Intervista/ Gjirokastra 19 vite në UNESKO, Ylli Asllani tregon si lindi ideja! Çfarë i tërhoqi studiuesit e UNESKO-s te Gjirokastra

Jul 15, 2024 | 13:29
SHPËRNDAJE

Një nga detajet që i ka tërhequr krahas të tjerash studiuesit e UNESKO-s ka qenë edhe kuturisja e themeluesve të Gjirokastrës për të ndërtuar një mrekulli në një truall, ku nuk ekzistonin kushtet më minimale vendbanimi…!

Ylli Asllani

Apo të ndërtonin banesa multifunksionale që shndërronin në procese jetike të përditshme si ujin e shirave, erën dhe dritën e diellit! Ishte një lloj sfide, që gjirokastritët ia kishin dalë ta krijonin aq me mjeshtri e finesë! Pra, kishte lindur një qytetërim në shpatin e thatë të një mali pa ujë, bimësi dhe aq më tepër, që një bashkësi e tillë vlerash arkitektonike ishte e organizuar aq mjeshtërisht e me shumë guxim në një reliev tepër të përthyer. Ky fakt i pezmatonte adhuruesit e qytetit sa herë që binin në kontakt me historinë e tij… Ylli Asllani, ish-kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, tregon për gazeta “Panorama” si lindi ideja për përfshirjen e Gjirokastrës në listën e pasurive të trashëgimisë kulturore botërore UNESKO, hapat e Bashkisë së drejtuar prej tij dhe reagimin e UNESKO-s deri në vendimin final.

Z.Asllani, kanë kaluar 15 vjet nga dita e përfshirjes së Gjirokastrës në listën e pasurive të trashëgimisë kulturore botërore UNESKO! Si lindi ideja?

Gjirokastritët kanë qenë përherë të vetëdijshëm për bukurinë e trishtë dhe vlerat arkitektonike të vendlindjes, ashtu edhe për adhurimin dhe dashamirësinë e të tjerëve ndaj magjisë së saj! Pas shpalljes së qytetit muze në vitin 1961, ata janë mikluar gradualisht nga ideja e përfshirjes së qytetit në pasurinë kulturore botërore UNESKO, si hapi më i rëndësishëm i vlerësimit të vlerave arkitektonike të vendlindjes së tyre! Në ato momente, unë besoja se për të udhëhequr një komunitet duhet një lejtmotiv kryesor! Një objektiv konvergues, i cili do të përfshinte energjitë dhe do të integronte të gjitha projektet e tjera të qytetit.

Në rastin e Gjirokastrës, kush më mirë se beteja për UNESKO-n do ta kryente këtë rol! Fillimisht dëshira e qytetit për listën e UNESKO-s u mendua si certifikim i kësaj hijeshie monumentale… Por në vitin ‘97-të u konsiderua si një kambanë alarmi për të sensibilizuar rrënimin e vlerave të saj monumentale dhe së fundmi u konceptua si një mundësi zhvillimi në projektin e një turizmi kulturor. Sidoqoftë, edhe pse gjirokastritët e ëndërronin këtë shans, kurrkush nuk e kish kërkuar zyrtarisht një gjë të tillë, të paktën deri në çastet kur unë u zgjodha kryetar bashkie. Dëshira për UNESKO doli më në pah në demokraci, pasi diktatura nuk ka qenë e prirur dhe e tunduar shumë prej këtij vlerësimi nga bota kulturore e konsideruar “borgjeze”…

Fati monumenteve gjatë monizmit, sikurse vetë metamorfoza e diktaturës kishte njohur promovimin, lulëzimin, por edhe degradimin e rënien e tyre. Demokracia në Shqipëri erdhi e brishtë dhe investimi në monumente dukej për momentin luks i tepërt përpara varfërisë së tejskajshme të trashëguar. Në këtë mënyrë, shumë vlera të trashëgimisë sonë kulturore u gjenden para rrezikut të asgjësimit. Situata u keqësua akoma më tepër në krizën e vitit 1997. Gjirokastra përjetoi dëmtime e shkatërrime të mëdha krahas të tjerash dhe në monumente. Anarkia i zuri vendin shtetit ligjor. Askush nuk e kish mendjen tek monumentet. Kështu, për të dalë nga kjo situatë, veç përpjekjeve vendore e shtetërore u pa e nevojshme se duhej një solidaritet ndërkombëtar. Vizitën e parë më 1996, në zyrën time si kryebashkiak e kishin kryer arkitekti Bernard Buzu dhe një tjetër personalitet i UNESKO-s. Të dy adhurues dhe miq të Gjirokastrës! Ndaj në rrokopujën e kohës, UNESKO ishte i pari institucion që më erdhi ndërmend, edhe pse na duhej të udhëtonim në një terren të panjohur… Në ndihmë na erdhi Ministria Franceze e Kulturës. “La maison de culture du monde”. Miqtë francezë enkas më siguruan një muaj trajnim 1-mujor për gjestimin e trashëgimisë në Francë, të cilin do të mund ta shfrytëzonim për të trokitur në dyert hijerënda të UNESKO-s.

