INTERVISTA/ Ardian Cerga: Aktor s’të bëjnë muret e teatrit, pse festivali i duhet Tiranës

Oct 5, 2018 | 14:00
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Me flokë të gjatë, ndonëse të thinjur, me një kapele kauboji, Ardian Cerga iu rikthye skenës së teatrit. Sigurisht, nuk është më ai djali që hidhte baste për dashuri vajzash, si Leka në filmin “Në çdo stinë”, madje as Kajo që djeg dorën në prush tek “Mësonjtorja”, por gjithsesi ka ruajtur një profil të këndshëm, një ndërthurje mes një njeriu që e ka rrahur era e detit dhe artistit të kryeqytetit, që i rreh mbarë e prapë çështjet e artit.

17103583_10154658092194261_8687578851928975446_n

I rikthyer nga një emigrim i gjatë në Itali, Cerga përpiqet të përfshihet ngadalë, pa zhurmë në projekte teatrore e artistike, më shumë për kënaqësinë e pjesëmarrjes, ndonëse ka shumë rezerva për komunitetin artistik, për “lëngimin” kafeneve, thashethemnajën dhe sulmet personale. Sapo ka përfunduar Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, ku komedia “Tag” ku ai luan hapi aktivitetin. Me një pozitivitet dhe optimizëm për t’u lëvduar, Cerga u përgjigjet të gjithë nihilistëve, që shohin zi kudo. Ai e vlerëson festivalin, madje edhe çmimet, ndonëse “Tag” nuk mori asnjë. Në një intervistë për “Panoramën”, Cerga flet për festivalin, por edhe veprat që i kanë lënë mbresë, për interpretimin e Reshat Arbanës dhe ca këshilla për aktorët e rinj…

Sapo është mbyllur Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, ku edhe ju ishit pjesë e shfaqjes “Tag”, që hapi këtë aktivitet. Mendoni se ishte zgjedhja e duhur e Teatrit Kombëtar, për të garuar me këtë vepër?

Në një kohë kur, jo me pa të drejtë thuhet se në skenën e Teatrit Kombëtar vihen me shumicë vepra nga dramaturgë të huaj, TK-ja paraqitet në festival me një komedi shqiptare, të dramaturgut Bashkim Hoxha. Një vepër e këndshme, larg banalitetit, edhe pse s’më takon mua ta them këtë, duke qenë vetë pjesëmarrës; me një kast aktorësh të zgjedhur dhe një regjisore shumë të talentuar. Unë e shoh një shfaqje të denjë. Ajo është një komedi që ka prekur një temë të fortë, siç është metafora e këtij fshati, ku njerëzit nuk merren më me punët dhe hallet e përditshme, por me intriga në “Facebook”, duke krijuar situata absurde, në një kohë që kanë një realitet konkret për të jetuar. Le të marrim rolin tim, atë të një fshatari që ka lënë lopët e tij në Shqipëri, për të kullotur lopët e italianit në Itali. Mesazhi i veprës nuk më duket naiv, përkundrazi, shumë aktual. Nuk është moralizim, por pasqyrë e realitetit ku jetojmë, ku njerëzit “vrasin” kohën në celular. Në debatin klasik që bëhet për mungesën e dramës shqipe, kjo vepër vjen me një temë sa të thjeshtë në dukje, aq edhe konkrete në përditshmërinë shqiptare. E thotë bukur personazhi i Gertit: ne nuk jetojmë më në fshatin tonë, por në fshatbook.

15965159_10154513661154261_3869322643773534229_n

E megjithatë, ajo nuk u vlerësua me asnjë çmim…

Po, e vërtetë, nuk mori asnjë çmim, madje dhe nominime kishte vetëm një. Por, për mua çmimet ishin të sakta. Nuk e them për oportunitet. Por ka një pikë, në të cilën kam rezervat e mia, se si është e mundur që vepra me regjinë më të mirë, nuk korrespondon me shfaqjen më të mirë. Për mua ka një inkoherencë. E megjithatë, mendoj se Altin Basha e meritonte çmimin. Ndërkohë që nga ana tjetër, “Vdekja e Dantonit” ishte një vepër e një niveli superior. “Vdekja e Dantonit” erdhi me një bagazh dhe një pafundësi zgjidhjesh, detajesh, metaforash, simbolesh, të shfrytëzuara nga regjisori. Është një lloj teatri formalist, por në rastin tonë është formalizëm me unitet aktor-material dramaturgjik. Regjisori është përpjekur ta aktualizojë dhe kjo ndihej edhe në detajet më banale, deri te lidhëset e këpucëve, një e kuqe, një e zezë. Ishte një punë profesionale me vlerë. Çmimet janë zgjedhur me mençuri dhe maturi. Por ekziston një konflikt i heshtur. Është e pamundur të krahasosh tekstin e “Vdekjes së Dantonit” të Georg Buchner me veprën e Bashkim Hoxhës. Nuk mund të krahasohen dhe këtu lind një problem i madh, sepse nuk kemi të bëjmë me konkurrimin e dramaturgjisë, por të teatrove. Forca e fjalës së një personazhi te “Dantoni” nuk është e njëjtë me të një personazhi te “Tag”. Por niveli profesional, interpretues është në të dyja rastet i lartë. Ofrohet një produkt i mirë, edhe pse materiali që kam në dorë nuk është i të njëjtit nivel. Dhe është e natyrshme që ka pakënaqësi. Nga kjo del natyrshëm nevoja që një edicion t’i kushtohet vetëm dramës shqipe dhe aty të bëhen vlerësime brenda “llojit”, brenda autorëve shqiptarë.

Festivali Mbarëkombëtar rikthehej pas 20 vitesh, si ju duk në tërësinë e tij?

Ishte një festival serioz, në gjithë organizimin e tij. Është një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e artist skenik. Por, ajo që unë konstatova me keqardhje, në këtë kaos dhe manipulim me çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar, (për të cilën unë jam shprehur, që jam për një godinë të re, pa cenuar sipërfaqen e tij, që t’i shërbejë brezave, siç na shërbeu ne, ky teatër), që një pjesë e komunitetit artistik, aktorë, regjisorë, në një formë që e quaj naive dhe të papranueshme, bënë një lloj bojkotimi të kësaj ngjarjeje, duke mos marrë pjesë në të si spektatorë. Po ashtu, një pjesë e shoqërisë civile që e përdori këtë mospjesëmarrje si argument për të thënë që ne ngelemi besnikë të parimeve dhe ideve të teatrit të vjetër. Për kushtet në të cilat ne zhvillojmë këtë teatër, ky qëndrim më duket i papranueshëm. Ne përpiqemi të ofrojmë kulturë civile, kur ne kemi probleme mes vetë komunitetit. Është e shëmtuar, kur idetë kthehen në çështje personale. Reshat Arbana na vërtetoi se nuk janë muret dhe llaçi i një godine që të bën aktor të madh, por shpirti dhe talenti, që edhe në atë skenë, që nuk ishte e keqe, të tregosh se je gjigant. Po kështu edhe te “Dantoni”, lëvizjet skenike dhe ndriçimi nuk do të ishin të tilla pa atë thellësi skene. Për mua, inshalla po “çmenden” këta drejtues e po thonë, po ndërtojmë dhe 5-6 “Turbina” të tjera.

42425545_10212650302908260_7787367459652108288_n

Por le të qëndrojmë te Festivali…

Një nga vlerat e festivalit ishte sjellja e dramave me një larmi temash, që nga antikiteti deri te një komedi e ditëve tona, si “Tag”. Një aktivitet i ndërtuar bukur që ofron një lloj estetike, për të cilën kemi shumë nevojë sot. Ky festival është rezultat i një pune disavjeçare të drejtuesve të TK-së, në këtë rast Hervin Çulit dhe Ministrisë së Kulturës. Janë vlera të pamohueshme. Sollën një rivlerësim të artit skenik. Edhe ringjitja në skenë e Reshat Arbanës ishte një rivlerësim, një rikthim prej gjiganti. Me syrin e aktorit dhe spektatorit, ky festival më la mbresa. Mund të ketë vend për debat, por unë dua të shoh anën pozitive dhe anën e bukur që i sjell këtij qyteti me 1 milion banorë. Dhe ne jemi një popull që kemi ende nevojë të civilizohemi dhe A-ja e teatrit është pikërisht kjo, të ofrojë kulturën civile përmes artit. Injekton shije, të cilat në këto 27 vjet kanë marrë të tatëpjetën. Ndaj, ky festival solli një klimë të re, e cila do të kishte dashur më shumë mbështetje mediatike, pasi është aktivitet i të gjithëve. Nuk është as i majtë, as i djathtë.

Duket se roli i Reshat Arbanës ju ka lënë mbresa të forta apo jo?

Te “Babai” jam befasuar, mrekulluar. Reshat Arbana më ka krijuar një gjendje emocionale të jashtëzakonshme. Reshatin e njohim të gjithë, por gjithmonë e kam parë pak të “mbyllur” në personazhet e tij, por këtë herë, unë mund të them që jam me fat që e pashë në skenë me këtë rol. Ishte një mrekulli. Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme. Dikush do të thoshte që roli i Reshat Arbanës është shkollë. Për mua ky është roli i jetës së Reshat Arbanës. Ka bërë shumë role, por ky është diamanti i roleve.

Si është e mundur që në 14 trupa, Reshat Arbana, tashmë 78-vjeçar, arrin t’i sfidojë të gjithë.. Çfarë ka kjo “shkolla” e vjetër që të rinjtë sot nuk e kanë?

Ndoshta te ky rol është “çelësi”, që i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Talenti është i Reshat Arbanës, por meritat i shkojnë edhe regjisorit Spiro Duni, që ka ditur të gërmojë në thellësinë e këtij gjiganti, për të nxjerrë atë aktor, që nuk e kishim parë ndonjëherë në këto nivele. Për mua Spiro Duni, ky regjisor i mençur, është ndër më të mirët që kemi për atë që ofron. Nuk mund të them se mungojnë aktorët e mirë. Mjaft të ndalemi në shfaqjen tonë: Olta Daku është e mrekullueshme, një aktore kalibri, Adelina Muça, një aktore me kërkesa të larta, ka realizuar një rol shumë të mirë dhe më vjen keq që nuk u vlerësua me një çmim, po ashtu Gert Ferra.. Pra, vlerat nuk mungojnë, që nesër pasnesër do të zëvendësojnë brezin “e vjetër”. Fatmirësisht, ne shohim që publiku po i kthehet teatrit dhe për këtë nuk mund t’ia mohojmë punën Hervin Çulit që mbushte sallat përnatë. Dhe është e turpshme që njerëzit merren me individin dhe jo me punën e tij. Sulmet personale ndaj Çulit janë të shëmtuara, sidomos kur drejtohen nga kolegë. Nuk janë në etikën profesionale. Uroj që të rinjtë të gjejnë ekuilibrat e duhur, brenda etikës profesionale, kulturore, sociale.

42489707_10212650300308195_3172388167676329984_n

Ju mund ta krahasoni me brezin tuaj, që nuk ishit të lirë të interpretonit si donit…

Ne jo vetëm që nuk kishim liri, por as mundësi informacioni. Ne përpiqeshim ta vidhnim informacionin. Ndërsa sot që janë të gjitha mundësitë për të marrë njohuri, nuk e shfrytëzon, por merresh me “Tag”-un. Asokohe ne merrnim librat “e ndaluar” dhe lexonim brenda natës 300-400 faqe, sepse të nesërmen duhet ta ktheje, pasi ishte e rrezikshme. Por sot shumë janë indiferentë. Do të të shihte në sy, sikur kishte zbuluar Japoninë. Fatkeqësisht, të rinjtë sot ndihen të realizuar, pa bërë asgjë.

Të mos harrojmë se në festival ishin 14 trupa, ku diferenca mes shfaqjeve që vinin nga trupat e rretheve dhe të kryeqendrave ishte e dukshme. Ju që keni punuar jashtë dhe keni parë si funksionojnë edhe teatrot më të vogla, komunale, mund të na thoni cila është formula për t’i nxjerrë në dritë këto teatro për të rritur nivelin?

Formula është e thjeshtë: janë investimet. Nuk mungojnë elementët “fizikë” si aktorët apo regjisorët apo materiali dramatik. Çelësi janë investimet. Burimet njerëzore janë. Një aktor, për shembull i Vlorës, do qëndronte shumë mirë te “Dantoni”. Ky është një ngërç që nuk varet as nga regjisorët, as nga drejtorët, aktorët, por nga instanca të tjera, që edhe ato mendoj janë të kufizuara. Këtu duhet ofruar së pari kultura artistike, e cila më pas përkthehet në para. Sot është e vështirë që një sponsor të të mbështesë financiarisht, por nëse ai është i përfshirë, nëse arti është kulturë qytetare, situata do të jetë ndryshe. Madje, vlerat e këtij festivali qëndrojnë edhe në faktin që hapin ca dritare, tregojnë ca të fshehta dhe ca të vërteta, evidenton problemet dhe mungesat. Diferencat ishin të dukshme, por përpjekjet ishin serioze. Përplasja e këtyre trupave nga të gjitha trevat jep mundësi për t’u përmirësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura