Integrimi në BE/ Euractiv: Ndahen rrugët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut! Më 15 tetor, zyrtarisht hapen kapitujt e parë të negociatave me Tiranën

Sep 26, 2024 | 8:45
SHPËRNDAJE

“Rruga e Shqipërisë për në BE u shkëput nga Maqedonia e Veriut, ndërsa Shkupi mbetet në harresë”, kështu shkruan Euractiv në një shkrim, ku thuhet se më 15 tetor zyrtarisht do të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

shqiperi maqedoni

Ky vendim unanim është marrë të mërkurë (25 shtator) nga të gjitha ambasadoret e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, tha zyrtar i BE për Euractiv.

“Rruga e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE u shoqërua me fillimin e negociatave të nisura zyrtarisht në verën e vitit 2022. Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Bullgarisë, hapja aktuale e kapitujve është shtyrë pa fund, duke ndikuar drejtpërdrejt në progresin e Tiranës”, thuhet në shkrim.

Por tani, hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së  grup kapitujve të parë.

Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar.

“Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështon të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE”, shkruan Euractiv.

Pas disa viteve mosmarrëveshje, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord në korrik 2022, që RMV të ndryshonte Kushtetutën dhe të përfshinte pakicën bullgare së bashku me pakicat e tjera të përmendura si “populli turk, populli vllah, populli serb, romët, popullit boshnjak dhe të tjerëve”.

Kjo do të bënte që Sofja të hiqte veton dhe përparimin e bisedimeve të Shkupit.

Megjithatë, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe konsensusit në Maqedoninë e Veriut.

Aktualisht, 100.000 qytetarë maqedonas kanë marrë nënshtetësinë bullgare, që do të thotë se kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare.

Që kur partia nacionaliste VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet majin e kaluar, qeveria e re e Hristijan Mickoski e ka bërë të qartë se dëshiron të rinegociojë të ashtuquajturin “kompromis francez”.

Siç pritej, BE-ja e hodhi poshtë këtë qëndrim dhe paralajmëroi se hapi tjetër do të ishte shkëputja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria dhe dhënia e shansit Tiranës për të avancuar.

Pas zgjedhjeve të majit, Maqedonia e Veriut u përball me fqinjët e saj grekë dhe bullgarë të BE-së. Së pari, presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sfidoi Greqinë duke mos përdorur emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut” gjatë fjalimit të saj të inaugurimit .

Maqedonia e Veriut shtoi emrin “Veriu” në vitin 2018 për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë, pas marrëveshjes historike të Prespës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura