Banka e Shqipërisë zhvilloi të mërkurën konferencën e saj vjetore, “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko nënvizoi sfidat kryesore që prekin rolin e Bankës së Shqipërisë dhe bankat tregtare në procesin e integrimit. Ai vuri në dukje se procesi i integrimit nënkupton edhe një ekspozim në rritje ndaj flukseve financiare në formën e investimeve të portofolit.
“Këto flukse i shërbejnë zhvillimit të tregut financiar dhe reduktojnë kostot e përgjithshme të financimit në vend, por ato tentojnë të gjenerojnë volatilitet në terma të likuiditetit dhe të kursit të këmbimit. Administrimi me sukses i tyre do të jetë një sfidë në rritje për Bankën e Shqipërisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se kuadri aktual rregullator dhe ai i politikës monetare ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e tyre,” tha Sejko.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i procesit të integrimit është se ai nënkupton dhe një ekspozim në rritje ndaj ciklit financiar të Bashkimit Evropian, cikël i cili është provuar të ketë pasoja jo të vogla në tregun tonë financiar dhe në aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, Guvernatori tha se prioriteti do të jetë zhvillimi dhe përsosja e mëtejshme e politikës dhe e instrumenteve tona makroprudenciale, si instrumenti i duhur për mënjanimin e pasojave të padëshirueshme negative të tyre.
“Sfidë do të jetë edhe sekuencimi e koordinimi i shpejtësisë së konvergjencës së kuadrit rregullator të sistemit bankar me atë të segmenteve të tjera të sistemit financiar. Ky koordinim është i nevojshëm për të shmangur arbitrazhin rregullator dhe për të promovuar një zhvillim të harmonizuar të sistemit financiar… Procesi i integrimit ofron sfida dhe oportunitete po aq serioze për sektorin tonë bankar. Lëvizja e lirë e kapitalit nënkupton dhe një ekspozim të plotë ndaj konkurrencës midis këtij sektori dhe atij evropian. Industria jonë bankare duhet të ndërgjegjësohet për pasojat që kjo konkurrencë do të ketë në modelin e biznesit dhe marzhet e fitimit, duke marrë në kohë masat për përballimin e saj, u shpreh Guvernatori.
Sejko theksoi se në aspektin e reformave strukturore, Banka e Shqipërisë është fokusuar në dy drejtime të rëndësishme: në rritjen e qëndrueshmërinë dhe eficiencës së sistemit bankar, si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, të instrumenteve të pagesave dhe të edukimit financiar.
“Po ashtu, si administrues, rregullatorë dhe promotorë të zhvillimit të sistemit të pagesave, ne kemi punuar për modernizimin e vazhdueshëm të platformave kombëtare të pagesave dhe përditësimin e bazës rregullatore të tyre, me fokus reduktimin e përdorimit të cash-it. Së fundi, në bashkëpunim me agjencitë e tjera publike dhe grupet e interesit, ne kemi iniciuar dhe po vëmë në zbatim Strategjinë Kombëtare për Edukimin Financiar, çka përbën një investim madhor dhe afatgjatë për zhvillimin e vendit,” u shpreh ai.
Guvernatori nënvizoi edhe njëherë rolin pozitiv që sektori bankar ka pasur jo vetëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, por edhe në procesin e integrimit evropian. Sipas tij, ky sektor ka qenë, në vazhdimësi, segmenti pararojë i ekonomisë shqiptare në terma të integrimit dhe shkallës së zhvillimit.
“Në veçanti, procesi i konsolidimit të tij i administruar me kujdes nga Banka e Shqipërisë ka shërbyer si një instrument i nxitjes së konkurrencës brenda sektorit dhe rritjes së efektivitetit të tij. Paralelisht me rolin e tij integrues, sektori bankar shqiptar është shndërruar në një instrument të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit, nëpërmjet përmirësimit të gamës dhe të cilësisë së produkteve bankare, e në veçanti të kredisë. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se niveli i kreditimit të biznesit shqiptar nga sektori bankar është në nivele të krahasueshme me shumë nga vendet e reja anëtare të Bashkimit Evropian,” tha Sejko./Monitor
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al