Udhëheqësit e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë kujtuar njëvjetorin e sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke e lartësuar “sakrificën e Afrim Bunjakut për ta mbrojtur sovranitetin e vendit”.
Presidentja Osmani tha se Kosova “është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm”.
“Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”, shkroi në Facebook.
Kryeministri Kurti njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur ta emërtojë një rrugë rajonale Ballaban – Banjskë, për nder të Afrim Bunjakut.
“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.
Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi. Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria kosovare, Radoiçiç cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al