Klubi i Evertonit po përballet në këto ditë me një situatë të pazakontë, pasi nuk mund të bëjë blerje të tjera për shkak të shkeljeve të kufirit të shpenzimeve të diktuara nga Premier Liga, por as të huazojë pasi ka listat e mbushura. Në një situatë të tillë, edhe dëmtimet po ndjekin njëri0-tjetrin me Brojën që nuk është i vetmi që e ka pësuar.
Francezi Mangala pësoi një dëmtim të rëndë dhe ka mbyllur para kohe sezonin, ndërsa edhe qendërsulmuesi kryesor, Dominik Kalvert-Ljuin, me të cilin Broja duhej të diskutonte vendin e titullarit, ka pësuar një dëmtim dhe pritet të jetë për një kohë të gjatë jashtë.
Pikërisht mungesa e Kalvert-Ljuin dhe kohëzgjatja e dëmtimit të tij, ka bërë që te Evertoni të lindin dyshime rreth mënyrës se si të veprojnë me Brojën. Nga një anë është dëmtimi afatgjatë i sulmuesit shqiptar, që mund të kthehet vetëm në fund të sezonit e që po shtynte Evetonin që të kthente lojtarin te Çelsi për të liruar një nga vendet për lojtarët e huazuar. Por nga ana tjetër, në klub po diskutojnë idenë që të mbajnë Brojën me shpresën që mund t’i ndihmojë në mbyllje të kampionatit, pasi parashikohet që atëherë ekipi të jetë i rrezikuar për mbijetesën si pasojë e këtyre mungesave.
Kjo situatë bën që deri më datë 3 shkurt, kur mbyllet merkato në Angli, gjithçka të jetë në diskutim rreth Brojës, siç ka ndodhur shpesh në fakt në vitet e fundit me futbollistin shqiptar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al