Ishte një periudhë jo shumë e largët, pranvera e 2023-ës, në të cilën Simone Inzagi dukej si Paulo Fonseka.
Dhe jo për kufjet apo veshjet e sofistikuara. Më 15 prill 2023, Interi, i mundur në shtëpi nga Monza, ishte i pesti, jashtë zonës së Champions: 5 humbje në 7 ndeshje. Fonseka rrezikon më shumë dhe nesër vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë. Një fitore do ta ndihmonte të ngjitej në kampionat duke u kapur pas derbit dhe të ndryshojë ritëm edhe në Champions. Shpejt madje, sepse emrat e Sarrit, Terziçit dhe Tudorit i fluturojnë mbi kokë.
SITUATA E PANKINAVE Rrallëherë teknikë me fate kaq të ndryshme janë përballur me njëri-tjetrin në një derbi. Liverpul dhe Siti e kanë zgjeruar diferencën. Fonseka doli copë-copë, përgjegjëse për një Milan pa zemër dhe pa identitet, të dominuar në gjithçka; Inzagi u festua si ikonë në fushë teksa Guardiola e mbushi me komplimente pas një paraqitje autoritative në shtëpinë e një prej skuadrave më të forta në botë. Fonseka nuk vuri asgjë të tijën në ndeshjen europiane të “Djallit” teksa të gjitha zgjedhjet e Inzagit dhanë rezultat, duke filluar me Zielinskin titullar. 0-0 në “Etihad” nuk e shlyen 1-1 ndaj Monzas. Për Inzagin ato të një jave më parë mbeten dy pikë të humbura. Ekipi pësoi heqjen me shumicë të shtyllës krijuese Bastoni, Barela, Çalhanoglu. Në Monza ekipi, pa vetëdije dha mesazhin e gabuar. “Nëse mungojnë shumë liderë, nuk është e lehtë…”. Dhe për më tepër i mungonte egërsia tipike. Qarkullimi është një lojë fati ku ndodh të bësh edhe ndonjë një gabim. Inzagi është i zoti, por jo Zoti. Për Fonsekën gjithçka ishte më e vështirë, që në fillim, sepse pagoi shpirtin e dyfishtë të Djallit: atë të fondit “Elliott”, ish-pronarit që i dha klubin Kardinales, pronarit të ri.
JO I MIRËPRITUR Fonseka, ashtu si drejtori Monkada, vjen nga Lila, rrotullohet rreth “Elliott”-it, por i përgjigjet Ibrës, i cili, siç i shpjegoi Bobanit, është shefi i të gjithëve dhe është njeriu i Kardinales në zemër të Milanit. Problemet te kuqezinjtë janë të thella dhe jo vetëm teknike. Që në nisjen e aventurës së tij milanistë, Fonseka zbarkoi pa qoftë edhe një drejtues të lartë në aeroport. Vetëm një fugon. Menaxhimi i senatorëve ishte për të ardhur keq. Në media, Teo në vend që ta thante njollën e zgjeroi atë, ndaj derbi mund të jetë pika që do të mbushë kupën kuqezi. Ndërkohë, nuk duhet harruar se sa herë Pioli ishte në vështirës, të gjithë lojtarët i dilnin në krah publikisht e në rrjete sociale siç ndodhi kur u shkarkua në fund të sezonit të kaluar. Nëse Pioli tani drejton Kristianon, kjo është edhe sepse Leao i ka dhënë CR7 garancinë e tij të plotë. Fonseka hyri menjëherë në luftë me bashkatdhetarin që duhet të ishte aleati i tij i parë.
SHEMBULLI I INZAGIT Për një trajner është më mirë t’i përshtatë idetë në bazë të futbollistëve që ka në dispozicion. Inzagi e bëri shkëlqyeshëm sezonin e kaluar, duke formuar mesfushën më të fortë në Evropë, pas largimit të Brozoviçit. Sikur të mos mjaftonte, në stol ka alternativa niveli si Zielinski dhe Asllani ndërkohë që edhe sulmi ka më shumë burime fale Taremit. Duhet të ndizet ende Lataro, por me Turamin në superformë, kapiteni ka të gjithë kohën e nevojshme për të gjetur formën e duhur. Praktikisht, dy planetë të largët do të përplasen në “San Siro” të dielën. Por është një ndeshje e veçantë në sytë e tifozëve të Milanit, të traumatizuar nga seria e gjashtë derbeve të humbur. Nëse Paulo arrin të thyejë serinë e mallkuar, do të fitojë oksigjen dhe një të ardhme. Dhe ndoshta do t’i sjellin edhe “pasteis de nata”, ëmbëlsirat që pati premtuar në rast suksesi kundër Liverpulit. Të martën jo vetëm që nuk erdhi fitorja, por mori një goditje të rëndë, që për fatin e tij të keq mund të mos jetë e fundit si kuqezi. Në sfond është Inter që nuk duket se ka qëllim të kursejë njeri. Aq më tepër rivalët e qytetit.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al