“Ia pagoi shtrenjtë haraçin diktaturës”- Ismail Kadare, “kalorësi” i poezisë që me metaforën e tij sfidoi “Pashallarët e Kuq”! Krijimtaria, dhurata e përjetshme që shkrimtari na la

Jul 12, 2024 | 12:04
SHPËRNDAJE

NGA SEJDO HARKA/ “I mundur gjer në çastet e fundit/ Nga mosthënia/ Nga pengu tragjik/ Një shenjë ndoshta të pakuptueshme/ Do t’u bëj dhe do të ik” (Kadare).

ismail kadare enver hoxha

Ismail Kadare, ky univers i letrave shqipe, fatkeqësisht, këto ditë ra si një “lis i madh” për të mos u rrëzuar kurrë. Ai “ra për të mos u tharë e tretur përjetësisht, sepse në krijimtarinë e tij të bollshme e cilësore la “rrënjët dhe degët” e kombit tonë, la shpirtin e tij të madh, që do të lulëzojnë dhe frymojnë në shekuj. Lindi në kohëra të vështira luftërash e varfërie, jetoi duke shkruar një jetë të tërë dhe mëngjesin e 1 korrikut të vitit 2024, iku për të mos u kthyer më kurrë, duke lënë pas si diamantet më të çmuara veprat e tij të mëdha dhe “emrat” e rrallë: “gjeni”, “monark”, “kolos” i letrave shqipe dhe “korife” i atdhetarisë, me të cilët njerëzit më të njohur të letrave, brenda dhe jashtë kufijve tanë e thirrën për një kohë të gjatë.

Kadare ishte dhe do të mbetet jo vetëm shkrimtari që futi në romanin tonë të ri metamorfozën dhe filozofinë kafkiane, por edhe “kalorësi” që me artin e tij të papërsëritshëm vjershërues, thellësisht metaforik, shpëtoi poezinë nga vdekja. Kadare ka një jetë të tërë, që me magjinë e fjalës pushton mendjen dhe shpirtin e mijëra e mijëra lexuesve jo vetëm brenda trojeve tona, por edhe përtej tyre. Për ta bërë kulturën, artin dhe letërsinë shqipe të flasë edhe në mbi 40 gjuhë të botës, ai, me penën e tij të artë, sfidoi jo vetëm klonet kufitare vdekjeprurëse të thurura me tela me gjemba, por edhe një mori malesh, detesh dhe oqeanesh. Konturet e veprimtarisë krijuese të Kadaresë janë shumë të gjera. Por “dashuria” e tij e parë, e cila zë fill që në bankat e gjimnazit është poezia. Edhe pse redaksitë e kohës, në përgjigjet e nxituara që i dërgonin për poezitë e para, i shkruanin se, po të vazhdonte të shkruante kështu, nuk do të bëhej kurrë poet, ai me pasion e guxim vazhdoi të shkruajë e të shkruajë pa mbarim, për t’u bërë e mbetur simbol i shkrimtarisë moderne shqiptare.

Është kjo një nga arsyet kryesore që krijimtaria poetike e Kadaresë, për vite me radhë, u bë objekt i shumë analizave dhe librave studimorë, shkruar nga emra të njohur të kritikës letrare shqipe. Që të zbulosh vlerat universale të mendimit të tij të thellë poetik duhet ta dish mirë “notin” e vjershërimit. Për shkak të përmasave shumëdimesionale që ka krijimtaria poetike e Kadaresë, do të ishte tepër e vështirë që ato t’i shteroje brenda kontureve të një shkrimi, sado i koncentruar të jetë ai. Prandaj, në këto shënime të shkurtra do të ndalemi në vlerat e papërsëritshme dhe tiparet më të dukshme të vjershërimit të tij modern. Është e vërtetë se, edhe poezia e Kadaresë, shkruar në vitet e monizmit nuk mundi t’i shpëtonte dot plotësisht censurës dhe vetëcensurës. Kjo, ndoshta ka ardhur edhe për shkak të natyrës së vetë poezisë, e cila është e prirë të verbohet më lehtë nga politikat diktatoriale. Është, ndoshta kjo arsyeja kryesore që edhe Kadare, nëpërmjet të disa poezive dhe fragmenteve të disa poemave, ia pagoi shtrenjtë haraçin diktaturës. Ky haraç nuk ishte thjesht frikë, por detyrim. Ndryshe, ose do të dergjej burgjeve, ose do të vihej përballë giotinës së kokëprerësve. Megjithatë, poezia e tij në thelb është një sfidë ndaj frikës dhe dhunës.

Të gjithë sot çuditemi se si poezia e Kadaresë, edhe pse rendi për disa dekada me radhë, me këmbë të përgjakura mbi xhunglat e diktaturës, ajo përsëri, edhe sot e kësaj dite lexohet me kënaqësi. Arsyen e vërtetë, metaforikisht, e shpjegon vet i pavdekshmi, Kadare, në novelën e tij “Kalorësi me skifter”. Shumë shkrimtarë të periudhës së sistemit monist, që i besuan ftesës së komunizmit për t’u bërë “kalorës “të artit të tij, vdiqën bashkë me të. Ndryshe ndodhi me të madhin Kadare. Është e vërtetë, se edhe ai nuk iu shmang dot asaj ftese tinëzare e “vdekjeprurëse”. Por ndryshe nga të parët, siç duket, Kadare i qenkësh përgjigjur kësaj ftese për ta respektuar në dukje, dhe për ta vrarë atë në thelbin e saj. Është e vërtetë që edhe Kadare ishte një nga” kalorësit”, që doli nga porta e ferrit të vdekjes, por letërsia që ai prodhoi, do të vazhdojë të rendë me hapin e shekujve të ardhshëm. Kjo është arsyeja që Akademia Franceze, ditën që e pranoi anëtar të saj shkrimtarin që vinte nga diktatura më e egër në botë, e quajti “prokuror të diktaturave”.

Kadare e kishte pranuar me shumë finesë “ftesën e vdekjes”, por me durim e zgjuarsi, ai i shpëtoi jo vetëm vdekjes fizike, por edhe asaj shpirtërore, poezia dhe bashkë me të e gjithë krijimtaria artistike. Ishin të pakta vargjet dhe fragmentet e disa poemave të tij, që mbetën përtej tokave të djegura të vdekjes, prej së cilës ato erdhën. Ai e kaloi pyllin e errët të vdekjes përmes flakëve përzhitëse, për të na sjellë një poezi të pavdekshme. Po, cilat janë ato tipare moderne të saj, që e bëjnë të jetë universale, e freskët dhe me vlera të papërsëritshme gjithëkohore, duke vrarë vdekjen dhe agoninë që hëngri vjershërimin naiv të disa pseudopoetëve militantë, të cilët vlerat e krijimtarisë poetike i matnin me kutin e “fillit të kuq”. Vlerat e vërteta të poezisë së Kadaresë janë të shumta, por në pamundësi për t’i thënë të gjitha, më poshtë do të renditim disa prej tyre:

TIPARET DHE VLERAT E PAPËRSËRITSHME TË POEZISË SË KADARESË

Është magjia e artit të fjalës poetike dhe animizimi personifikues, përmes të cilit Kadare arrin “të ngjallë të vdekurit dhe të vdesë të gjallët”. Qeniet pa shpirt dhe ndërgjegje i bën të mendojnë e veprojnë si qenie njerëzore, për t’i bërë ata aleatë të përhershëm të njeriut dhe anasjelltas. Përmes mitizimit dhe çmitizimit, Kadare, jo vetëm përçon te lexuesit frymë nga fryma e tij, por edhe realizon ballafaqimin mes reales dhe ireales, qenies dhe mosqenies, jetës dhe vdekjes. Kjo i ndihmon lexuesit të kuptojnë thellë thelbin e dashurisë për jetën dhe gjithë natyrën. Mitologjia dhe heronjtë e saj, figuracioni i pasur, gjuha e gjallë dhe përdorimi e krijimi i një fjalori të bukur poetik, si dhe koherenca, janë e do të mbeten disa nga tiparet kryesore që e bëjnë poezinë e Kadaresë të lexohet me kënaqësi në çdo kohë.

