Avioni që fluturonte nga Hamburgu i Gjermanisë për në Prishtinë ka bërë një ulje të detyruar në aeroportin Nikola Tesla në Beograd.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë Liburn Aliu, reagoi duke thënë se shkak është bërë një problem teknik.
“Sot, fluturimi i planifikuar nga Hamburg – Gjermani për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur nga Hamburg në ora 14:30, me 155 udhëtar ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të ulet ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd”, ka njoftuar Aliu.
Sipas tij, pas incidentit, operatori ajror ndërmori masa të menjëhershme duke organizuar një avion alternativ për transportimin e pasagjerëve.
Aeroplani i dytë, me numër fluturimi EW6005, mori udhëtarët e mbetur në Beograd dhe fluturoi për në Köln, Gjermani.
Ministri Aliu ka siguruar qytetarët se autoritetet shtetërore të Kosovës dhe aeroporti i Prishtinës ishin në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë ajrore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al