EMISIONI VETTING
Tenderi i ri për bulevardin konfirmon dështimin e tenderit të parë
Më 20 maj 2024, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të hapte tenderin “Transformimi Urban ne Hapësira Publike Kryesore Rajoni 2” Projekt Zbatimi “Bulevardi i Dibres”, i cili përfshin rregullimin e Bulevardit “Isuf Elezi” dhe të fasadave të godinave përreth me fond limit 225 milionë lekë ose 2.25 milionë euro.
Në garë morën pjesë 19 kompani dhe në fazën finale u skualifikuan të gjitha, duke u shpallur automatikisht fituese kompania “S I R E T A 2F” shpk me ofertën me vlerën rreth 2.2 milionë euro.
Automatikisht ky tender është shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi paraqet indicie për korrupsion dhe favorizim të kompanisë.
Agron Haxhimali: Projekti i ri konsiston ne rikualifikimin urban të Bulevardit të Dibrës, si dhe ndërhyrje pjesore për rikonstruksionin e fasadave përgjatë tij. Gjendja aktuale e Bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu disa fasada dhe një pjesë e trotuareve kanë nevoje për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre.
Sipas një nga prej banorëve të Bashkisë Dibër” Pllakat edhe mundet të zëvendësoheshin, por këtu askush nuk e ka mendjen tek rregullimi i sheshit, por tek tenderat, si këta edhe ata që kanë ikur e do vinë. Këtu është krijuar ideja vetëm tendera, tendera, tendera”
Në një inspektim që zv. Kryeminisra Belina Balluku, ka kryer në Dibër u shpreh “ tani çfarë ka pasur gjithmonë problematike ky bulevard ka qenë se materiali i zgjedhur herën e parë nuk ngjiste në gurin i cili nuk kishte mundësi të duronte të ftohtin që Dibra ka gjatë dimrit. Kështu që unë shpresoj që ky gur ti qëndroj kushteve atmosferike të vështira që kemi në këtë zonë gjatë dimrit”
Për të kuptuar më shumë rreth këtij projekti, “Vetting” kontaktoi Bashkinë e Dibrës për cilësinë e punimeve në projektin e parë për rregullimin e bulevardit “Isuf Elezi” dhe për arsyet se pse po bëhet një tender i dytë brenda një kohe kaq të shkurtër nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, zv. kryetari i Bashkisë Dibër Rahim Deda konfirmoi se bulevardi u dëmtua sepse materialet e vendosura ishin të cilësisë së dobët dhe rinovimi po bëhet për shkak të ankesave nga banorët.
Në lidhje me kostot e lartë, zv.kryetari Deda deklaroi se në këtë rast do të ketë më shumë punime dhe me materiale cilësore, duke pëfshirë rrjetin e tubacioneve dhe kanalizimeve.
Pyetja e “Vetting” drejtuar Bashkisë Dibër për arsyet e dështimit të investimit të parë për bulevardin dhe kush ka përgjegjësi ngeli pa përgjigje.
Tashmë gjysmës së bulevardit qendror të qytetit i është vënë kazma për tu zëvendësuar me pllaka të tjera guri, pllaka të cilat mbulojnë historinë e korrupsionit me fondet publike.
Në fakt, gërmimet mbi bulevard janë provat e fundit e një skeme, që përsëritet me arrogancë nën ditën me diell mbi qytetarët e Peshkopisë me fondet publike. Banorët kanë denoncuar dështimin me investimin e parë për bulevardin “Elez Isufi”, specialistët janë skeptikë për punimet e reja po mbi këtë bulevard.
Mesa duket pushteti ka krijuar metoda për të ndryshuar emrat, por ka ruajtur mekanizmin për të dështuar mbi punimet dhe në rastin më të keq ka lënë mundësitë e hapura për abuzime të reja mbi projektet e vjetra.
LEXO EDHE:
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al