Influenceri Andrew Tate dhe vëllai i tij humbin gjyqin në Britaninë e Madhe, gjykata vendos sekuestrimin e 2.8 milion paundësh për evazion fiskal

Dec 18, 2024 | 14:37
SHPËRNDAJE

Influenceri shumë i përfolur i mediave sociale, Andrew Tate, dhe vëllai i tij, Tristan, do të humbasin më shumë se 2 milionë paund pasi një gjykatës vendosi që ata nuk kanë paguar asnjë taksë për 21 milionë paund të ardhura nga bizneset e tyre online, përfshirë platformën OnlyFans.

andrew tate

Policia e Devon dhe Cornwall ngriti një çështje civile për të sekuestruar 2.8 milionë paund të depozituara në shtatë llogari bankare të ngrira, të cilat ishin në emër të vëllezërve Tate dhe një gruaje, e cila mund të identifikohet vetëm si “J” për arsye ligjore.

Kryemagjistrati Paul Goldspring vendosi në favor të forcës policore në një vendim të dhënë në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit. Ai tha se ajo që dukej të ishte një strukturë komplekse financiare, në fakt ishte një mashtrim i drejtpërdrejtë i të ardhurave.

Pas këtij vendimi, Andrew Tate komentoi duke thënë: “Kjo nuk është drejtësi, është një sulm i koordinuar ndaj kujtdo që guxon të sfidojë sistemin.”

Në një seancë dëgjimore të mëparshme, avokatja Sarah Clarke KC, që përfaqësonte policinë, e përshkroi Andrew dhe Tristan Tate, të dy ish-kikboksierë, si “shmangës të taksave dhe TVSH-së serialë”.

Ata akuzohen se nuk kishin paguar asnjë taksë për fitimet prej 21 milionë funte që kishin fituar nga aktivitetet e tyre online, përfshirë War Room, Hustlers’ University, Cobra Tate dhe OnlyFans, gjatë periudhës 2014-2022.

tate

Policia e Devon dhe Cornwall theksoi se vëllezërit Tate kishin transferuar rreth 12 milionë dollarë (rreth 9.5 milionë paund) në një llogari në emër të “J” dhe kishin hapur një tjetër llogari në emrin e saj, ndonëse ajo nuk kishte asnjë rol në bizneset e tyre.

Gjykata mësoi se ajo kishte marrë një pagesë prej 805,000 paund në llogarinë e saj Revolut, dhe 495,000 paund nga ato para ishin transferuar për Andrew Tate. Po ashtu, 75,000 paund ishin transferuar në një llogari tjetër në emër të “J”, e cila më pas u përdor për të konvertuar paratë në kriptomonedhë.

Martin Evans KC, avokat i vëllezërve Tate, tha më parë se transfertat bankare që kishin realizuar ata ishin krejtësisht normale për njerëzit që drejtonin biznese online dhe se ata kishin bërë një punë të dobët nëse do të kishin dashur të distancoheshin nga paratë.

Gjykatësi shpalli se të gjitha marrëveshjet financiare të vëllezërve Tate ishin pjesë e një skeme evazioni fiskal të koordinuar dhe pastrimi parash. Ai konkludoi se vëllezërit kishin përdorur llogaritë e ngrira për të pastruar të ardhurat e padeklaruara nga bizneset e tyre dhe për të financuar një stil jete ekstravagant, përfshirë blerjen e pronave dhe objekteve me vlerë të lartë.

Vëllezërit Tate janë të përfshirë gjithashtu në një hetim për akuza të tjera, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe krijimin e një bande kriminale për shfrytëzimin e grave, në një çështje që po shqyrtohet në Rumani.

Andrew Tate gjithashtu është përballur me akuza të tjera për përdhunim dhe trafikim njerëzor që datojnë nga 2012 deri në 2015, të cilat ai i mohon.

Përveç kësaj, Andrew Tate është ndaluar nga platformat si TikTok, YouTube dhe Facebook, për shkak të akuzave për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes dhe komenteve mizogjene. Megjithatë, ai mbetet shumë i popullarizuar në platformën X, me gati 10 milionë ndjekës, shumica e të cilëve janë të rinj dhe adoleshent.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura