Intelektuali, media dhe shoqëria brenda një libri! Kush zbeh pushtetin e elitave të dijes dhe të mendjes

Oct 10, 2024 | 9:09
SHPËRNDAJE

intelektuali media dhe shoqertiaNGA SEJDO HARKA

Sociologu dhe “Mjeshtëri i madh” Gëzim Tushi, ka një jetë të tërë që spikat me trajtesat e larmishme dhe opinionet e analizat e thella e të shumëllojshme për çështje të rëndësishme të sociologjisë dhe të shoqërisë, jo vetëm në shtypin e ditës, por edhe në ekranet televizive të kohës. Kudo që ai punoi dhe jetoi, në institucionet e shtetit, si pedagog, apo sociolog i spikatur dhe i apasionuar, la pas emrin e intelektualit të zëshëm, të krijuesit të talentuar dhe tepër kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve. Përveç auditorit, punës me njerëzit dhe aktivizimit permanent në shtypin e ditës dhe në ekranet televizive, pasioni i tij i veçantë ka qenë dhe mbetet libri, jo vetëm si lexues e propagandues i zellshëm, por dhe si krijues dhe botues.

Ai ka një jetë të tërë që shkruan dhe boton libra. Deri tani ka botuar 23 libra sociologjikë, pa llogaritur librat që ai ka nëpër duar për t’u dhënë dorën e fundit dhe të tjerë që flenë në dorëshkrimet e tij të panumërta, me dëshirën që edhe ata një ditë të gjejnë dritën e botimit. Janë të shumtë librat e tij që janë pëlqyer nga lexuesit, por përshtypje të veçantë ka bërë veçanërisht libri tij i parafundit, me titullin “Globalizmi”, ku thellohet më tej ideja e sociologëve të mëdhenj të botës për procesin e globalizimit, si e vetmja mundësi për eliminimin e luftërave dhe konflikteve fatale mes shteteve e kombeve të ndryshme dhe krijimin e një bote të re, ku njerëzit të rrojnë në harmoni të plotë dhe me mirëqenie të lartë. Krijimtaria e tij studimore sociologjike synon, jo vetëm për zbulimin dhe diagnostikimin e dukurive negative e pozitive të shoqërisë së kohës, por edhe për shërimin e plagëve të saj dhe promovimin e lëmimin e mëtejshëm të dukurive të saj pozitive, në mënyrë që ato të zënë vendin e duhur në shoqërinë e sotme dhe atë postmoderne. Janë këto disa nga meritat e sociologut Gëzim Tushi, që ai sot mban dy dekorata nga Presidenti i Republikës: “Mjeshtër i madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacion: “Për kontribut të çmuar si mendimtar, politolog e sociolog, me veprimtari të qenësishme për edukimin e shoqërisë dhe emancipimin e saj”.

Një nga librat më të mira të sociologut dhe politologut Gëzim Tushi është ai me titullin “Intelektuali, media, shoqëria”, që ka dalë në qarkullim këto ditë, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve tona të shkurtra. Trinia që autori ka zgjedhur të vërë në qendër të këtij libri përbën boshtin e problematikës sociale të kohës. Sa më e harmonizur të jetë kjo trini, aq më e fuqishme, produktive dhe “e bukur” e demokratike do të bëhet fytyra e shtetit dhe e shoqërisë sonë të sotme. Gëzim Tushi, para se të ndalet tek trinia sociale, që përbën boshtin problematik të këtij libri, e nis me këtë paradigmë: “Tani, më shumë se kurrë, intelektualët shqiptarë duhet ta kuptojnë se, para tyre del si detyrë e përgjegjësi e madhe përpjekja për të gjetur rrugët e vërteta të zgjidhjes së problemeve aktuale të jetës shoqërore. U takon atyre ta kthjellojnë kaosin, që shfaqet si një turbullirë, sa e nertë, aq dhe paradoksale”. Autorin e shqetëson fakti që, në ditët e sotme janë tërhequr nga misioni i tyre, jo vetëm intelektualët e zakonshëm, por edhe shumë intelektualë me kontribute e arritje të shquara në fushën e shkencës dhe të jetës shoqërore. Në këtë libër G. Tushi bën përpjekje t’u japë përgjigje disa pyetjeve konceptuale teorike dhe praktike me brendi sociologjike. Pyetja e parë që ai kërkon t’i japë përgjigje është:

Ç’ËSHTË INTELEKTUALI DHE CILA ËSHTË HISTORIA E EVOLUIMIT TË NOCIONI

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, ai i referohet historisë edhe mendimit të sociologëve më të mëdhenj të botës. Përkufizimet e sociologjisë shqiptare, veçanërisht ata të periudhës së e monizmit, janë të prirë nga tendenca e ideologjizimit të kësaj figure. Ata, herë janë quajtur “ajka e shoqërisë”, herë “promotorë të zhvillimit”, dhe herë “komisarë të dritës”. Por në të vërtetë ata përdoreshin si vegla të bindura të partisë shtet. Për autorin e këtij libri historia e lindjes së këtij emri dhe përkufizimi më i saktë i nocionit “intelektual” është ai i prof. të sociologjisë Noam Chomsky. Sipas tij, kuptimi modern i këtij emri u bë i njohur në “Manifestin e Intelektualëve” të vitit 1898 nga Dejfusorët, të cilët u frymëzuan nga letra, protestë e Emil Zolasë, drejtuar Presidentit të Francës, ku demaskonte akuzat e rreme ndaj oficerit të artilerisë A. Dejfu për tradhti. Ky është rasti i parë që intelektualët shfaqen si shtresë shoqërore në mbrojtje të drejtësisë.

Ata arritën t’i kundërvihen opinionit të Akademisë Franceze, e cila u shfaq si anti dejfusiane.(9) Sipas pragmatistit amerikan Xhon Djui: “Intelektualët janë njerëzit më të zgjuar të shoqërisë, që kanë aftësinë të marrin përsipër zgjidhjen e problemeve të rëndësishme njerëzore dhe t’i menaxhojnë ato në mënyrë inteligjente për arritjen e qëllimit të tyre final”. (7) Intelektualët me dijet dhe guximin e tyre bëhen varrmihës të pushteteve diktatoriale dhe qeverisjeve të vakëta. Është kjo arsyeja, që prej tyre konsiderohen të rrezikshëm. Ndaj për të mënjanuar rrezikun e përmbysjes së tyre ata, ose joshen e korruptohen, ose sulmohen, përndiqen e persekutohen, për të mënjanuar mundësinë e rrëzimit nga froni të pushtetit dhe të pushtetarëve. Është kjo arsyeja, që autori i këtij libri thekson idenë se, koha kërkon intelektualë të zotë të veprimit dhe guximit, të hapur bashkëpunues dhe të drejtë.

Për sociologun Edgar Mari, intelektuali nuk ka për detyrë vetëm të denoncojë dukuritë negative të kohës, por edhe të parashtrojë zgjidhje të drejta dhe optimale. Heshtja e tyre para shtrembërimeve dhe krimit është një mëkat dhe shoqërisht i dënueshëm, sepse ato i bëjnë intelektualët bashkëfajtorë të padrejtësisë. Përkufizimi për nocionin “intelektual” ka evoluar përherë. Në kohërat e sotme moderne dhe post moderne inteligjenca shfaqet dy dimensionale. Në dimensionin moral dhe dimensionin intelektual. Nëse njeri prej këtyre dy kolonave të tyre ka vdekur, thekson sociologu Primo Levi, intelektuali ka vdekur i tëri shpirtërisht, sepse thelbi i veprimtarisë së intelektualit është humanizmi. Në konceptin “intelektual”, ky sociolog përfshin edhe njerëzit e shquar të shkencës së matematikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë si dhe të gjithë njerëzit që kanë njohuri përtej profesionit të tyre. Ndërsa për sociologun Habermas, thekson G. Tushi, emri i mirë i intelektualit nuk mbaron tek dijet, por te reputacioni i tij popullor. Tiparet themelore të intelektualit, për sociologët e kohës janë intuita dhe avangarda për relevanca. Kurse dukuritë që e gjymtojnë personalitetin e intelektualit janë konformizmi, egoizmi, megalomania, pandershmëria dhe dyzimi shpirtëror.

Intelektualët, nënvizon autori i librit, në përgjithësi nuk i do pushteti dhe politika, sepse shpesh i konsideron si konkurrentë, në vend që t’i trajtojë si bashkëpunëtorë e partnerë të një qëllimi. Kjo, thekson Robert Green, ndodh, se ata kanë armën e dijes, me të cilën i bën presion politikës dhe pushtetit për të prishur statuskuonë e tyre frenuese e vegjetuese. Më poshtë, ai sqaron raportet e reja që janë krijuar sot midis politikës dhe inteligjencës. Inteligjencën, autori i librit, mbështetur në mendimin e përgjithshëm të sociologjisë së kohës, e ndan në tre grupe: intelektualë klasikë, ku futen intelektualët e mbyllur në auditorët e universiteteve; intelektualët mediatikë, ku hyjnë analistët dhe opinionistët dhe “elita e fshehtë e intelektualëve”. Një grupim tjetër që i bën sociologjia e sotme është ai, që i ndan intelektualët në dy grupe të mëdha: “burrat e shtetit” dhe “burrat e dijes”. Në këtë dualitet intelektualësh, thekson autori, fatkeqësisht sundon pushteti oligarkik i politikanëve dhe pushtetarëve, i cili zbeh pushtetin e elitave të dijes dhe të mendjes. Vetëm balancimi dhe harmonizimi sa më i mirë i këtyre dy pushteteve do prodhonte një shtet dhe shoqëri produktive për zhvillimin e vendit. Prandaj, thekson autori, ka ardhur koha që politika, shoqëria dhe elita e sotme intelektuale e vendit duhet të bëhet e përgjegjshme se raportet e drejta mes dijes, të vërtetës dhe pushtetit janë treguesi sintetik i zhvillimit harmonik të vendit.

Por, fatkeqësisht, ashtu siç thekson edhe profesori i Los Anxhelosit, R. Xhejkobi “intelektualët e elitës kanë humbur nëpër universitete”. Por misioni i tyre nuk mbaron tek dera e auditorëve, atje ajo sapo ka nisur. Ajo promovohet në fushën e gjerë të veprimtarisë sociale, ku do të demonstrojnë aftësitë e tyre aplikative në shërbim të njerëzimit. Angazhimi i elitës së profesoratit në çështjet e mëdha sociale, nuk është thjesht detyrim moral, por përgjegjësi e lartë intelektuale. Po, ç’ka ndodhur në të vërtetë me intelektualët e kohërave të sotme? Kjo është një nga pyetjet që e shqetëson edhe autorin e këtij libri. Intelektualët e kohës, janë tërhequr nga misioni i tyre qytetar, apo janë bërë më modestë. Sipas Tushit, ata kanë ndërruar statusin e tyre. Sot janë të rrallë intelektualët e zëshëm që të mos jenë të rreshtuar në llogoret e politikës. Për fat të keq, shumë prej tyre statusin e “kutisë së mendjes”, e përdorin në funksion të interesave vetjake. Kjo dukuri negative është pjellë e shoqërive hibride që nuk e ruan raportin e drejtë dhe harmoninë mes misionit qytetar dhe interesit vetjak. Por, një shoqëri e civilizuar, që të ecë përpara, duhet të vlerësojë rolin e veçantë të intelektualëve profesionistë të spikatur, sepse pa ekzistencën dhe kontributin e tyre, nuk mund të kemi një shoqëri të përparuar dhe një qeverisje produktive.

Kjo ndodh, sepse janë intelektualët që zotërojnë filozofinë ambicioze të profesionistit të spikatur, të cilët i japin frymëmarrje qytetërimit dhe zhvillimit të gjithanshëm të vendit. Ndaj sociologu G. Tushi u bën thirrje qeveritarëve që, intelektualët e spikatur dhe të zellshëm, ekspertët e profesioneve të ndryshme, t’i nxisë e mobilizojë në mënyrë që dijet dhe energjitë e tyre krijuese e praktike t’i vënë në shërbim të zhvillimit të ekonomisë, kulturës , arsimit dhe të gjithë shoqërisë. Por, që ky proces t’i shërbejë sa mirë shoqërisë dhe vendit, qeveritarët duhet të vënë në lëvizje të përhershme intelektualët dhe “ekspertët e meritës” dhe jo “ekspertët militant partiakë”. Kjo sepse, siç thekson dhe autori i librit “zhvillimi i vendit nuk është vetëm një akt politik, por edhe një akt teknik e dijesh”. Vetëm kur harmonizohen mirë këto dy akte, mund të arrihen qeverisjet e duhura produktive. Që intelektualët ta kryejnë misionin e tyre të dyfishtë, në personalitetin e tyre duhet të harmonizohet ana morale e shpirtërore me formimin e përgjithshëm intelektual si krijues dhe zbatues praktik. Por në kohën e sotme kur janë agravuar interesat dhe divergjencat sociale e politike, është tronditur thellë edhe orientimi e prestigji i disa intelektualëve të spikatur që më parë konsideroheshin të zëshëm. Kjo ka bërë që sot edhe disa prej tyre, në sytë e publikut shfaqen “materialisht të modernizuar”, por “kulturalisht me një etikë të sipërfaqshme”.

Më poshtë autori tregon ç’është profesioni dhe si përzgjidhet ai nga njerëzit. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, autori citon edhe sociologë të mëdhenj si Andrea Marua i cili thekson: “Nga një herë njeriu është kaq i dhënë pas profesionit, sa që e vlerëson atë mbi jetën e vetë”.(71) Por ka dhe shumë raste që njeriu, për arsye pragmatiste, nuk zgjedh profesionin ku ka prirjet dhe pasionet e tij, por atë që mund t’i japë më shumë para e pushtet. Kjo mani bën që disa studentë, edhe pse kanë prirje të spikatura në matematikë, fizikë e kimi, zgjedhin drejtësinë, politikën, apo mjekësinë, në kundërshtim me prirjet e tyre të veçanta. Kjo dukuri bën që vendi të mbetet pa inteligjencën e ardhsme të spikatur dhe me prirje të rralla në këto shkenca bazike për krijimin e profesionistëve ambicioze dhe që kanë shpirtin e garës me vetveten dhe të tjerët, në të gjitha shkencat.

MEDIA DHE INTELEKTUALI MEDIATIK

Një vend të dukshëm në këtë libër zënë analizat për medien vizive dhe intelektualët mediatikë, problematikat e tyre dhe sa i shërbejnë ato kultivimit të opinionit publik. Që ata ta kryejnë funksionin e tyre në shërbim të njerëzimit, thekson sociologu Gëzim Tushi, duhet të shkëputen nga konceptet sempliste. Të largohen nga konformizmi, inatet hakmarrëse dhe denigrimi i individit e i grupimeve shoqërore, pa të vërteta dhe arsye të forta vetëformuese dhe formuese për individin dhe shoqërinë. E vërteta dhe vetëm e vërteta dhe fakti duhet të bëhet barometri që do të sjellë efektin e saj të padiskutueshëm. Boshti i problematikës së kësaj çështjeje të trajtuar me kompetencë nga autori është “Opinioni, media dhe intelektualët mediatikë”. Disa madje,-shkruan Gëzim Tushi, shfaqen para ndjekësve të tyre konkurrues e me një problematikë formuese. Por ka shumë të tjera, të cilat kanë mbirë si kërpudhat helmatisëse pas shiut, që e tmerrojnë dëgjuesin me dezinformime e lloj-lloj kronikash të zeza, të cilat burojnë nga frëngjitë partiake e interesa të ngushta ekonomike. Në disa medie vizive vihet re uzurpimi i ekranit nga njerëz anonimë, apo të vetëquajtur “gjithologë”, të cilët s’e kanë problem ta bëjnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë, vetëm për interesa të ngushta ekonomike dhe partiake, duke e tjetërsuar medien e tyre në treg të zi. Këtë pandershmëri mizore mediatike, sot e bëjnë edhe shumë të ashtuquajtur analistë dhe opinionistë, të cilët si etalonin e tyre matës kanë fitimet ekonomike dhe mbështetjen politike. Edhe pse shërbimi më i mirë i medies ndaj shoqërisë është zbulimi i së vërtetës, opinionistë dhe analistë të tillë duke hedhur tonelata me baltë mbi të vërtetën, e varrosin atë më thellë. Intelektualë të tillë të ekranit janë bërë të padurueshëm. Ata, me cektësinë, llafazanërinë dhe megallomaninë e tyre janë bërë dëshpërues për njerëzit. Sot, thonë njerëzit, kush nuk u bë opinionist dhe analist. Për përzgjedhjen e tyre nga disa medie, nuk vlerësohet personaliteti dhe formimi i tyre i përgjithshëm, por mjafton që ai të jetë militant partiak dhe i aftë për të derdhur mllefin kundër kundërshtarëve të tyre politikë dhe ekonomikë. Nëse zanatin e opinionistit dhe të analistit do të vazhdojnë ta bëjnë militantët të mbushur me mllef, dobia e të vërtetës televizive do të kamuflohet e mbytet gjithnjë e më thellë. Pas ekranit do të mbetet vetëm shija e hidhur e një sherrnaje spektakolare mjerane. Kjo, thuhet në këtë libër, ndodh sepse disa të ashtuquajtur analistë dhe opinionistë shpesh luajë rolin e kameleonit të mercenarizuar.(211) Intelektualët prestigjozë që i hyjnë këtij profesioni, funksionin e tyre duhet ta konceptojnë si përgjegjësinë që merr mjeku për shërimin e pacientit të tij. Këtë detyrë mund ta kryejnë vetëm ata intelektualë, që kanë një horizont të gjerë, arsyetojnë me mendje të ftohtë dhe që nuk vuajnë nga sëmundje të tilla si: egoizmi, megalomania, zbrazësia shpirtërore, servilizmi dhe korrupsioni.

Në këtë libër G. Tushi fshikullon edhe mëkatet e medies, të cilat burojnë nga pragmatizmi ekonomik dhe politizimi i tejskajshëm i tyre. Media e sotme, shkruan autori, vuan edhe nga trekëndëshi fatal i saj. Ajo shpesh bëhet viktimë e kundërshtive të saj të brendshme ku shpesh përplasen tri kundërshti: bindja e gazetarit, interesat e pronarit të medies dhe kërkesat e orientimi i qytetarit. (239)

Po, cili është raporti i vërtetë mes medies dhe qytetarit të sotëm. Rëndësi, thekson sociologu G. Tushi , ka që mediet të kuptojnë se, roli i tyre është polivalent. Ato kanë për detyrë që, së pari të nxisin qëndrimin kritik qytetar ndaj politikave e qeverisjeve të gabuara dhe individëve që shkelin ligjet. Vend të dukshëm në këtë libër zë lufta kundër “tiranisë” së medies elektronike, e cila shpesh, jashtë standardeve e normave shoqërore morale e ligjore ndotin e helmojnë mjedisin qytetar me dukuri negative dhe ekstravagante, të cilat shpesh shiten si modele të modernizmit dhe postmodernizmit.(171)

Ky libër i “Mjeshtërit të Madh” Gëzim Tushi mbyllet me thirrjen qytetare apostrofike, drejtuar prindërve, mësueseve dhe gjithë shoqërisë: “Kujdes me drogën e shekullit!” Dhe për të, “droga” më e rrezikshme e kohës, veçanërisht për fëmijët dhe adoleshentët, është bërë celulari. Ai, përveç vlerave të padiskutueshme, është tjetërsuar në një përçartje marramendëse traumatike. Për t’u bindur për këtë të keqe të madhe të kohës, mjafton të citojmë këto fjalë të Umberto Ekos: ’’Nuk e dimë se cila është paradigma e sotme rinore: Jetojmë për celularin, apo me celularin’’, fjalë shumëkuptimplote me të cilat G. Tushi mbyll këtë libër, sa të bukur aq dhe të domosdoshëm për të gjitha moshat dhe shtresat shoqërore të kohës. Pa mohuar vlerat e informacionit digjital, i cili bëhet nëpërmjet celularit me shpejtësinë e dritës, thekson autori, ai, jo vetëm sjell me vete një informacion banal, por dhe i ngujon fëmijët para ekranit të celularit, duke i larguar nga libri dhe informimi i gjerë social e shkencor, i cili i bën ata më të zotë për veten dhe shoqërinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura