundoi leximin, ndërsa sytë, vëmendja, vështrimi i të gjithëve ishte drejtua, përqendrua tek ajo. Për të vijuar më pas me pikturat, vizatime e tjera, vepra, punë të piktorit të realizuara, e të lëna pas ndarjes së tij nga jeta. Të vendosura me estetikë, në stendat e galerisë. Një koktej më pas në mbyllje, me biseda, komente.
GJERGJ ZAHARIA:” PIKTORI HAXHIU U NDA NGA JETA PA E DITUR HISTORINË E PIKTURËS SË TIJ”
Ish-drejtor i gjimnazit “Qemal Stafa”, pikërisht në kohën, kur bëhet fjalë për historinë e tablosë, sot pa kaq vitesh, lidhur me atë ngjarje, kujton: “Ishte një befasi kur krejt rastësisht e pashë, më tërhoqi vëmendjen, një ngjyrë blu, në një kënd të tezgës së llacit”- shprehet për gazetën “Panorama”. Pastaj momenti kur piktori Haxhiu pa veprën dhe kërkesa e tij.
Z. Zaharia, jeni në krye të një gjimnazi në Tiranë, me histori të madhe?
Në hollin e gjimnazit kisha vendosur disa stenda me fotot e personaliteteve të shquar, si të artit figurativ, kinematografisë, muzikës, arsimit, shkencës, letërsisë, shkrimtarë, sportistë, njerëz me kontribut nga të gjitha fushat e jetës, ish-mësues, nxënës në atë gjimnaz. Por edhe heronj, dëshmorë. Ideja ishte që brezat e rinj të njiheshin me to. Muze më të bukur vështirë se gjeje atëherë, besoj edhe sot në një shkollë te mesme, gjimnazi, mendoj se nuk ka. Nxënësit, mësuesit ndërrohen, largohen, vinë të tjerë, ato njerëz, foto mbeten. I sheh në holl ato figura, sikur komunikon, jeton me to.
Në Ministrinë e Arsimit për punë, por ju tërheq edhe diçka tjetër?
Shkoja vazhdimisht në Ministrinë e Arsimit, duke qenë drejtor i një gjimnazi me emër, dhe nga fakti se e kisha afër, sigurisht edhe për siguruar ndonjë ndihmë për shkollën. Më kishte bërë përshtypje një pikturë që ndodhej në korridorin e katit të parë, dy nxënëse gjimnaziste me përparëse të zezë ulur në një stol. Më pëlqente shumë, doja ta çoja e ta vendosja në shkollë, tipike për atë mjedis. Por si? Duhet t’i lutesha administratorit, por ishte e vështirë. Ato bënin inventar, dhe ministria nuk mund ta jepte, ty, për shkollën tënde pikturën që kishte vlerë. Gjithsesi mëndja më punonte aty.
Ristrukturim, pa limite?
Filloi restaurimi, i ministrisë. U hoqën nga muret pikturat, fotot, duke i lënë nëpër korridore, pa kujdesje e vëmendje të veçantë. Mendova se kishte ardhur rasti për ta gjetur e marrë atë pikturën. I fiksuar te ajo pikturë, shkoja në ministri duke hedhur sytë për ta parë. Në atë rrëmujë, shoh dy punëtorë, me një tezgë që mblidhnin, hidhnin mbeturinat, dhe përgatisnin llaçin. Papritur më zuri syri midis llaçit e pluhurit, një si ngjyrë bojë qielli. Jo i sigurtë, se çfarë mund të ishte ajo, pasi as nuk të shkonte mëndja, bile po të mos ma kishte kapur syri, ngjyrën blu, gjithçka do të humbiste, nuk do të tregoja interes.
Paraqitja imponuese e juaja, zbulon
Tezgës ata, i kishin vënë dy shkopinj për ta mbajtur. I ndalova, dhe i them që lëreni pak këtu këtë tezgë se më duhet mua. I veshur me kostum kravatë, rregulli për zyrtarët, kujtuan se isha dikushi dhe pa bërë fjalë e lanë aty. Sa herë e kam menduar më pas, se po të më njihnin, ndoshta nuk do të më bindeshin. U larguan, për t’u kthyer pas pak, pasi edhe ata nuk e dinin se çfarë ishte realisht ajo tezgë.
Jeni bashkë me një mësuese, protagoniste në këtë histori?
Atë ditë, me mua në ministri ishte edhe Shpresa. Një mësuese heroinë kjo, tejet e rrallë e veçantë. Shpresa Bejo (Todri). Mbesa e Dhaskal Todrit, një grua, personalitet me të cilën organizoja aktivitete, konkurse. Kishte një dashuri pa kufi për nxënësit, me devotshmëri të paparë për t’i shërbyer. E prerë, e tillë ishte natyra e saj si arsimtare. Me një kontribut të jashtëzakonshëm për çfarë ka bërë në atë shkollë. Duke qenë shumë e shkathët, me pasionin për t’i çuar nxënësit e shkollës në degën e arkitekturës, ajo me nxënësit organizonin çdo të shtunë, si ditë pushimi, leksione në Galerinë e Arteve Figurative. Një angazhim sistematik dhe kur bënim konkurse të parët ishin fitues nga gjimnazi ynë, pasi kishin prioritet, falë kurseve të zhvilluara që i ofronin mundësi më shumë të ishin më të përgatitur. Gjithçka nga puna Shpresës që i shoqëronte.
Reagoni pa humbur kohë, kërkoni ndihmë?
Thërres Shpresën, i them sill urgjent disa nxënës këtu në ministri. Ajo njoftoi dhe erdhën, por që i vinte zor të merrnin tezgat e ta çonin në shkollë. Duke qenë unë aty i urdhërova. Dy tezga me llac, por ende pa ditur nga askush se çfarë fshihej, në ato pëlhura. I morëm në shkollë dhe unë nuk u morra më me to. I them Shpresës, merru ti, bëj çfarë të duash. Me mendimin që pasi t’i hiqet llaci, nëse ia vlente t’i mbajmë për shkollën, pasi konstatuam se tezgat ishin piktura, por pa ditur asgjë më shumë.
Sa rrezikonte të prishej ajo pikturë në atë gjendje?
Shpresa e dinte mirë si veprohej, pra me llaçin mund të ikte edhe boja, ngjyrat, pra duhej kujdes, ishte punë specialistësh. Duke pasur miqësi, njohje me punonjësit e galerisë kombëtare të arteve, i çoi atje, pasi pati komunikuar me ato të restaurimit. Janë dy piktura që punëtorët i kishin kthyer në tezga, janë me llaç si t’ia bëj? I kishte informuar.
Keni kuriozitet të dinin se të kujt ishin ato tablo?
Nuk kisha shumë interes për emrat, por piktura më duhej, më interesonte për shkollën. Sigurisht po të ishte e ndonjë autori të njohur, kishte vlerë të shumëfishtë. Ndërkohë, Shpresa i pastroi aq sa mundi pikturat pa i dëmtuar, me kujdesin e një njeriu, siç ishte ajo, pastaj i dërgoi në Galeri për një punë më profesionale. Befasia ishte se atje, kur i pa Sopi, i cili punonte në sektorin e restaurimit, shtangu, kjo është piktura ime e shpreh i surprizuar. Informoheni se cilët janë autorët, si vepruat? Unë i kam mësuar vonë se të kujt ishin pikturat, kur pas një kohe, vjen Shpresa e më thotë se ata piketuara, njëra është e artistit Fatmir Haxhiu, tjetra e piktorit Edi Sopi, të cilin e njihja se e kisha në lagje, te Medreseja dhe që kishte mbaruar për pikturë. Mbeta. Si ka mundësi i them. Ata të galerisë nuk e bënë bisedë me familjarët e Haxhiut. Kur ma solli në shkollë, u mahnita, piktura ishte shumë e bukur. Restaurimi ishte kryer në perfeksion. Ishte rikthyer piktura origjinale, nuk mund ta besoje, se pak kohë më parë kishte qenë tezgë llaci. “Nënat labe”, m’u kujtua filmi, dhe këtë do ta mbajmë për drejtorinë i them Shpresës dhe e vendosa aty.
Jeni i fiksuar tek një tablo pronë e dikasterit?
Nuk isha amator admirues i pikturës, as pasionant, por pikturën e atyre vajzave nuk do ta marrja në aspektin artistik, por për atë që më interesonte më shumë, për seriozitetin e shkollës, të thjeshta, në kuptimin e disiplinës së shkollës. Ajo mund ishte edhe e një piktori të panjohur, por më ishte fiksuar.
Edhe si tematikë, më duhej për gjimnazin, për faktin se kishte filluar, një farë liberalizmi në shkolla, nxënës, mësuese që vinin me minifunde dhe isha kundër atyre veshjeve.
Pati interesim nga ministria për pikturat e humbura?
Absolutisht, nuk u kujtua askush nga ministria për dy pikturat nga të cilat njëra prej tyre rrinte në zyrën time. As nuk ia kujtuam, nuk i thamë, nuk i treguam, asgjë, përkundrazi. Realisht interesimi i tyre ishte zero. Vinin në zyrën time, në raste kontrolli, takime, as nuk e dinin se ekzistonte ajo pikturë dhe që ishte e ministrisë. Për atë të Sopit, nuk e di çfarë u bë.
Keni një vizitë, jo të zakontë në zyrën tuaj?
Ndërkohë, në aktivitete të ndryshme, artistike, sportive, përvjetorë shkolle, thërrisnim ish-nxënës që jetonin, familjarët e aty jo, fëmijët, prindërit, Shpresa ishte mjeshtre në të tillë organizime. Një ditë, në një veprimtari të tillë, vjen edhe Fatmir Haxhiu. E ftuam, pa idenë, dhe me mendimin se kishim pikturën e tij në shkollë. Jemi në vitin 2001.
Cili është kontakti i parë i piktorit me mjedisin?
Nuk i thamë, as ai nuk dinte gjë, madje as mua nuk më shkoi ndërmend. E njihja si Fatmir, artist, por pa bërë në ato momente lidhjen artist-pikturë. Pa i dhënë rëndësi, si diçka e zakontë në të përditshmen rutinë, u ul në një kolltuk, në drejtori, me pikturën në mur, por fillimisht nuk e pa. Edhe si piktor, ndoshta nuk e mendonte, që një vepër tij, ndodhet në drejtorinë e një shkolle dhe ai këtu në këtë zyrë bashkë me pikturën e tij. Aq më shumë me atë temë, pra luftën, heroizmin e grave.
Vjen një moment, që biseda ndryshon?
Duke hedhur sytë përreth e sheh, e njohu, pati një reagim: “Kjo është piktura”- më thotë. Aty unë u kujtova, po i përgjigjem profesor Fatmiri, ju jeni autori i kësaj pune. Një pikturë shumë e bukur, vijoj unë, tashmë i përqendruar te biseda.
Ka një propozim nga piktori, i papritur për ju?
Piktura e kompletonte zyrën. Kur vinin njerëz të ndryshëm, deri edhe nga ambasadat, i tërhiqte vëmendjen, tregonin interes, e shihnin me mjaft admirim. Këto ia shpreha edhe Fatmirit. Ishte një çast, kur me shumë kujdes, më pyeti nëse mundet ta merrte? Jo ta marr, por unë do t’ju bëj një tjetër pikturë, identike si kjo që edhe ti të mos e dallosh. Por, kjo ka tjetër vlerë, se është origjinale. Ty nuk të intereson se është e tillë apo kopjim, mjafton kur ta shohësh, e ke këtu, nuk do e kuptosh, po dora ime do ta bëjë.
Çfarë ju befasoi me shumë?
Unë nuk e dija dashurinë, lidhjen që ka piktori me një vepër të tij, dhe kur befasishëm ndodhet para saj. Jam jashtë kësaj marrëdhënie piktor-pikturë. Po ta kisha menduar më parë, nuk do të kisha future në zyrë, se realisht rrezikonte të më ikte piktura, që me aq vështirësi e risollëm në gjendjen e parë dhe që unë isha dashuruar tashmë me të, si pjesë e zyrës, shkollës. Të vjen keq ta heqësh, të është mësuar edhe syri.
Ka një marrëveshje me artistin e madh?
Po i them kjo po, bëhet menjëherë, nuk kam asnjë kundërshtim por bëjeni më parë ju, që unë mos ta heq, duket dhe bosh muri. Jo vetëm unë, por i gjithë stafi pedagogjik jemi mësuar me këtë pikturë dhe njerëzit kur do hynë e do të dalin, ku është piktura, mos e ka marrë drejtori në shtëpi do mendojnë. Ato nuk do më thonë mua, por do më përflasin nëpër korridore. Ato nuk e dinë që keni ardhur ju. Unë nuk mund të mbledh kolektivin e ti them, erdhi piktori dhe e morri. Ti bëje atë, rëndësi ka origjinalen e ke këtu e jetë këtu. Dhe kështu u ndamë.
Dhe si vijoi, u realizua “shkëmbimi” i premtuar?
Kur pas disa ditësh, ai papritur ndërroi jetë. U befasova, u trishtova, pikëllova, si nuk ia plotësova atë dëshirë, më mbeti peng. Por, nuk mund ta mendoja kurrë, pasi ai ishte aktiv me shëndet të mirë. Pas vdekjes së tij, Shpresa u lidh me familjen, fëmijët, Artanin djalin kryesisht. Organizuam një aktivitet më nxënësit, dhe në mënyrë ceremoniale, ia dorëzuam origjinalen. Ndërkohë, shumë korrekt ata kishin përgatitur dhe na sollën një pikturë tjetër, si dëshirë e familjes Haxhiu.
Z. Zaharia, në mbyllje, flisni edhe për një ekspozitë, pak të veçantë?
Me artistin Bujar Kapexhiu, realizuam në shkollë ndërmjet karikaturës tri stenda të bukura, të mëdha. I vura në katin e parë. Me temë veshjen kryesisht të mësuesve, nxënëseve. Një ndër to ishte një karikaturë me nxënësit duke parë mbathjet e mësueses ngjyrë të kuqe. Fenomene të kësaj natyre, pati bujë duke dhënë mesazhin që mos eja në shkollë me veshje jo estetike. Ato karikatura flisnin më shumë se gjithçka tjetër. E shihje se sa hyje në hollin e shkollës, një kryevepër e Kapexhiut.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al