Historia/ Kishte bërë fytyrën operacion plastik, si i shpëtoi 9 vite arrestimit vrasësi shqiptar

Jun 11, 2016 | 14:23
SHPËRNDAJE

Arrestohet në Rrogozhinë një 31- vjeçar që prej 9 vitesh kërkohej nga Italia thuajse në të gjithë Europën, e madje deri në Kanada.

Shqiptari i vrare Ervis Daci
Shqiptari i vrare Ervis Daci

Bëhet fjalë për shtetasin F. Shamo, i cili akuzohet për vrasjen e një tjetër shtetasi shqiptar, në Firence të Italisë, ngjarje e ndodhur më 6 gusht të vitit 2007.

Shamo kishte përdorur çdo metodë për t’i shpëtuar arrestimit dhe ekstradimit.

Që nga operacioni plastik për të ndryshuar fytyrën e deri te kërkesa për azil politik në Kanada. Megjithëse kishte provuar prezencën e tij në të paktën 4 shtete të Bashkimit Europian dhe në Kanada, Policia italiane nuk kishte arritur dot të bënte arrestimin e tij.

Më në fund, i shumëkërkuari F. Shamo u arrit të arrestohej nga Policia e Rrogozhinës mëngjesin e djeshëm. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se arrestimi i 31-vjeçarit u krye për qëllim ekstradimi drejt Italisë.

“Interforc/Italia ka dërguar shkresën e datës 03.06.2016, ku është lëshuar urdhri i ekzekutimit nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences, i dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale ‘Vrasje në bashkëpunim’, për shtetasin F. Shamo, 31 vjeç.

Pritet ekstradimi i këtij shtetasi në drejtim të shtetit italian”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Tiranës.

VRASJA DHE ARRATIA

Sipas Policisë italiane, shtetasi i arrestuar dje në Rrogozhinë, F. Shamo, është dënuar me 14 vjet burg, pasi në bashkëpunim edhe me 3 shqiptarë të tjerë, ka vrarë me thikë një djalë 26 vjeç, nga Elbasani.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 6 gusht të vitit 2007, në rrugën “Circondaria”, në periferi të Firences.

Për këtë ngjarje, Policia e Firences pati arrestuar 3 bashkëpunëtorët e Shamos, shtetasit Fabiol Preçi, Donaldo Domi dhe Vladimir Ibajn, i cili në fakt u arrestua në Roterdam të Holandës, për llogari të Italisë dhe më pas u ekstradua.

Nga të dhënat hetimore rezultoi se vrasja e Ervis Dacit kishte ndodhur pas konflikteve të vazhdueshme mes grupeve të shqiptare të përfshira në rrjetin e shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas mediave italiane, i vetmi që arriti t’u shpëtojë prangave ishte F. Shamo, nga fshati Gosë i Kavajës. Në nëntor të vitit 2007, Policia italiane lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për Shamon.

Gjatë kohës që ai kërkohej nga drejtësia, rezultoi se kishte udhëtuar në vende të ndryshme të Europës, si në Greqi, Holandë, Spanjë dhe në fund edhe në Shqipëri.

Ndërsa më 4 janar të vitit 2009, ai ishte nisur me një anije mallrash gjermane në drejtim të Torontos në Kanada, nëpërmjet një karte identiteti të falsifikuar italiane, duke u quajtur Geracitano Vincenzo, lindur në Siderno, në krahinën e Reggio Calabria.

Madje u mësua se Shamo kishte kryer edhe një operacion plastik për ndryshimin e fytyrës. Më 16 janar të atij viti, shërbimet e emigracionit në Kanada e arrestuan atë në portin Halifax dhe gjatë asaj kohe do të nisnin procedurat e ekstradimit.

Por Shamo, që mbahej i arrestuar për falsifikim dokumentesh, më 16 janar kishte kërkuar azil politik në Kanada, duke kundërshtuar ekstradimin në Itali apo në Shqipëri. Pretendimi ishte se i rrezikohej jeta, ndërsa ishte paraqitur si qytetar italian.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura