ANILA DEDAJ/ Pashkët ortodokse këtë të shtunë që lamë pas, ai i kremtoi si asnjëherë më parë, larg Katedrales Ortodokse e mbi të gjitha me mungesën fizike të njerëzve të dashur përqark tavolinës.
Mirëpo, jeta vazhdon, pavarësisht rrethanave të reja të imponuara nga COVID-19, e Piro Milkani, së bashku me bashkëshorten e tij, pianisten Margarita Kristidhi, gjejnë mënyrën për të shprehur urimet. Me fëmijët, nipërit e mbesat, përplasën gotat përmes “Skype”-t me shpresën se kjo periudhë e vështirë do të mbarojë sa më shpejt e njerëzit do t’i rikthehen normalitetit.
Për “Panoramën”, kineasti rrëfen bisedat telefonike me miqtë, leximet, filmat, si dhe kujtimet e hershme në ditët e izolimit. Si ato të viteve të largëta të fëmijërisë, kur e ëma do t’i tregonte se si gjyshi i tij humbi jetën nga gripi spanjoll, duke e lënë në moshë të njomë. Milkani tregon se bashkë me të, do të zbulonte Vithkuqin e vjetër, por edhe se si ky fshat është braktisur në vitet ‘700 nën kërcënimin e kolerës.
Megjithatë, pavarësisht se sëmundjet infektive kanë lënë shenja të thella në historikun e njerëzimit e atë të Shqipërisë, Milkani është optimist se tanimë që shkenca ka avancuar, zgjidhja do të jetë më e lehtë, edhe pse, asnjëherë s’duhet ulur vëmendja e kujdesi. Kineasti shpreson se e gjithë kjo ngjarje do t’i shërbejë njerëzimit edhe për të reflektuar ndaj dëmeve që i janë bërë natyrës, si dhe për të rikthyer besimin se dashuria njerëzore do të prevalojë mbi etjen për pushtet e para.
Zoti Milkani, afro gjashtë javë në izolim prej pandemisë së COVID-19, si ka qenë kjo periudhë për ju?
Këtë të shtunë, pas pothuajse 6 javësh izolimi prej COVID-19, dola për herë të parë. Të tregohem i sinqertë, m’u duk vetja si të kisha bërë ndonjë shkelje e për këtë më kishin futur në burg, por sigurisht që ndjeva kënaqësi nga kjo liri e munguar, për shkak të kësaj pandemie. Natyrisht që kjo është një karantinë vullnetare, e imponuar edhe si pasojë e specifikës të veçantë që ka ky lloj virusi i rrezikshëm, sidomos për moshat e mëdha, siç po e tregon edhe koha. Megjithatë, unë e kam kaluar me shumë qetësi e vetëpërmbajtje. Këtë periudhë madje janë shtuar kontaktet mes njerëzve e u jam rikthyer historive të hershme, deri te kujtimet fëmijërisë sime.
Ndiheni të frikësuar nga kjo situatë?
Vetë fjala pandemi vjen nga greqishtja, pan-demos, që do të thotë se i përket të gjithë popullit. Një fenomen që ka ekzistuar që në lashtësi, e sidomos atëherë për shkak të zhvillimit të paktë të shkencës dhe të mjekësisë, të mungesës së higjienës. Mungesa e higjienës bëri që në Mesjetë, sëmundjet infektive si kolera apo tifoja të shkaktonin dëme shumë të mëdha njerëzore në Europë. Pandemia që mbahet më tepër mend, është ajo e gripit spanjoll, afro një shekull më parë. Europa sapo kishte dalë e shkatërruar nga Lufta e Parë Botërore, kur kjo sëmundje u përhap në të gjithë botën dhe sipas të dhënave shkaktoi më shumë të vdekur sesa vetë Lufta. Humbjet njerëzore shkuan rreth në 50 milionë.
Sigurisht, që ne tani jemi në kohë moderne, gati 100 vjet pas gripit spanjoll dhe mjekësia, shkenca, teknologjia etj., kanë avancuar dhe janë me dhjetëra institucione që po përpiqen të gjejnë ilaçin apo vaksinën e duhur për këtë pandemi. Kjo s’do të thotë që duhet marrë me lehtësi, sepse është e qartë se është një sëmundje e përmasave të jashtëzakonshme, e padukshme dhe e pabesë, që nuk dihet sa do të zgjasë. Ne jemi në karantinë, nga vetë fjala veneciane, kjo do të thotë 40 ditë, por izolimi mund të zgjasë, dhe ndoshta, specialistët mund të na thonë të kalojmë edhe një tjetër karantinë, dhe ne duhet të qëndrojmë e të respektojmë rregullat me durim e besim.
Gripi spanjoll që ju përmendët, edhe pse të dhënat janë të pakta, ka prekur edhe vendin tonë. Një histori ndaj së cilës ju jeni më i ndjeshëm, edhe për shkak se keni humbur një të afërm…
Është e vërtetë, gripi spanjoll preku shqiptarë në Amerikë, edhe gjetkë, por edhe shqiptarë brenda kufijve. Mes tyre, ka qenë edhe gjyshi im, i cili u nda nga jeta rreth vitit 1919. Pas kësaj ngjarje, nëna ime, që kishte lindur në Vithkuq, u zhvendos së bashku me gjyshen e me pjesëtarë të tjerë të familjes në Drenovë. Unë kam qenë rreth 12 vjeç, në vitin 1950, kur ime më më çoi në Vithkuq, ku edhe mësova për gripin spanjoll dhe shkaqet e vdekjes së gjyshit. Aty, ime më, së bashku me disa banorë të zonës, më treguan një fshat të braktisur në një luginë të thellë me disa shtëpi të vjetra. Bëhej fjalë për Vithkuqin e Vjetër. Në vitin 1700, në Vithkuq, si në shumë vende të Ballkanit e më gjerë në Europë, ra kolera e si pasojë pati vdekje masive. Ata që qenë më të zotë për të shpëtuar prej kësaj sëmundje vdekjeprurëse, braktisën çdo gjë dhe u zhvendosën disa kilometra më lart. Kështu u ndërtua fshati i ri, ndërsa Vithkuqi i Vjetër ekziston edhe sot e kësaj dite 5-6 km poshtë një lugine. Sot, kush ka vizituar Europën Qendrore, së paku prej asaj që unë kujtoj nga Çekia, në shumë qytete të vogla, nëpër sheshe ka disa komplekse skulpturore monumentale që kujtojnë kolerën mesjetare që ka bërë kërdinë në Europë.
Këtë të shtunë që lamë pas shënuan edhe Pashkët Ortodokse, ju i përkisni këtij besimi, si ishte të festonit në këto rrethana kaq të pazakonta?
Si një pjesë e popullsisë shqiptare, që i përkasin besimit ortodoks, unë dhe gruaja ime në këtë ditë, në orën 12:00 jemi në katedrale, ku përjetojmë rënien e kambanave, ringjalljen e Krishtit, e më pas, largohemi në shtëpi duke marrë me vete qiriun, që simbolizon dritën e Zotit, të jetës që do të vazhdojë të jetë mes nesh. Sigurisht që kësaj here ishte ndryshe. Çdo vit ne mblidhemi me njerëzit e dashur në shtëpinë tonë, bënim një festë dhe thyenim vezët së bashku, shijonim një krem çokollatë. Ndërsa kësaj here, vezët i thyem me bashkëshorten, e urimet me fëmijët e nipër e mbesa i bëmë përmes “Skype”-t. I përplasëm gotat për së largu, me urimin që Pashkët e ardhshme të jenë më të gëzueshme se ky vit, për shëndetin e atyre që duam, e sigurisht që kësaj pandemie t’i vijë fundi sa më shpejt e t’i rikthehemi jetës normale.
Thatë se gjatë kësaj periudhe kontaktet kanë qenë të shumta, edhe me kolegët. Si jeni përshtatur në këtë kontekst me situatën, komunitet në distancë…
Natyrisht, ne tani e mbyllim bisedën me fjalën mirë u dëgjofshim, jo mirupafshim, sepse bisedat janë vetëm telefonike. Kjo është një periudhë e vështirë, që vjen pas tërmeteve, mirëpo duhet kaluar me gjakftohtësi, duke u angazhuar edhe me lexim librash, televizion, shkëmbime bisedash, Disa prej shokëve të mi, po më tregonin se po lexonin “Krim e Ndëshkim” të Dostojevskit. Unë për këto ditë të zymta do sugjeroja tituj disi më të gëzuar, si “Ushtari i mirë Shvejk”, apo “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Pra, libra që do të ndikonin të ndryshonin për mirë gjendjen shpirtërore, duke u larguar disi nga mërzia e për të ruajtur frymën optimiste, se kjo është një e keqe që do t’i vijë fundi, patjetër.
Si ju duken masat që janë marrë deri më tani?
Unë jam i kënaqur me masat që po merren. E shijova faktin që këtë të shtunë dolëm, pas afro 6 javësh izolim. Të dielën doli nusja jonë me mbesën dhe gradualisht çdo gjë do lirohet, duke iu përmbajtur rregullave. Të dhënat, duke iu referuar edhe lajmeve, flasin për një përmirësim të mundshëm, por duhen ndjekur me rigorozitet porositë e mjekëve. Duhet pasur kujdes, duhen shmangur kontaktet fizike, duhet ruajtur në maksimum higjiena, derisa e gjitha të mbarojë.
Nga pikëpamja ambientale, makinat janë pakësuar, po ashtu edhe shumë aktivitete janë pezulluar, si ju është dukur Tirana këto ditë?
Nga ky këndvështrim, prej dy javësh, Tiranën e shikoj të pastër. Natyrisht, jeta do të rifillojë dhe fatkeqësisht automjetet do rëndojnë pastërtinë e ajrit, por duhet gjetur një rrugë e mesme. Diçka që të shmangë dëmtimin e natyrës në këtë masë që e kemi dëmtuar. Le të shërbejë kjo edhe si një mënyrë për të reflektuar për ato pyje që shkatërruam e dogjëm, lumenjtë që gërryem. Sepse, pasojat rëndohen edhe të gjitha këto. Shpresoj që pas kësaj Pandemie, njerëzit të reflektojnë, pse jo siç ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore kur kokat e mëdha u mblodhën për të mos pasur më luftë, edhe kësaj here njerëzimi shpresoj t’i thërrasë mendjes për dëmet që po i bëjmë natyrës. Në këtë periudhë, kemi parë se natyra po rigjen vetveten, lumi Po në Itali po rimerr ngjyrën blu, Danubi i turbullt prej vitesh, prej kimikeve të fabrikave, është më i kthjellët, ndotja atmosferike është ulur, ndaj le të mendojmë rreth kësaj. Le të jemi më të mirë me natyrën, me njëri-tjetrin, me veten. Të ruajmë gjakftohtësinë e të mundohemi t’i kalojmë këto me mirëkuptim, të mbështesim njëri-tjetrin, që për të gjithë të jetë më e lehtë. Unë besoj se kur e gjitha kjo të mbarojë, njerëzit do jenë më të mirë, më të komunikueshëm. Të gjithë e kuptojnë se para një të keqeje të tillë, edhe paraja e humb vlerën, etja për t’u pasuruar s’ka më rëndësi. Ndaj, shpresoj se do të kthehet besimi te dashuria njerëzore.
Çfarë mendoni të bëni sapo kjo pandemi të përfundojë, kë do takoni fillimisht?
Me siguri që do takoj miqtë e vjetër, me të cilët takoheshim zakonisht e që tani flasim përmes telefonit. Ne kemi natyrë ballkanike, na mungon të mblidhemi e të sjellim ndër mend kujtimet e mira. Të bëjmë biseda të frytshme, të qeshim. Tanimë i kam kaluar të 80-tat e i kemi të tilla takime të nevojshme. Mandej po pres me padurim të shikoj filmat që kineastët e rinj po përgatisin. Pse jo të jem në një premierë filmi apo teatri. Besoj se gradualisht do t’i rikthehemi jetës normale, sepse nuk ka rrugë tjetër.
Kjo është një periudhë, ku edhe filmat mund të jenë një ilaç i mirë. Keni ndonjë sugjerim të veçantë?
Ajo që mund të them, është se njeriu s’bën dot pa art. Më pëlqejnë shumë iniciativat që artistë apo edhe njerëz të thjeshtë kanë marrë, duke shpërndarë video në mediat sociale. Performancat e tyre me këngë të vjetra, interpretime në piano, violinë, violonçel apo edhe fragmente gazmore. Normalisht që edhe kinemaja duhet të hapet gradualisht, sepse të shijuarit në kolektiv është ndryshe nga sa të shohësh një film në televizion, por sigurisht me rregulla strikte. PANORAMA.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al