E quajtën një libër të “ashpër”, të “pamëshirshëm”, por shumë të rëndësishëm për zbardhjen e historisë së Shqipërisë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pas disa muajsh që ka dalë në qarkullim, u promovua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave libri me kujtime i një prej figurave më të njohura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Xhelal Staravecka.
Nën moderimin e publicistit Fatos Lubonja, historianë e studiues si prof. dr. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Shaban Sinani, botuesi Naim Zoto folën rreth kujtimeve historike të Staraveckës, jo vetëm një nga krerët e luftës, por edhe denoncues i ndërhyrjes jugosllave në Shqipëri, çka e çoi edhe drejt ndarjes me komunistët. I pranishëm në këtë promovim ishte edhe i biri i autorit të librit, Naim Stravecka, ish-i dënuar politik gjatë regjimit komunist, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, më në fund përmes këtij libri, shqiptarët do të mësojnë se cila është e vërteta e shumë ngjarjeve historike, të cilat janë deformuar gjatë viteve të diktaturës.
“Përpara gjyqit të historisë”, kujtime historike të Xhelal Staraveckës (1912-1975), është botuar nga shtëpia botuese “Naimi”. Libri është shkruar në vitin 1966 në Paris dhe publikohet për herë të parë, sipas dorëshkrimit origjinal të autorit lënë trashëgim familjes. Qindra personazhe e personalitete, kryesisht politike, të viteve 1912-1966, ndriçohen përmes ngjarjeve, fakteve, kujtimeve të autorit.
Tri janë nyjat kulmore të këtyre kujtimeve, ku autori është protagonist:Mbretëria e Zogut e kryengritja e Fierit, Lëvizja Antifashiste e lufta partizane, si edhe fati i mërgatës politike shqiptare në Perëndim. Sipas prof. Xhufit, “Kujtimet e Xh. Staraveckës janë të pamëshirshme për ngjarje dhe protagonistë shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore”. Nga libri voluminoz i Staraveckës kemi shkëputur një pjesë interesante, e cila tregon për gjyqin kundër tij, të zhvilluar në Itali. Në skenë hyn një personazh që shqiptarët e njohin përmes romanit të Ismail kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Bëhet fjalë për vejushën e Kolonelit Zampa, të vrarë në Shqipëri. Staravecka akuzohej pikërisht për vrasjen në Përmet të këtij Koloneli. Sipas kujtimeve të Staraveckës, del se vejusha e bukur e ka mbrojtur atë përpara trupit gjykues italian.
XHELAL STARAVECKA
…Pas ca kohe në vazhdim të gjyqit, erdhën tre kolonelë për deponim kundër meje në gjyq, ndër të cilët dy thoshin se i kisha sulmuar në Qafën e Kiçokut në goditjen e dytë që bëra kundër në Përmet-Kuqar, Këlcyrë-Grykë Këlcyre dhe në Qafën e Kiçokut, dhe i treti ishte komandant i regjimentit të kazermave të Përmetit në goditjen që i bëra atij qyteti në 28 nëntorin e 1942. Pas pak minutash të ardhjes së tyre, erdhi një zonjë e veshur në zi, por një zonjë mjaft e bukur në kuptimin më të gjerë të fjalës. Sapo hyri ajo zonjë, të gjithë pa përjashtim filluan, ashtu si e ka temperamentin italiani, por më shumë prokurori Donato, të ndreqnin kravatat, të shtrinin me dorë qafat e palltove nëse ishin skrupullosur, t’u jepnin nga një të goditur me shuplakën e dorës flokëve duke i fërkuar nga poshtë drejt tëmthave lart dhe prapa kokës, duke munduar të vinin në dukje vijën e hekurit të pantallonave.
E, ku të di unë se sa e sa gjeste që lindin në çaste të atilla në psikikën e italianit, që është tamam si palloi, i cili për të tërhequr palluarkën apo palleshën, vë në dukje bukurinë e tij madhështore me pendët shumëngjyrëshe të bishtit e të trupit. Ajo zonjë që ishte vejusha e një kapiteni që e kisha vrarë në një nga ndeshjet e mia kundër ushtrisë italiane, e pikërisht në 28 nëntorin e 1942 në Përmet, e kishin thirrur të prezantohej e të ankohej kundër meje në gjyq. Natyrisht, se i kisha vrarë burrin… Si thashë këtu më lart, se patjetër prokurori nuk do të rrinte pa më ofenduar në atë seancë. Këtë e parashikova sapo u hap audienca në të cilën ndodhej dhe ajo vejushkë që tregova këtu më lart.
Sapo mbaruan dy kolonelët e Qafës së Kiçokut tregimin e tyre, për çudinë time, koloneli që filloi të fliste, ishte bash ai i kazermave të Përmetit, i cili me një thjeshtësi ushtarake, dhe madje mund të them për të tamam si ushtar, filloi të fliste mbi goditjen e Përmetit dhe të kazermave, pa treguar as mërinë më të vogël, përkundrazi tha: -Më vonë u dorëzuam dhe nxorëm shenjën e dorëzimit, mirëpo për çudi, ndërsa prisnim të na thoshin të dilnim jashtë për të na marrë në dorëzim, vazhdonte heshtja. Pas 20 minutash e kuptuam pse nuk erdhën të na bënin robër, kur tek porta e kazermave u shfaq patrulla e autokolonës që na erdhi në ndihmë nga Gjirokastra. Nga kjo autokolonë Staravecka i tërhoqi partizanët e tij nga rrethimi i Përmetit.
Dua të shtoj se shumë deponime në gjyq nga persona që nuk kishin deponuar në prokurori dhe që ishin thirrur gjatë gjykimit, nëse deponimet e tyre ishin në favorin tim, ose për një arsye ose për një tjetër, nuk u pëlqenin, nuk i regjistronin në procesverbalin e gjykimit. Sapo mbaroi tregimin koloneli, prokurori me atë eufori dhe histerizëm që kishte në shpirtin e tij, iu drejtua kolonelit duke i vënë në gojë foljen “ikje” (scappare), ndërsa koloneli insistonte në foljen “tërheqje” (ritirata). -Tek e fundit, -tha koloneli,- ishte krejt e logjikshme tërheqja pasi kishte luftuar për afro 10 orë pa ndërprerje, dhe më në fund erdhi një fuqi e madhe taze, patjetër nuk kishte tjetër udhë, veç tërheqjes… Mirëpo prokurori kishte nevojë të më zhvleftësonte, natyrisht duke u ngrehur si gjel deti jo vetëm për të mbrojtur prestigjin e ushtrisë italiane, por më shumë për të hyrë në qejfin dhe simpatinë e vejushës së bukur.
I shtyrë sidomos nga ai shkak, u ngrit në këmbë, por i përkulur mbi tavolinën mbi të cilën kishte vënë të dyja duart e gati pas një gjysmë minute heshtje filloi duke më treguar me gisht: -Shihni atë njeri! Ai me atë shkathtësinë e tij të urryer, i kishte bindur falsërisht të gjithë ata që e njihnin për herë të parë apo e kishin dëgjuar emrin e tij se ishte një nga burrat trima të Shqipërisë, kurse në të vërtetë nuk ka qenë aspak kurajoz, se kur është ndodhur përpara rrezikut, e ka evituar vdekjen, si, për shembull, kur e pa në Shqipëri se bashkatdhetarët e tij nuk do t’ia kishin kursyer plumbin, mbushi këmbët dhe iku dhe ja tek e kemi këtu…
Sapo mbaroi prokurori, u ngrita dhe mora fjalën dhe ai nuk u ul, se imagjinonte se do t’i jepja ndonjë përgjigje që do t’i përcëllonte atij dhe gjithë italianëve, apo për të më bërë përshtypje mua që mos të shkarkohesha ashtu si ai e njihte natyrën time. -Zoti prokuror ka shumë të drejtë, se dhe unë vetë jam i bindur se nuk jam aspak trim, pasi aty ku kishte rrezik vdekjeje i jam shmangur, asaj duke ikur me vrap, por vrullin e ikjes në kohë rreziku në pikë të vrapit, e kam mësuar nga ushtria glorioze italiane… Sapo mbarova fjalën, prokurorin e zuri prapë epilepsia psikohisterike, duke thirrur e bërtitur, mirëpo kryetari i gjyqit ndërhyri dhe pezulloi seancën për 15 minuta e mua më çuan në dhomën e sigurimit aty pranë sallës së gjyqit.
Gjyqi mori ritmin e tij pas asaj grindjeje me prokurorin, megjithëse ky i fundit ndodhej nën presionin e histerizmit. Kur i pyetën kolonelët nëse kishin ankim kundër meje, dy u përgjigjën pozitivisht duke u vënë në duart e trupit gjykues, kurse ai i Përmetit u përgjigj negativisht duke shtuar se ajo qe një luftë ushtarake dhe, si e tillë, po të ishte shfaqur ndonjë nevojë për ndjekje ligjore, do të ishte marrë gjyqi ushtarak. Por, ajo që bëri përshtypje të thellë qe sjellja e vejushkës së bukur, e cila, kur e pyetën nëse ankohej kundër meje, filloi të fliste me atë gojë aq të hijshme, aq sa dukej sikur nxirrte margaritarë dhe jo fjalë.
-Burri im ra në luftë, – tha ajo, – në atë luftë që atdheu e ngarkoi ta bënte. Në luftë s’ka vdekje vetëm për njërën anë. Unë nuk mund të ankohem kundër këtij njeriu, se, e para, nuk jam e sigurt se burri im ka vdekur nga plumbat e tij dhe, e dyta, se ky njeri bënte luftën kundër nesh për të mbrojtur vatrën e tij, ndërsa burri im mbronte pushtimet që ne kishim bërë në kombe të tjera. Në luftë çdo luftëtar e ka udhën nga varri; burri im pati atë fat, prandaj nëse liria e këtij njeriu varet vetëm nga ankesa ime për të hakmarrë burrin që ra në luftë, do të bëja propozimin që t’i hapeshin dyert e burgut…
Ajo bukuroshe hapi prapë gojën të fliste, por u ndal. Kush e di, ndoshta pati në mend të thoshte se kundër meje nuk kishte asnjë urrejtje e ndoshta kishte admirim, se kisha luftuar për të mbrojtur atdheun tim, por heshti, se do të ketë gjykuar se ato që duheshin thënë, i kishte thënë pa hezitim. Prokurori Donato nuk i hoqi sytë nga ajo vejushkë, e cila, sa herë që prokurori i drejtoi fjalën, nuk e shikoi asnjëherë në sy, e kur i përgjigjej prokurorit, sytë i mbante tek kryetari i gjyqit. Kur u ngrit të linte sallën e gjyqit, prokurori Donato ra në apati të madhe dhe në të vërtetë kur doli ajo zonjë nga salla e gjyqit, la një boshllëk të madh në tërë ambientin e asaj salle.
Ajo ditë për prokurorin kalabrez hyri në kalendarin e kujtimeve të hidhura, se ai nuk mundi as të më lëndonte, as të më nënvleftësonte përpara publikut në atë gjyq dhe, nga ana tjetër, nuk mundi të tërhiqte simpatinë e asaj vejushe për të hyrë në zemrën e saj, qëllim për të cilin ai provokoi atë dramë në sallën e gjyqit që më gjykonin.
(Marrë nga libri “Përpara gjyqit të historisë”)