NIKOLETA KOVAÇI/ Zbërthimi i platformave të komunikimit të grupeve kriminale ka dhënë një ndihmesë të madhe jo vetëm në goditjen e të “paprekshmëve”, por ka bërë të mundur zbardhjen e dhjetëra vrasjeve dhe ngjarjeve që deri më sot ishin pa autorë!
Pas “SKY ECC” dhe “ENCROCHAT”, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pritet të kenë në duar edhe mijëra faqe të tjera komunikimesh mes grupeve kriminale shqiptare, që veprojnë në të gjithë botën. EUROPOL dhe agjencitë europiane treguan se është “thyer” edhe “MATRIX”, nga ku sërish përdoruesit shqiptarë janë më të shumtët në numër.
Është Alban Qafa, juristi dhe avokati i njohur, që tregon për “Panorama” përparësitë që ka SPAK mbi krimin e jo vetëm mbi të, por edhe mbi njerëz të politikës dhe të sistemit të drejtësisë, që janë të lidhur me bandat kriminale. Penalisti ndalet pikërisht te nevoja që kanë pasur shqiptarët (anëtarët e bandave) të lidhen me njëri-tjetrin nëpër vende të ndryshme të botës, që ka çuar në një numër kaq të madh përdoruesish. Avokati e sheh me përparësi betejën e SPAK-ut, jo vetëm për shkak të kapaciteteve, por edhe të mbështetjes që ka marrë nga FBI, EUROPOL dhe EUROJUST, mbështetje që sipas tij, u jep mundësinë prokurorëve dhe hetuesve të mos jenë nën ndikimin e politikës. Ai ndalet edhe te beteja në Kushtetuese për marrjen provë të enkriptimeve, ku shpjegon se kjo gjykatë, pavarësisht ndikimeve, nuk mund të vendosë kundër gjykatave europiane!
Z.Qafa, dy vitet e fundit krimi i organizuar ka marrë një goditje të fortë, megjithatë ka ende akte të tipit mafioz, ku herë pas here tronditet opinioni publik! Në optikën tuaj si është gjendja krimgoditje?
Në 2 vitet e fundit është rritur goditja ndaj krimit dhe është rritur dhe zbulueshmëria e ngjarjeve kriminale të ndodhura në një afat kohor edhe më të shtrirë në kohë, duke zbardhur edhe ngjarje të rënda penale, të vjetra. Këtu, në këtë fushë, peshën kryesore, edhe për shkak të juridiksionit, e ka mbajtur SPAK. Kanë ndodhur sërish ekzekutime të tipit mafioz, më të pakta, për shkak të rritjes së ndëshkueshmërisë, por që janë të pashmangshme. Vijnë si rezultat edhe i prishjes se pazareve të trafiqeve të drogës jashtë vendit, ku interesat financiare variojnë nga qindra mijëra euro deri në miliona dhe dhjetëra milionë euro.
Hapja e komunikimeve të grupeve kriminale ka shënuar kthesë të madhe në këtë betejë, cilat janë përparësitë sipas jush?
Hapja e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SKY ECC”, “ENCHROCHAT” dhe së fundmi nga Europol i “MATRIX”, u kanë dhënë prokurorëve përparësi në identifikimin e autorëve të veprave të rënda penale, për të cilat më parë nuk kishte një pistë të saktë të hetimit. Tani, me hapjen e komunikimeve të enkriptura, organi i akuzës orientohet në pistën e saktë të hetimit dhe tek autorët e krimeve, që deri më tani rezultonin të paidentifikuar.
“Sky ECC”, “Enchro Chat” e “MATRIX” së fundmi, dëshmojnë një përdorim të gjerë nga shqiptarët, si shpjegohet mania e bandave për të përdorur kaq shumë aplikacione të tilla?
Grupet kriminale kanë përdorur platforma të enkriptuara të komunikimit “SKY ECC”, “ENCHTOCHAT”, “MATRIX”, me bindjen se kanë qenë të sigurta, duke menduar se komunikimet e tyre janë të pagjurmueshme dhe të pa enkriptueshme. I kanë përdorur edhe për shkak të nevojës për komunikim të anëtarëve të grupeve kriminale, por edhe për shkak të vendndodhjeve të ndryshme të anëtarëve të grupeve kriminale. Ata, pra anëtarët e një grupi, mund të kenë qenë në shtete të ndryshme, madje kontinente të ndryshme si psh., personat e përfshirë në trafikun e kokainës, të cilët ata që e nisnin ndodheshin në Amerikën e Jugut, kryesisht Ekuador, transportuesit e ndërmjetëm në Spanjë dhe pritësit në Belgjikë, Holandë, Gjermani etj…
A mendoni dhe besoni që SPAK i ka mundësitë dhe kapacitetet për ta pastruar Shqipërinë nga krimi i organizuar, sidomos kur në lidhje me ta dalin zyrtarë të lartë nga të gjitha sistemet?
SPAK i ka kapacitet profesionale dhe infrastrukturën njerëzore, hetuesit e BKH, sot 60 të tillë dhe infrastrukturën teknike për ta bërë një gjë të tillë. E ka dëshmuar në hetimin dhe ngritjen e akuzave ndaj shumë individëve dhe grupeve kriminale, të cilët më parë, kur janë hetuar në prokuroritë e juridiksionit të Përgjithshëm qofshin në Tiranë apo në rrethe, ia kanë dalë t’i shmangen ndëshkimit të organeve të drejtësisë. Por edhe në ngritjen e akuzave dhe çuarjen për gjykim të shumë zyrtarëve të lartë, qofshin ish-kryetarë bashkish, ish-ministra apo edhe deputetë. Në rastet kur kemi një “joint-venture”, krim politik, ka qenë dhe është më e vështirë për SPAK. Kjo, për disa faktorë. Eksperienca e mëparshme e sistemit të drejtësisë është se kontrollohej nga politika nëpërmjet KLD-së (Këshillit të Lartë të Drejtësisë) apo inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë. Por, edhe Policia e Shtetit, e cila ka seksionet e saj të Policisë Gjyqësore dhe janë OPGJ-të e komisariateve që kanë kontaktin e parë me ngjarjet kriminale, ishin dhe janë nën ombrellën e ekzekutivit. Por me ndihmën e partnerëve, EUROJUST dhe EUROPOL, oficerëve të FBIsë, të cilët asistojnë SPAK dhe kanë prezencë të përhershme të atashuar aty, i kanë të gjitha mundësitë dhe suportin e duhur për të goditur grupet kriminale që bashkëpunojnë me politikanë. Rasti me i fundit është ai i ish-deputetit Ergys Çyrbja, ku nga traskriptimet e “SKY ECC”, të sjella nga EUROJUST dhe autoritetet franceze, u zbulua aktiviteti i tij i paligjshëm në bashkëpunim me grupe kriminale.
Provat që vijnë nga hapja e aplikacioneve tashmë janë kundërshtuar dhe pritet një vendim i Kushtetueses për të vendosur nëse duhen marrë si provë. A mendoni se mund të ketë ndikime për të vendosur kundër platformave, kur kemi parasysh se prej tyre janë në pranga edhe njerëz të politikës?
Provat që vijnë nga hapja dhe enkriptimi i aplikacioneve “SKY ECC”, “ENCHROCHAT”, së fundmi “MATRIX” e orientojnë drejt SPAK-un, sidomos drejt autorëve të veprave të rënda penale. Ato shërbejnë si bazë në zbardhjen e krimeve. Këtu është e nevojshme të qartësojmë diçka. Asnjë akuzë nuk është ngritur deri më sot, duke paraqitur si provë përgjime telefonike apo aplikacioneve të tjera.
Transkriptet e “SKY ECC” u shërbejnë për zbardhjen e krimeve duke orientuar hetimin në drejtimin e duhur. Transkriptet shoqërohen me prova të tjera. Bisedat e transkriptuara nga aplikacionet janë si një dëshmi e ngjarjeve kriminale. Ato tregojnë konkretisht ngjarje, vendin e kryerjes së tyre, datën, pra kohën kur janë kryer, mënyrën si kanë ndodhur dhe dinamikën e tyre. Psh., X person që komunikon me një bashkëpunëtor të tij, që flet për kryerjen e një vrasjeje, në X ditë, orar të përafërt, vendin ku ka ndodhur krimi, mënyrën se si ka ndodhur krimi, llojin e armës dhe motivin, atëherë këto të gjitha verifikohen nga prokurorët. Nëse përputhet me enkriptimet koha e ngjarjes, personi i ekzekutuar, gëzhojat e gjendura në vendngjarje përputhen me llojin e armës që përmendet në biseda, aktiviteti që kanë kryer palët, psh., trafik apo kapje droge, që kanë çuar autorët me viktimën në konflikt, këqyrja e vendeve, nëse përputhen me përshkrimin në bisedën e enkriptuar, dinamika e ngjarjes, etj., atëherë të gjitha këto, në harmoni me njëra-tjetrën, shërbejnë si prova për prokurorët.
Për sa i përket procesit në Gjykatën Kushtetuese për pavlefshmërinë e enkriptime të “SKY ECC”, me gjithë ndikimin që mund të përpiqet të ushtrojë politika, do të udhëhiqet nga vlerësimi/gjykimi objektiv dhe eksperienca europiane në raste të tilla. GJED që ka juridiksion në vendet e BEsë ka vendosur që enkriptimet e “SKY ECC”, duhet të vlerësohen si provë, nëse janë marrë në përputhje me ligjin procedural të vendit që do ta përdori.
Në rastin tonë janë marrë me letër-porosi, sipas përcaktimeve të K.Pr.Penale. Pasi serveri ndodhej në Francë dhe gjykatat shqiptare nuk kanë juridiksion të sekuestrojnë një server që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, por i kanë marrë nga autoritetet franceze dhe Eurojust me letër-porosi. Gjithashtu nga Gjykata e Brukselit dhoma penale dhe ajo e Milanos, enkriptimet e marra nga “SKY ECC” janë vlerësuar të ligjshme. Në këtë frymë edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk mund të ketë një interpretim ndryshe për të vlerësuar si të paligjshme mënyrën e marrjes së enkriptimve të “SKY ECC”./ Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al