Filozofia e tij poetike buron nga krijimtaria qytetare, të cilën e quante “univers poetik”, brenda të cilit gjen dije, kulturë, urtësi, ndërgjegje, mesazhe dhe kohezion. Poezia e Kadaresë karakterizohet nga ndjeshmëria qytetare, shumëllojshmëria tematike dhe respekti ndaj traditës. Ajo herë shfaqet përshkruese dhe herë narrative, herë si poezi e ndjenjës dhe herë didaktike, herë ironike dhe herë sarkastike. Me vjershërimin e tij modern, Kadare, herë u bënte thirrje kujtimeve dhe mbresave dhe herë emocioneve shpresëdhënëse. Poezia e tij është njëherazi, ndjenjë dhe mendim, materie dhe shpirt. Në thelbin e brendisë së saj është shpirti rebel i njeriut të lirë, që nuk thyhet nga rregullat e ngurta e konformiste dhe kulti i folkut fshataresk, që mbrohej me fanatizëm nga disa vjershërues pseudopopullorë. Në sistemin e vjershërimit të Kadaresë mbizotëron stili modern, me vargun e lirë e të thyer, që buron nga poezia klasike tradicionale shqipe, me një tingëllim të thellë qytetar, i cili i jep asaj një një muzikalitet të rrallë, që të ledhaton veshin dhe shpirtin. Ai lëvroi dhe një shumëllojshmëri poemash me brendi mitologjike, historike, alegorike dhe vegimtare.

DYKUPTIMSHMËRIA METAFORIKE E KADARESË, SI “THIKA” ME DY PRESA MBI KOKAT E DEMONËVE E DIKTATURËS

Për të thelluar më tej analizën e vlerave dhe tipareve të papërsëritshme të poezisë së Kadaresë, ndoshta do të mjaftonte studimi i poezive të përzgjedhura dhe të botuara nga “Onufri” në një libër të vetëm, i cili është bërë objekt i këtyre shënimeve të shkurtra. Në këtë libër janë përmbledhur poezitë e shkruara mes viteve 1957-2005, të cilat janë përzgjedhur nga librat poetikë: “Ëndërrimet”, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me diell”, “Koha”, “Festë në studio”. Ndërsa 6 poezitë e fundit janë marrë nga arkivi dhe shtypi i ditës. Se kush ishte Ismail Kadare, e njohu jo vetëm e gjithë Shqipëria, por edhe bota. Ai, pasi mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës, u diplomua për letërsi në Universitetin e Tiranës. Ndërsa pasi kreu studimet pasuniversitare në Moskë, përfundimisht u vendos në Tiranë, ku punoi si gazetar dhe shkrimtar i lirë, një jetë të tërë. Librin e parë me poezi e botoi që kur ishte gjimnazist. Në vitin 1961,kur ende ishte student në Moskë, ai botoi librin e parë në gjuhë të huaj. Ndërsa prozën e nisi me romanin e tij të suksesshëm “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963).

Vlera e krijimtarisë së tij gjeniale e gjen shprehjen në shumë vlerësime, diploma e çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, që Kadare mori brenda e jashtë vendit. Për të kuptuar se kush ishte Kadare, mjafton të përmendim: Çmimin Asturia për letërsinë, titullin “Doktor Honoris Causa”, nga Universiteti i Palermos; Mon Booker International Prize (2005) etj.. Për disa vite me radhë Kadare u nominua për çmimin “Nobel”. Bota e ka quajtur atë “krijues të universit të rrallë shqiptar”. Intuitën e tij të guximshme krijuese, lexuesi do ta ndjente që në poezitë e tij të para. Impulsi i tij rebel ndihet që në vargjet e guximshme për kohën: “Pa formë është qielli, si tru idioti/ pa formë është qielli, si një mendim idioti” (39), shkëputur nga poezia “Vjeshtë tiranase”, shkruar në vitin 1957 dhe botuar për herë të parë në vitin 1961, në Moskë. Sapo ajo u botua, tërhoqi edhe vëmendjen e kritikës ruse, e cila, mes të tjerash theksonte, se kjo poezi binte erë modernizmi perëndimor. Në poezitë e para të Kadaresë, edhe kur ai u këndon ëndrrave rinore ka trishtim. Këtë trishtim, sa real, aq dhe metaforik e gjejmë në rrugët e mbuluara nga grija e vjeshtës dhe acari i dimrit, në bezdinë që shkaktonte shiu, akulli dhe bora, në fushat që shtrihen pafund nëpër errësirën e natës pis dhe drurët që tek-tuk nxijnë si hajdutë, në retë e zeza që të humbasin shikimin dhe në qiellin e përhumbur, që i ngjante një truri idiot.

Është interesante të vësh re se, edhe kur ai shkruan për stinën më të bukur të vitit, Pranverën, e ndjen veten të trishtuar e të turbulluar nga censura e kohës, gjë që shprehet në vargjet “Diç dua të them, por s’më jepet ta them/ Dridhen dritaret, dridhen hijet/ Vetëm mbi llum nuk pasqyrohen yjet”(43). Në vitet që ai ndodhet në Moskë, edhe pse i turbullt, mallin për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk e ka harruar kurrë. Prandaj shkruan vargjet: “…malli shumë më ka marrë/ Për shqiptarët/ Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë/ Për retë që në muzg si kështjella digjen/ Për Alpet flokëbardha dhe mjekërgjelbra”(45). Shekullit të XX, Kadare i ka kushtuar poezinë apostrofike “Shekulli im”, ku bashkudhëtarëve të tij u drejtohet me vargjet, sa të drejtpërdrejtë, aq edhe metaforikë: “Rruga është e gjatë/ Në të ka diell, dhe ujq, dhe natë”(91). Në poezitë e tij të viteve ‘60 gjen dhe vargje që vuajnë nga retorikat entuziaste, por shumica e tyre ka ide, që të emocionojnë dhe të bëjnë të meditosh, siç janë vargjet e mëposhtme, shkëputur nga poezia “Brezi im”: “Ne të gjithë jemi/ Drurë të mbjellë në udhëkryqet e historisë/ S’lindëm princa/ Por mijëra topa përshëndetën ardhjen tonë”(92)

Në poezinë e tij të viteve ‘60 gjen edhe vjersha luftarake si ajo me titullin “Sfidë”, ku përmes vargjeve: “Hapni udhën!/ Mjaft ju duruam/ Do të shkelim mbi frikën tuaj”(125), poeti u drejtohet vjershëruesve konservatorë, të cilët pengonin poetët e rinj si: Kadare, Agolli, Arapi…, të cilët po luftonin të hidhnin themelet e një poezie të re moderne. Lexuesi i sotshëm çuditet me guximin e Kadaresë, i cili që në vitet ‘60, ka guxuar të mendojë për çlirimin e brezarëve të tokave kufitare nga gardhet e pakapërcyeshme, të thurur me tela me gjemba. Ja si i këndon ai “Tokës kufitare”: “Tokë e mbarsur me provokacione/ Me tragjedi të moçme e të vona, / Me krisma armësh nëpër natë”. Ai ka shpresë se një ditë kjo tokë, skllave e kloneve, do të çlirohet nga gardhet me tela me gjemba, për t’u tjetërsuar nga parmenda e plori, jo vetëm në tokë të prodhimeve të larta, por edhe një urë bashkimi mes kombeve, gjë që shprehet poetikisht në vargjet: “Kjo tokë do të marrë frymë thellë nën parmëndë/ Si një grua që ndjen, se po bëhet nënë…”(163). Në poezitë e dekadës së parë, Kadare u rikthehet shpesh dëmeve dhe dhimbjeve tragjike që i shkaktuan njerëzimit luftërat botërore.

Një shqetësim të tillë të tmerrshëm ai e shpreh në “Poemën e ashpër”, veçanërisht nëpërmjet pyetjes retorike”: “Ç’gërmojnë aty nëpër terr!/ Po nxjerrin nga toka e zezë eshtrat e ushtarëve/ Ashtu siç shkulin patatet nga toka e zezë”(170). Idenë e sakrificës sublime të popullit tonë për liri, Kadare e thellon nëpërmjet vargjeve të poemës “Përse mendohen këto male: “Kështu ke ecur, Shqipëri/ Mbi këmbët e gjata / Me një pushkë të gjatë/ Ecje dhe s’dije ku veje ti/ Drejt një mëngjesi të turbullt plot re e mjegull”. Ishin mjegulla e paqartësisë dhe përçarja, varfëria dhe ethet e malarjes, që ja gërryen trupin dhe shpirtin Shqipërisë dhe shqiptarëve në shekuj. Janë luftërat pushtuese dhe copëtuese, të cilat i kanë detyruar shqiptarët që pushkën ta tjetërsojnë në zgjatim të shtyllës kurrizore, gjë që poeti e shpreh metaforikisht nëpërmjet vargjeve: “Si një eshtër e gjatë, e mprehtë/ Kjo tytë e pushkës u ka mbirë në trup”(186). Në koncepsionin poetik të Kadaresë, koha ecën përpara. Atë askush nuk mund ta ndalë, e aq më pak ta kthejë mbrapa, gjë që e shpreh poetikisht nëpërmjet vargjeve: “Horizontet me nofullat e bardha/tani shqyejnë njëri-tjetrin me gaz/ Por orët e popujve kurrë/ S’ka forcë që t’i kthejë mbrapsht”(248).

Luftën e klasave, pabesinë dhe krimet e tyre, Kadare, alegorikisht, ndoshta i ka fshikulluar që në vitet ‘70, kur shkruante vargjet dykuptimëshe: “Fantazmë…, pa zbrit nga ai ledh!/ Krimet klasore derdhin botën si rrebesh/ Mjaft me helmin në vesh”, shkëputur nga poezia “Te kështjella e Hamletit në Danimarkë”(253). Këtë analogji alegorike ai e thellon më tej në poezinë “Laokonti”, shkruar në vitin 1975. Kadare e kishte bërë metodë pune, që kur idetë e tij krijuese nuk mund t’i shteronte dot në poezi, i kthente në prozë, dhe anasjelltas. Kështu veproi ai edhe me poezinë me orgjinë mitologjike “Kali i Trojës”, nga e cila lindi romani “Përbindëshi”. Por, kur e pa se ky roman ishte varrosur për së gjalli, e tjetërsoi atë në një nga poezitë e tij më të bukura “Laokonti”, ndoshta për të nxjerrë dufin që mbante brenda shpirtit, për shkak të mungesës së lirisë. Për të kuptuar thelbin e kësaj alegorie, sa mitike, aq dhe reale, poeti, në gojën e Laokontit vë vargjet kuptimplote “Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë/ Qindra vjet kam që vuaj, nga që s’flas dot”. Shqetësimin e tij për mungesën e lirisë për të thënë të vërtetën, ai e thellon nëpërmjet vargjeve: “Në më pafshi ndonjë ditë të bëhem copa/ Nga marazi, siç i thonë, të plas…”. Dhe e mbyll me vargjet: “Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë mostra/ Por shpërfillja juaj do bëhet shkas”(270).Vija kosekuente e Kadaresë për të krijuar një poezi të pavdekshme, që do t’u rezistonte kohërave, do të shfaqet më e dukshme në poemën “Pashallarët e kuq”, shkruar në vitin 1975, e cila u ndalua menjëherë nga diktatura, sepse kupola e saj e kuptonte, që pas “pashallarëve të kuq” dhe duarve të përgjakura të “burokratëve” të stigmatizuar, shihnin veten e tyre. Një nga poezitë më të bukura të Kadaresë, ku ai shpreh alegorinë e luftës së heshtur, që ai bëri me atë sistem paradoksal, është poezia “Monolog” (1984). Përmes vargjeve metaforiko-alegorike, ai shpreh jo vetëm indinjatën ndaj poezisë së përgjumur të kohës, e cila “përmes fillit të kuq” po humbte shkëlqimin e poezisë tradicionale, të shkruar nga Budi, Bardhi, Naimi, Noli…, por edhe për zverdhjen e lirisë njerëzore. Për ta fshehur këtë protestë e pakënaqësi, Kadare ka zgjedhur “dimrin” alegorik të ngricave të mëdha nën zero.

Për të shkrirë këto “ngrica” të pazakonta, poeti shkruan:”…një zjarr desha të ndez/ Por nata ishte e ftohtë, ah ç’tmerr i zi që ish”. Për ta mbajtur gjallë këtë zjarr metaforik, poeti, përmes unit poetik hedh gjymtyrë pa pushim. Por, kur e sheh se ato, përsëri janë pak, “mbi zjarr nis të hedhë copat e shpirtit të tij”. Ndërsa, kur e sheh se askush nuk e kupton, i dëshpëruar thellë, zjarrit alegorik i drejtohet plot dëshpërim: “Shuhu pra/ Në qoftë se nuk të duan/ Të bjerë natë e pafund”!(313). Një poezi tjetër interesante, që në kohë të ndryshme mund të lexohet ndryshe, është ajo me titullin “Panairi ndërkombëtar i librit në Frakfurd” (1981), ku shprehen ndjesitë gjatë prezantimit të librit të E.Hoxhës, “Kur lindi partia” në këtë panair. Për të kuptuar këtë ndjesi antinomike, mjafton të citojmë vargjet: “Lexoje njeri këtë libër me vëmendje,/ Hape të shikosh se ç’ndodh në një vend/ Kur lind një Parti Komuniste”(318), nëpërmjet të të cilëve, ndoshta poeti ka dashur të përcjellë mendimin ironiko-alegorik: “Lexoje këtë libër për të kuptuar se ç’të këqija e presin një vend, kur lind një parti si kjo”.

Dykuptimshmëria shfaqet e dukshme edhe në poezinë “Kohë e pamjaftueshme”, të cilën poeti e ka shkruar në vitin 1990, para se të largohej për në Francë. Për ta zbuluar këtë kuptim të dyfishtë do të mjaftonin vargjet: “I mundur gjer në çastet e fundit/ Nga mosthënia/ Nga pengu tragjik/ Një shenjë ndoshta të pakuptueshme/ Do t’u bëj të gjithëve dhe do të ik”(349). Në kuptimin e parë vargjet shprehin trishtimin që ndjen njeriu në çastet e largimit nga kjo botë. Ndërsa kuptimi i dytë ka të bëjë me trishtimin që ndjen vetë poeti në çastet kur ka vendosur të largohet nga veni i tij, për shkak se nuk e ndjen veten të lirë. Në poezitë e shkruara në Francë, Kadare e ndjen veten më të kthjellët e më fshikullues ndaj atyre, që privuan, jo vetëm lirinë e individit, por dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Mllefin e tij ndaj shkaktarëve të dhunës dhe përndjekjes shumëvjeçare, veçanërisht natën që ai largohet për në Francë, poeti e shpreh nëpërmjet vargjeve të poezisë “Aeroporti i mesnatës”, nga e cila mjafton të citojmë vargjet: “Botues e policë së bashku qiellin kërkojnë të marrin/ Radari jude, i penduar tund krahët e klith se s’ka faj” (335).

Poezia e fundit që poeti na la si thesar të paçmueshëm është ajo me titullin “Tirana në dimër”(2005). Ja si i drejtohet ai Tiranës në ato ditë të ashpra dhjetori, kur përgatitej të lindte demokracia: “Kryeqytet me emrin enigmë/ Ç’makth e kumt të vlon brenda/ Kur jashtë fryn erë e dimrit si ulkonjë e ngrirë…”. Këto vargje janë produkt i shqetësimeve që e shoqëruan Kadarenë atë natë të ftohtë largimi, kur bashkë me akujt e dimrit po merrte me vete edhe diellin e shpresëdhënës, i cili një ditë të afërt do ta shkrinte “akullin e atij dimri të egër”, për t’ia lenë vendin pranverës së lirisë. Lamtumirë, shkrimtari ynë i madh, profesori ynë i rreptë, por dhe më i preferuari. Akullin dhe ethet e “dimrit më të egër”, ti i more me vete mëngjesin e 1 korrikut të vitit 2024, për të na lënë si dhuratë të përjetshme krijimtarinë tënde të rrallë dhe memorien për botën e djeshme dhe të ardhshme!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura