INTERVISTA/ “Cinike, Rama lyp para nëpër botë duke zbritur nga ‘Charteri’”- Publicisti Edmond Tupja: Thotë se nuk e zë gjumi për pensionistët!

Nov 3, 2022 | 14:33
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Publicisti, shkrimtari dhe analisti i njohur, Edmond Tupe e cilëson cinik vendimin e kryeministrit Rama që të udhëtojë me një avion charter, ndërkohë që Shqipëria radhitet ndër vendet më të varfra të Europës.

-1200-630-626259e7b7029

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesor Tupja flet dhe për protestën e pedagogëve dhe qëndrimin absurd të qeverisë ndaj kërkesave të tyre.

Hakerat iranianë na dhanë mundësinë të mësojmë se sa herë Kryeministri i vendit ka udhëtuar me avion charter dhe sa pak me linjat normale të fluturimit, plot 137 herë me një faturë që shkon rreth 20 milionë euro. Kur ju e dëgjoni këtë, Kryeministri i vendit më të varfër në Europë, me një avion charter kryeministror gjysmë personal dhe pa transparencë, çfarë shije ju jep?

Kjo më lë një shije jashtëzakonisht të keqe, një ndjenjë revolte. Kjo thjesht për shkakun se është një sfidë, një karshillëk që i bëhet një populli të varfër, më të varfrit të Europës. Nuk e di, ndoshta edhe ndër më të varfrit e Afrikës, sepse shteti shqiptar është kthyer në një shtet afrikan.

Është fyese për popullin sipas jush?

Është shumë fyese, një fyerje e neveritshme sepse populli është kaq i vuajtur me njerëz që s’kanë shtëpi, njerëz që bien viktimë e korrupsionit, njerëz që vriten, një vend ku ka krime, një vend ku nuk ka asnjë rreze drite për një jetë më të mirë dhe një Kryeministër me avion privat. Ky është një cinizëm i paparë. Të tallesh me ata që kanë apo jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë…

Por nuk duhet habitur. Kur ajo ministrja e Financave, që as emrin nuk ia di, tha që jetohet me 140 mijë lekë të vjetra në muaj, kuptohet që kur ajo thotë këtë, është në vazhdën e mendësisë së Kryeministrit. D.m.th., këtë popull urtie, rrihe, shaje, përbuze, ofendoje më mirë do jetë, do sundojë mbi të më gjatë. Kjo është një mendësi feudale. Ndoshta duhet cituar Marksi, sepse ne kemi një kapitalizëm feudal. D.m.th., këtu nuk ka zhvillim, nuk ka progres dhe çuditërisht ata që e shkaktojnë që janë në origjinë të këtij regresi krenohen me këto veprime kriminale. S’ka të ardhme në Shqipëri. Po ikin forca e krahut dhe forca e mendjes.

Keni përshtypjen që qeveria apo Kryeministri është e shkëputur nga realiteti?

Krejtësisht! As do t’ia dijë për realitetin. Në një kohë që digjeshin hektarë të tërë pyje, plantacioni ullinj, pemë, ti lëshon një frazë dhe thua do shpyllëzojmë për të ndërtuar resorte. Unë arrij në konkluzionin që mos i ka vënë vetë qeveria që të hapin sipërfaqe për të ndërtuar resorte.

Kryeministri, duke justifikuar përdorimin e avionit charter, është shprehur se bileta për këtë avion është 600 euro. Si e vlerësoni këtë deklaratë?

Kjo është të tallesh koburet…. me ko.. është një fjalë tjetër që më erdhi në mendje po e zbuta. Kjo është të tallesh me popullin, me varfërinë. Një cinizëm i llahtarshëm. Nuk është nevoja që Kryeministri i një vendi të varfër si Shqipëria të udhëtojë me avion charter, por me makinë, nëse i dhimbsen pensionistët, për të cilët, siç e thotë dhe vetë, “nuk e zë gjumi natën”, të lëvizë me makinë, të kursejë naftën, të shkojë në këmbë në punë. Ik me linjat normale, ik me tren, ik me biçikletë. Kur ishe ministër i kulturës shkoje me biçikletë në zyrë. Shko në këmbë, jep shembullin tënd.

Kryeministri pretendon se vendos dinjitetin e vendit dhe rrit prestigjin e Shqipërisë, i bën reklamë Shqipërisë me “Air Albania”…

Pse me charter vendoset dinjiteti?! Nuk e kuptoj se për çfarë dinjiteti e ka fjalën Kryeministri, kur shprehet se nuk më vjen turp të lyp për vendin tim, ndërkohë që fluturon me avion kryeministror. Të shkosh me avion charter dhe të lypësh se je vend që ke nevojë për fonde dhe mbështetje financiare, kjo nuk shkon dhe mos kujtojë ai se partnerët janë budallenj që ta marrin seriozisht.

Rama nga kjo që duket, nga veprimet e tij dhe e gjithë sjellja e tij në krye të vendit, po zbaton porositë e Luigjit të 14, mbretit të Francës të shekullit të 17. Kur erdhi në pushtet pas mbarimit të Regjencës, pas vdekjes së të atit, nëna e tij, Ana e Austrisë, i mësoi të birit se çfarë ishte absolutizmi dhe pse ishte i nevojshëm në drejtimin e vendit. Dhe se Luigji i 14 nuk duhej të jetonte në Paris, por në rrethinat e tij. Edhe Edi Rama, drejton përmes absolutizmit, me dorë të fortë dhe nuk jeton në Tiranë, por në periferinë e kryeqytetit, në Surrel. Luigji i 14 kur mori pushtet që në fillim tha: “L’État, c’est moi!” (Shteti jam unë!).

Zbatim i kësaj thënie është shteti shqiptar i drejtuar sipas këtij parimi që Rama e ka shumë përzemër. Po vijoj me Luigjin e 14, i cili pasi u sigurua që do të ishte në pushtet dhe kishte kontrollin e plotë të tij, tha: “Après moi, le déluge”! (Pas meje, u bëftë kijameti!). Pikërisht këto po bën fjalë për fjalë edhe Edi Rama. Oborrtarët e quanin Luigjin e 14 “Mbreti diell”, nuk e di si e quajnë Ramën oborrtarët e tij..Unë jam shumë pesimist për të ardhmen e këtij vendi, do bëhemi si hebrenjtë e Biblës, një popull vazhdimisht në mërgim, për aq sa do jetë popull dhe vendi do të kthehet në një hapësirë që nuk i përket askujt e ku mund të lëvizin popullata të ndryshme.

Shikoni një simbolikë me avionin charter që përdor Kryeministri Rama, të dhuruar nga Presidenti i Turqisë, Erdogan, i cili edhe ai cilësohet si udhëheqësi që kontrollon gjithçka?

Absolutisht ka një simbolikë kur vëren madje edhe faktin se Rama parapëlqen modelet e Lindjes, ndërkohë që duam të shkojmë drejt Perëndimit. Fakti është që një diktator i ri kërkon të mbështetet nga një diktator i vjetër. Enver Hoxha në bibliotekën e tij kishte dhe një libër në frëngjisht, “Biografi diktatorësh”, këtë ma ka thënë një nga mjekët e tij personalë që e ka shfletuar. Sipas mjekut, në pjesët më kulminante të librit, kishte nënvizime nga Enver Hoxha. Po vijon lidhja jonë ndër shekuj e varësisë nga superfuqitë, dikur nga Roma, Turqia, Bashkimi Sovjetik, Kina dhe tani prapë me Stambollin.

U bënë 2 javë që pedagogët po protestojnë për më shumë dinjitet, rritje pagash dhe universitete më cilësore. Protesta e fundit, para 18 viteve, ka qenë më masive, ndërsa kësaj radhe trupat drejtuese nuk i janë bashkuar, përse?

Unë kam qenë një nga protestuesit e 18 viteve më parë në atë protestë që u fitua nga pedagogët. Mungesa e trupës drejtuese ka të bëjë me përfshirjen e politikës në universitete, ndikimit të saj në zgjedhjen e tyre, por hyn dhe frika, frika e humbjes së vendit të punës. Ka degë dhe fakultetet që mezi arrijnë të bëjnë kuorumin e studentëve për t’u mbajtur hapur. Nëse bie numri i studentëve, pedagogët mbeten pa punë. Por kjo është pasojë e politikave sociale dhe ekonomike që ka bërë qeveria, e cila i ka larguar të rinjtë nga vendi duke mos parë një të ardhme të sigurt. Detyrimisht bie numri i studentëve dhe kemi degë që mbyllen. Këto janë shkakpasojë që lidhet me ata që bëjnë politikat, në rastin tonë me qeverinë.

Si i komentoni deklaratat e Kryeministrit se “kush bën grevë urie për rritjen e pagës, është i pafe, pa atdhe dhe pa flamur”?

Rama tregon se është marksist, “proletarët nuk kanë atdhe”, po shton radhët e marksistëve, këtë radhë me pedagogët. Çfarë do të thotë nuk kanë fe pedagogët?! Duhet të ndjekin fenë e Ramës?! Mos është bërë si dinastia egjiptiane Ramesses dhe kërkon që secili të ndjekë verbërisht ato që thotë ai?! Është cinizëm i pashoq, është i papërgjegjshëm. Rama ka frikë nga lëvizjet sindikaliste, a ishte ai që ftoi investitorët italianë duke i thënë që në Shqipëri është parajsë se nuk ka sindikata?! Ai po e injoron shqetësimin e drejtë të pedagogëve sepse ka frikën e një orteku që mund të ngrihet dhe nga sektorë të tjerë të administratës.

Në këto 32 vite demokraci dhe pluralizëm nuk ka pasur ndonjëherë grevë e urie të pedagogëve, kemi pasur grevë të minatorëve, të ish-të përndjekurve, por jo të pedagogëve. Çfarë mesazhi është ky?

Është nga mesazhet më të rënda për një komb. Ndryshe nga çfarë ka thënë Kryeministri që ne me botën do përballemi vetëm përmes dijes, sot ai po tregon se këto fjalë i ka pasur pallavra!!! Kur pedagogët dhe artistët, siç ishte ai i Teatrit Kombëtar, bëjnë grevë, kjo tregon se një gjë e rëndë po ndodh në këtë vend me dijen dhe kulturën. Faktori ndërkombëtar duhet të ndërhyjë, sepse bëhet fjalë për elitën e kombit, stafet akademike janë njerëzit më të shkolluar në vend, dhe ata duhen trajtuar mirë, duhen mbajtur në vend, sepse rrjedhja e trurit është shumë e madhe, por mbase Rama e ka strategji që t’i mërzisë pedagogët dhe të ikin fare nga vendi dhe ti mbushë universitetet me militantë apo patronazhistë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura