Mbi 80 milionë euro në total. Kjo është shuma që Juventusi duhet të paguajë, për të mbajtur në skuadër të gjithë lojtarët që janë afruar në formë huazimi.
Po flasim për 4 lojtarë më konkretisht, nga portieri Di Gregorio, tek Kalulu, Niko Gonzalez e për ta mbyllur me Fransisko Konseisaon, i cili është siguruar nga drejtuesit bardhezi se kartoni i tij do t’i kaloj Juventusit në sezonin e ardhshëm. Praktikisht për 2 lojtarë, Juventusi është i detyruar të paguajë, ndërsa për portugezin dhe Kalulun , është çështje vullneti për ta mbajtur në skuadër.
DI GREGORIO- Më 5 korrik 2024, Mikele Di Gregorio u bë një lojtar i Juventusit. Huazimi me detyrim blerje, ku “Zonja” pagoi fillimisht 4.5 milionë euro, ndërsa 13.5 të tjera do t’i paguajë të ndara në tre këste. Gjithashtu edhe 2 milionë euro të tjera do të paguhen në formë bonusesh, të lehta, që duken më shumë si çështje formale. Në total pa llogaritur bonuset, Juventusi do të paguajë për Di Gregorion 18 milionë euro.
KALULU- Mbrojtësi francez e la Milanin për 3.3 milionë euro, që do të paguhen në dy këste, ndërsa do të bëhet plotësisht i Juventusit nëse “Zonja” shfrytëzon të drejtën e blerjes që ka mbi të. Shanset janë të larta që do të blihet, prandaj Juvja do të paguajë 14 milionë euro, gjithashtu në tri këste. Kostoja në total për Kalulun do të shkojë 17.3 milionë euro, pa llogaritur ndonjë bonus të mundshëm.
NIKO GONZALEZ- Tetë milionë euro për huazimin, dhe 25 milionë euro të detyruara për t’i paguar më vonë. Kësaj shifre i shtohen edhe 5 milionë euro të tjera nëse kapen objektiva të ndryshëm. Këto janë shifrat zyrtare që Juventusi njoftoi për afrimin e Niko Gonzalezit në verë, më 25 gusht. Në total, kartoni i argjentinasit do të shkojë 33 milionë euro, pa llogaritur 5 milionë eurot bonus.
KONSEISAO- Shtatë milionë euro për huazimin e thjeshtë, plus tre të tjera në formë bonusesh. Me këtë formulë dhe këto shifra, Fransisko Konseisao u bë një futbollist i Juventusit për sezonin 2024-2025. Gjithashtu, Juventusi ka një marrëveshje në parim me Porton për ta blerë përfundimisht kartonin e portugezit me 30 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al