Janë shoqëruar në polici dhe dy të rinjtë e tjerë që u përfshinë në konfliktin e dhunshëm ditën e sotme në Korçë, ku mbeti i plagosur në fytyrë një 16-vjeçar.
Përveç një shtetasi të shoqëruar në komisariat fill pas ngjarjes, sipas policisë janë kapur dhe shoqëruar dhe dy persona të tjerë.
Raportohet se tre të rinjtë e përfshirë, sipas policisë i kanë dalë përpara 16-vjeçarit sapo ky i fundit ka lënë mësimin dhe aty kanë nisur sherrin mes tyre, duke e goditur adoleshentin me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti.
Nga dëshmia që pritet të japin në polici, do të zbardhet ngjarja e sotme që la të plagosur 16-vjeçarin.
Burime bëjnë me dije se një nga shtetasit e përfshirë në konflikt dyshohet të jete një emër i njohur për policinë, shtetasi me inicialet R.I, i përfshirë edhe më parë në të tilla ngjarje, që e kanë çuar edhe pas hekurave.
Njoftimi i policisë
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 13:20, në lagjen nr. 10, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. Ç., 21 vjeç dhe 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti, një shtetas 16 vjeç.
16-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar, të cilët dyshohet se janë larguar me automjet.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e 2 shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al