Në fillim të vitit 1998 hartuam një plan me miqtë e mi, Paskal Hamon të shoqatës Francë – Shqipëri dhe atasheun kulturor të Ambasadës së Francës z. Michel Tarran: Ideja ishte që përtej formalizmave burokratikë të synonim dorëzimin e dosjes së Gjirokastrës direkt në zyrat e UNESKO-s, nëpërmjet një konference sensibilizuese në Paris, para një auditori me të gjithë ambasadorët evropianë të akredituar ne UNESKO. Kjo ishte dhe zgjidhja me origjinale, por edhe me efikase e me vlerë. Me këtë plan në dorë, tetorin e vitit 1998 udhëtova posaçërisht drejt Parisit për të dorëzuar kërkesën për përfshirjen e qytetit në gjirin e UNESKO-s.

Konferenca u zhvillua në pallatin e Burbonëve, pranë Parlamentit francez. Më tepër se një medalje për bukuritë e humbura, në fakt kërkesa jonë modeste ishte një sinjal alarmi për frenimin e shkatërrimeve të vlerave monumentale të qytetit. Jo pa qëllim dosjen e dorëzuar pranë autoriteteve të UNESKO-s e quajtëm “Gjirokastra Sos”. Në atë konferencë më vete kisha një dosje të kompletuar nga bashkëpunëtorët e mi, inxhinierët e talentuar të bashkisë, Arben Lenja, Pilo Koçi e Njazi Çobani si dhe nga specialistet e mirënjohur të monumenteve të kulturës Emin Riza, Eli Buka, Latif Lazimi e Jorgo Xuhano. Në konferencë u kujdesëm që krahas shefit të UNESCO-s, Fredriko Major dhe trupit diplomatik të merrte pjesë gjirokastriti më i famshëm, z. Ismail Kadare, ambasadori ynë në UNESKO, z. Jusuf Vrioni si dhe shumë dashamirës të Gjirokastrës në Paris. Nga debati konstatova se qyteti ynë dhe sidomos banesa gjirokastrite ishte mjaft e dashur për të gjithë të pranishmit. Ndërkohë, Kadareja ishte idhull letrar i pothuajse të gjithë të pranishmeve dhe kishte padyshim një ndikim te padiskutueshëm. Në përfundim të Konferencës, z. Frederiko Major, Drejtor i përgjithshëm i UNESKO-s pasi vlerësoi shqetësimin, më njohu me bashkëpunëtorët e tij dhe theksoi hapat e mëtejshme që duhet të bënim, si dhe na siguroi për angazhimin e tij në ndjekje të problemit… Kështu, në kthim, krahas vlerësimeve e solidaritetin për qytetin, kishim me vete edhe paketën e plotë teknike që duhet të plotësonim, lobingjet e mundshme, si dhe hartën e rrugës sonë të re që duhej të përshkonim. Na duhej pas kësaj të ndiqnim skenarin e rekomanduar tyre.

Sa kohë u desh deri në pranimin përfundimtar?

Paraprakisht do të theksoja se përpjekja jonë nuk ishte thjesht një retorikë apo një lutje e emocionale, por një marrje përgjegjësie dhe detyrash të vështira. Në tetor 1998, udhëtimi drejt UNESKO-s sapo kishte nisur dhe rruga ishte e gjatë. Do të duheshin edhe 5 vjet të tjera përpjekje në arritjen e qëllimit. Deri në vitin 2001, përpjekjet e bashkisë ishin të vetme dhe realizuan gjithë kërkesat që i takonin si qytet përfitues. Projekti dhe dosja e parë e aplikimit zyrtar u përpunua në periudhën 1998–2000 nga Bashkia e Gjirokastrës. Duhet theksuar se UNESKO nuk mund të trajtonte kandidatë pa disa kushte paraprake. Së pari, qyteti duhet të kishte një plan menaxhimi urban dhe planifikim territori, i cili duhej harmonizuar me idenë dhe rregulloren e ruajtjes së vlerave të trashëguara. Së dyti, duhej rekomandim zyrtar nga site monumentale të përfshira në listën UNESKO. Së treti, duheshin gjetur dhe kontraktuar specialistë ndërkombëtarë të certifikuar nga UNESKO, të gatshëm për të dhënë asistencë teknike për Gjirokastrën.

Të tri këto kushte ne i plotësuam brenda 2 vjetëve me ndihmën e miqve të qytetit, të cilët nuk mungonin edhe në sferat më të larta të vetë UNESKO-s. Këtu gjej rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe rekomandimin që dhanë Ministria Franceze e Kulturës, ICOMOS-i italian dhe grek, Bashkia Materës në Itali, Bashkia Athinë me kryetar Dhimitër Avramopullin, Universiteti Peskarës, studio ‘Fabricio Toressi’, fondacioni ‘Pakard’ si dhe në veçanti Rajoni Markeve dhe mikun tim të dashur, kryetarin Massimo Rosi, të cilët realizuan studimin sizmologjik, hartimin e planit të menaxhimit të zonës historike dhe pasaportizimin e të gjitha monumenteve kategorisë së parë e të dytë… Largimi i stafit të parë të bashkisë pas vitit 2001 do ta vështirësonte perspektivën. Qeveria dhe posaçerisht ambasada jonë në UNESKO ende nuk ishte involvuar institucionalisht. Duhej patjetër që dikush të vazhdonte zyrtarisht partneritetin… Ishte fat, që në vitin 2001 në UNESKO fillon misionin si ambasadore zj.Tatjana Gjonaj. Ajo do t’i jepte impulse dhe dinamizëm projektit, si dhe do të realizonte me mjeshtëri një diplomaci efikase deri në arritjen e objektivit final! Presidenti Meidani dhe Kryeministri i kohës, Meta, pas kësaj do të vizitonin selinë e UNESKO-s dhe do t’i jepnin një rritëm të ri kauzës gjirokastrite. Vendimin përfundimtar për shpalljen e qytetit muze të Gjirokastrës, Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore, e mori Komiteti i Trashëgimisë Botërore i mbledhur në sesionin e 29 të tij në Durban të Afrikës së Jugut, nga data 10-17 korrik 2005.

Cili ishte reagimi UNESKO-s pas këtyre hapave nga Bashkia e Gjirokastrës?

Sinjali shumëpritur i pranimit erdhi prej drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, japonezit Koichiro Matssura, i cili viziton Gjirokastrën edhe me nxitjen e Kadaresë. Në shtator të vitit 2001 drejtuesi UNESKO-s deklaroi se Gjirokastra e meritonte të hynte në Listën e Pasurive Botërore. Këto hapa do të zgjonin interesin tashmë edhe të qeverisë shqiptare të kohës, duke u përfshirë diplomatikisht, nëpërmjet iniciativës efikase të ambasadores tonë në UNESKO, zj. Tatjana Gjonaj. Në vitin 2003 dosja e Gjirokastrës do të kërkohej të elaburohej më tej nga ekspertët e UNESKOs, drejtuar nga prof. Emin Riza si dhe ekspertë të licencuar ndërkombëtarë. Maj 2004, vizitojnë Gjirokastrën 5 ekspertë të UNESCOs, të cilët verifikojnë nga afër problematikën e ruajtjes së monumenteve në Gjirokastër. Në këtë delegacion bënin pjesë ish-drejtori i UNESCO-s për Evropën Juglindore, Horst Godicke, arkeologu francez Prof. Pierre Cabanes, Sekretari i Përgjithshëm Ndërkombëtar i ICOMOS kanadezi Dinu Bumbaru, bizantologu italian Gianclaudio Maçhiarella dhe përfaqësuesi i zyrës së UNESCO-s në Venecia, kroati Damir Dijakoviç. 15 Korrik 2005 erdhi vendimi final i pranimit pas një lobimi impresionues, në veçanti të ambasadores sonë në UNESKO zj. Tatjana Gjonaj.

– Të rikthehemi tek ideja e fillimit të përfshirje së Gjirokastrës. Cili ishte qëllimi dhe cilat ishin përfitimet e qytetit nga kjo pjesëmarrje në listën e pasurisë botërore?

Momenti i formulimit të kërkesës sonë nuk ishte shumë frymëzues, pasi kishte disa vite që SHBA-të ishin tërhequr nga donacionet e tyre (rreth 64% e buxhetit)… Këtë fakt ma tha me keqardhje një nga miqtë e mi francezë dhe me këtë sikur donte të maste vendosmërinë tonë…

Por qëllimi ynë në përfshirjen në UNESKO nuk kishte të bënte thjesht në ndihmat monetare. Ai synonte në tri drejtime: Së pari, hyrja në të këtë listë do të sillte vëmendje, përkujdesje më të madhe ndaj trashëgimisë sonë dhe si rrjedhojë edhe frenim të shkatërrimeve dhe rritjen e investimeve në monumente. Së dyti, një emblemë e UNESKOS në portën e qytetit do të ishte ftesa me efikase e thithjes se donatoreve dhe turizmit ndërkombëtar. Së treti, mbikëqyrja nga UNESKO e restaurimeve, apo çdo projekti dhe studimi në qytet. Ishte i shumë i rëndësishëm për ne. Koha vërtetoi se benefitet ishin të paimagjinueshme. Në fushën e turizmit në këto 19 vjet ka pasur një rritje galopante. Nga 10 mijë turistë në vit, numri tyre ka shkuar në 350 mije, me tendencë rritje. (Pa marrë parasysh këtë vit …)

Numri i hoteleve është rritur nga 5 hotele në gjendje jo të mirë, në mbi 20 hotele të shkëlqyer dhe përshtatjen e qindra Gest House ne gjithë qytetin. Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar në banesat karakteristike… Gjithashtu është rritur ndjeshëm vëmendja e donatorëve. Banka Botërore, Fondi Shqiptaro Amerikan, Dojce Bank dhe shumë agjenci po investojnë miliona dollar në monumente, infrastrukturën dhe shërbimet publike të qytetit. Nëpërmjet fondeve të tyre u restaurua Pazari Gjirokastrës, Kështjella, Rrjeti inxhinierik i ujësjellësit e kanalizimeve, ndriçimi monumental, sinjalistika, Parkingu nëntokësor në sheshin e “Çerçizit” etj… Nga një qytet shpresëprerë, Gjirokastra ka kapur fillin e një zhvillimi të ri me qendër turizmin kulturor. Natyrisht një destinacion turistik si Gjirokastra është i rëndësishëm për gjithë rajonin dhe ciklet e tij turistik. Gjirokastra tashmë i jep jetë dy cikleve turistikë të rëndësishëm. I pari: Gjirokastër-Sarandë-Korfuz-Janinë dhe së dyti, Sarandë-Butrint-Gjirokastër-Vlorë-Berat. Pa përmendur ciklin turistik kombëtar.

Pse Gjirokastra meritonte të regjistrohej në listën e trashëgimisë botërore?

Arsyet e përfshirjes së Gjirokastrës në UNESKO ishin të shumta. Arma më e fortë ishte vlerësimi që kishin specialistët ndërkombëtarë për banesën karakteristike gjirokastrite. Ajo konsiderohej e pakrahasueshme dhe një shembull unikal në gjithë hapësirën evropiane. Dua të theksoj se një nga detaj që i ka tërhequr studiuesit e UNESKO-s ka qenë dhe kuturisja e themeluesve Gjirokastrës për të ndërtuar një qytet në një truall, ku nuk ekzistonin kushte normale vendbanimi…! Ishte një lloj sfide, që gjirokastritët ia kishin dalë ta krijonin aq me mjeshtri e finesë! Pra, kishte lindur një qytetërim në shpatin e thatë të një mali pa ujë, bimësi dhe aq më tepër që një bashkësi e tillë vlerash arkitektonike ishte e organizuar aq mjeshtërisht e me shumë guxim në një reliev tepër të përthyer. Ky fakt i pezmatonte adhuruesit e qytetit sa herë që binin në kontakt me historinë e tij. Problemi i vetëm që i shqetësonte adhuruesit të qytetit ishte tek lashtësia, pasi UNESKO fokusohej më tepër në qytetet e lashtë antik…

