Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur vendimin për inceneratorin e Fierit, dhe e ka rikthyer për rigjykim në shkallë të parë me një tjetër trup gjykuese.
Në një komunikim për mediat, Apeli i GJKKO njofton se trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), vendosi prishjen e vendimit të GJKKO-së, dhe kthimin e akteve kësaj gjykate me tjetër trup gjykues.
Të pandehur për këtë çështje janë ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi, Klodian Zoto, Sabina Canameri, Azem Shateri, Florian Muça, Arben Dervishi, Arjola Kodra dhe Juri Ymerajn.
Më herët Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vite burgim Lefter Kokën ish-ministër i Mjedisit, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i reduktohet 6 vite e 8 muaj.
Alqi Bllako u dënua me 4 vite burgim, por gjykim të shkurtuar do të vuajë 2 vite e 8 muaj. Biznesmeni në arrati Klodian Zoto u dënua me 12 vite burg, nga të cilat duhet të vuajë 8 vite.
Me shërbim prove janë dënuar 5 nga të pandehurit, Gentian Zifla, Regan Merdani, Sabina Canameri, Azem Shateri, Florian Muça dhe Pëllumb Abeshi. Gjykata e Posaçme firmosi pafajaësi për të pandehurit Arben Dervishi, Arjola Kodra dhe Juri Ymerajn.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 19.12.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 26 akti, datë 04.04.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe mbi ankimet e ankuesve/të pandehurve L.K., A.B., P.A., S.C., F.M., A.Sh., A.K., E.M., K.Z., L.D., A.D., J.Y., kundër vendimit nr. 57, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Prishjen e vendimit nr.57, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e akteve kësaj gjykate me tjetër trup gjykues.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 20 (njëzet) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al