Për këtë ne u ofruam shumë fakte e argumente që Gjirokastra përveç vlerave mesjetare, mbarte dhe histori të lashtë. Duke filluar me zanafillën e saj 3-4 shekuj p.e.s. Vetë specialistët e UNESKO-s konstatuan se Qendra Historike konsiderohet një banim ende i pazbuluar plotësisht… Themelet dhe disa mure mbajtës të Kalas, si dhe shumë artifakte flisnin për vendbanim me të njëjtën moshë me qytetin Antigonesë së Piros së Epirit. Katakombet e pazarit ishin tepër mbresëlënëse dhe përmbajnë ende gjurmët e një qendre më të lashtë se mesjeta. Ndërkohë për të treguar lashtësinë bizantine të qytetit, i cituam pohimin e vetë kronikanit turk Evlia Celebi në shek. 15-të… Ai shkruante atëherë se, “Kemi mbërritur në një qytet të çuditshëm me shtëpi, oborri i të cilave rrethohet me mure të mëdha, të cilët janë ndërtuar nga të pafetë shumë kohë para ardhjes së turqve në Ballkan…”. Megjithatë, përkundrejt fakteve të sipërpërmendur UNESKO-ja e u përqendrua më shumë tek mjeshtëria arkitektonike e banesa karakteristike dhe e vlerësoi Gjirokastrën, si një shembull të rrallë të qytetit të mirëmbajtur otoman, që ruan vlera unikale arkitekturore dhe muzeale për kulturën shqiptare, atë europiane dhe më gjerë…

Gjirokastra dhe Berati, cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy qyteteve?

Në fakt, arsye e ngjashmërisë së dy qyteteve ishte argumenti që u përdor përfshirjen edhe të Beratit në listën e UNESKO-s. Së pari, të dy qytetet e kanë zanafillën në konceptin e krijimit të Qyteteve–Kështjellë. Ngjashmëria tjetër konsistonte tek stili arkitektonik i ndërtimit, pamjet e fasadave të banesave, përdorimi i gurit dhe drurit si materiale bazë ndërtimi, mënyra e kultura e njëjtë e jetesës në këto objekte muzeore dhe shumë anë të tjera konstruktive. Dallimi kryesor midis dy qyteteve është se Berati ka vetëm dy lagje me vlera muzeore, kurse trashëgimia në Gjirokastër përfshin pothuaj gjithë lagjet. Gjirokastra ndryshe nga Berati është qytet unicentrik mjaft i organizuar nga ana urbane. Pazari Gjirokastrës është unikal dhe poshtë tij ekzistojnë katakombe si askund tjetër. Kurse ndërtimet në Berat janë uniformë në formë blloqesh dhe të vendosura poshtë kalasë jo sipas një qendre. Duhet përmendur se Kalaja e Beratit është më e lashtë se e Gjirokastrës dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë përherë e banuar. Dallimi tjetër është tek forma, funksioni dhe madhësia e banesave. Banesa gjirokastrite është tip kështjellë, e rrethuar me mure të lartë, me oborre dhe bahçe, si dhe vendbanimi për shërbyesit. Ndërsa banesa beratase vjen më e thjeshtë, fine dhe pa shumë hapësira ndihmëse.

A keni punuar me qytetin e Beratit për të arritur në UNESCO?

Jam involvuar indirekt si detyrim shtetëror, por edhe i bindur për vlerat e mëdha të trashëgimisë monumentale të Beratit. Në atë kohë kam qenë këshilltar i kryeministrit për qeverisjen lokale dhe trashëgiminë rajonale. Vazhdoja të mbaja lidhje me ambasadoren tonë në UNESKO Tatjana Gjonaj, një gjirokastrite tepër me intuite dhe aktive, e cila zhvilloi një fushatë të paparë në dobi të Beratit. Kryeministri Berisha kishte gjithë kulturën dhe vëmendjen e nevojshme për involvimin e siteve shqiptarë në pasurinë e njerëzimit. Ministria e Kulturës dhe Instituti Monumenteve ishte fokusuar po aty. Pas Gjirokastrës dhe isopolifonisë, synimi i qeverisë në vitet 2006-2008 ishte përfshirja edhe e Beratit në listën e pasurisë botërore. Instituti Monumenteve drejtuar nga z. Apolon Baçe e z. Lorenc Bejko dhe sidomos ministrat e Kulturës, z. Bujar Leskaj dhe z. Ylli Pango ishin fokusuar intensivisht dhe kishin plotësuar argumentet teknike e kulturorë të Beratit. Kështu, në shkurt të vitit 2006 dosja e Beratit u nis nga ministria drejt betejës në UNESKO për t’u finalizuar me sukses në verën e vitit 2008! Po kështu, Prefektura dhe Bashkia po bënin goxha sensibilizim dhe diplomatik. Prefekti Bejko dhe kryebashkiaku Nasufi, si dhe stafet e tyre kishin tashmë gati një dosje të kompletuar me specialistët më të mirë për të gjitha obligimet e bashkisë dhe rajonit. Për UNESKON, klima e bashkëpunimi dhe detyrat e autoriteteve vendore ishin prioritare në realizimin e objektivave të tyre. Por, problemi për pranimin e Beratit ishte se Komiteti vendimmarrës i UNESCO-s nuk pranonte qytet tjetër nga Shqipëria në harkun e kaq pak kohe. Në këtë pikë ata ishin të prerë! Pikërisht, kur shpresat u venitën, erdhi në ndihmë ngjashmëria mes dy qyteteve dhe diplomacia kulturore. Në këtë mënyrë nga dashamirësit tanë në UNESKO, nëpërmjet ambasadores Gjonaj na u sugjerua që kërkesa për Beratin të formulohej në trajtë patronazhimi tek i njëjti sitë me Gjirokastrën.

Kështu u desh që Instituti Monumenteve dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve të nënshkruanin një akt mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe partneriteti. Do të vlerësoja këtu dashamirësinë dhe gatishmërinë e Gjirokastrës…! Mbi këtë bazë u formulua edhe kërkesa dhe në datën 8 korrik të vitit 2008 në konferencën e radhës, të mbajtur në Kanada u krye regjistrimi i Beratit në listën e UNESKO-s.

– UNESKO i regjistroi të dy qytetet si të njëjtin site. A jeni ju personalisht dakord me këtë vendim?

Natyrisht! Lajmi që UNESKO do të pranonte edhe Beratin si pjesë e trashëgimisë Botërore të kulturës na entuziazmoi, pavarësisht se ishte në sitin e Gjirokastrës. Kjo do të ishte një arritje e madhe për trashëgiminë tonë monumentale! Nuk duhet ta humbnim këtë shans për meskinitete pa kuptim. Madje, në formë demonstrative në këtë situatë Bashkitë dhe Prefekturat e dy qyteteve organizuan shumë aktivitete të përbashkëta sensibilizuese dhe solidarizuese, krahas marrëveshjes së mirëkuptimit të kërkuar nga UNESKO. Nga ana tjetër, personalisht ndjeja edhe një obligim më shumë… Pasi kur po prezantoja Dosjen e Gjirokastrës, taktikisht nuk doja të përmendej Berati sepse dihej që UNESKO pranonte vetëm një sitë… I thosha me humor Kadaresë, duhet ta porositim edhe z. Vrioni të mos ngatërrohet në fjalën e tij dhe fillon të flasë për Beratin, qytetin e tij të lindjes… Gjë e cila sikurse u pa, ishte e pamundur për ambasadorin e nderuar!

A ka një garë midis dy qyteteve në ditët e sotme në lidhje me turizmin?

Nuk mendoj se ka arsye për konkurrencë të dëmshme, përkundrazi dy qytetet plotësojnë dhe kanë shumë nevojë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Gjirokastra dhe Berati janë destinacione të veçanta, por edhe pjesë e cikleve të njëjtë turistike. Arritjet e secilës janë një bazë e mirë për shkëmbimin e eksperiencave, rritjen e bashkëpunimit dhe nxitjen e konkurrencës së pastër.

Nëse Gjirokastra nuk do të regjistrohej në sitin e trashëgimisë botërore, si do të dukej qyteti tani (në lidhje me zhvillimin, ekonominë, turizmin …

Përfshirja në UNESKO i ofroi mundësinë e një zhvillimi të ri e të qëndrueshëm, në bazë të të cilit do të ishte industria e turizmit. Tashmë qyteti nuk është i vetëm në përpjekjet e tij për mbijetesë. Prezenca në UNESKO nëse përdoret me racionalitet do të jetë një garanci për një zhvillim afatgjatë. Faktori UNESKO-s e ka shndërruar atë në një treg kulturor të kërkuar dhe po e bën edhe më tepër tërheqës për donatorët dhe investitorët. Mendoj se nëpërmjet turizmit duhet të marrin jetë edhe shumë degë të ekonomisë si agrobiznesi, manifaktura, nënproduktet blegtorale dhe gjithë infrastruktura në përgjithësi. Gjirokastra është një qytet që u ka mbijetuar kohërave. Por duhet theksuar se shumë nga arsyet, të cilat atë e kanë shndërruar dikur në kryeqendër të jugut të Shqipërisë po zveniten dita-ditës. Në harkun e një dekade prej saj janë larguar të gjithë institucionet rajonale, si gjykata, arshiva e shumë drejtori të tjera… Shumë degë të ekonomisë, zejeve tradicionale, bujqësisë, artizanatit janë lenë pas dore… Universiteti dhe Spitali po atrofizohen! Kështu e ardhmja duket e turbullt dhe jo shume optimiste. Prandaj duhen alternativa energjike përkrah ndihmës që po i jep turizmi kulturor dhe ai i monumenteve! Pavarësisht vështirësive të momentit, Gjirokastra do të jetë e aftë t’u sigurojë brezave të ardhshëm mbijetesën dhe do të nxisë dëshirën për ta vizituar dhe jetuar në këtë qytet. Mendoj se edhe në të ardhmen do të mund të ekzistoje dhe t’u rezistojë rrebesheve të fatit!

Ndonjë detaj nga 8 Korriku i vitit 2005…!

Ditën e përfshirjes së Gjirokastrës më telefonoi ambasadorja Gjonaj. E emocionuar më dha lajmin dhe tregonte çdo detaj të shpalljes nga UNESKO të fituesve. Atë ditë krahas pranimit të Gjirokastrës u përfshinë në Pasurinë kulturore të njerëzimit edhe 32 këmbanoret e famshme të Flandrës nga Belgjika… E bukura ishte se kur u përmend emri Gjirokastrës, entuziazmi i gjithë pjesëmarrësve ishte shpërthyes e plot brohoritje… Kolegu belg, i cili nuk e provoi këtë simpati, i çuditur i thotë ambasadores sonë, se nuk e kisha kuptuar më parë se qyteti juaj ka pasur kaq shumë fansa! Gjirokastra ka shumë adhurues në gjithë botën! Duhet vetëm të dish t’i ftosh! Jam i bindur që ata do të rikthehen përherë e më shumë për ta vizituar qytetin e bukurisë së përjetshme!

…Dhe për ta mbyllur!

Në vitin 2006 do të rikthehesha sërish në Paris. Këtë radhë për të takuar drejtorin përgjithshëm të UNESKO-s, japonezin Koichiro Matssura. Ai që në vitin, 2001 na premtoi hyrjen në UNESKO dhe që në vitin 8 korrik 2005 e bëri fakt! I kisha kërkuar kryeministrit Berisha 500 mijë dollarë për Gjirokastrën si angazhim dhe përkujdesje e qeverisë shqiptare ndaj vendimit të UNESKO-s. Së dyti, i sugjerova që këtë shumë t’ia kalonim UNESKO-s për ta aplikuar, si shenjë falënderimi në radhë të parë, por dhe si kontributi i partneri vendës në projekte të ardhshme dhe së treti, t’i kërkonim UNESKO-s që brenda saj të ofronte ekspertizën e saj të lartë në rehabilitimin e disa banesave të shquara si Angonatë, Kadare, Kabilatë etj. Ashtu sikurse edhe ndodhi në vitet që pasuan. Berisha me shumë dashamirësi, këtë shumë e rriti në 1.3 milionë dollarë dhe në këtë mënyrë unë së bashku me kolegun Pteraq Milo, që mbulonte financat publike u nisëm dhe takuam z. Matssura. Një takim i papërsëritshëm! Gjesti ynë u mirëprit dhe ishte sinjal i një mirëkuptimi të më vonshëm për Beratin e më tej! Përfshirja në listën e pasurisë kulturore botërore ishte një arritje e madhe për qytetin e gurtë! Por dihet se suksesi nuk është asnjëherë përfundimtar, ndaj duhet punuar çdo ditë ndaj sfidave të reja…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura