INTERVISTA/ “Kujdes! Ka simptoma të ngjashme me tumorin e kokës”- Si të kuptoni që vuani nga migrena, mjekia: Njihuni me disa nga mënyrat më efikase për të lehtësuar dhimbjet

Sep 30, 2024 | 10:10
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ Për shumë njerëz dhimbja e kokës dhe migrena janë lehtësisht të ngatërrueshme me njëra-tjetrën, por në të vërtetë migrena është më tepër sesa vetëm një dhimbje e rëndë e kokës.

migrena1

Gjithsesi, një dhimbje koke e thjeshtë mund të jetë relativisht e lehtë dhe kalon vetvetiu, ndërsa dhimbja që shkakton migrena e bllokon pacientin dhe e detyron të qëndrojë shtrirë në errësirë për disa orë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” mjekja Vlera Lekaj sqaron se cilat janë simptomat e migrenës dhe si mund të bëhet diferencimi nga patologji të tjera që prekin trurin. Ajo i bën thirrje të gjithë atyre që vuajnë nga dhimbjet kronike të kokës që të kryejnë diagnostikimet e nevojshme pranë mjekut specialist dhe të shmangin vetëdiagnostikimin.

Çfarë është migrena dhe kur evidentohen fillesat e saj?

Shumë kohë më parë, që në lashtësi dokumentohen rastet e para të migrenës, një dhimbje koke karakteristike, e cila paraprihej nga simptoma të tjera si çrregullime të shikimit, siç është turbullim i pamjes apo shkëndija drite para syve. Sigurisht që në atë kohë ishte shumë herët për ti vendosur këtyre simptomave një emërtim shkencor dhe nga të vjetrit i atribuoheshin më shumë këto shenja, pushtimit të njeriut nga djalli. Më vonë do të ishte Hipokrati ai që do të bënte korrelacionin shkencor mes këtyre simptomave paraprirëse të dhimbjes së kokës, simptoma të cilat më vonë do të njiheshin nga ana mjekësore si Aura, dhe sot diagnoza e një pacienti që shfaq një klinikë të tillë njihet si migrenë me aura.

Cilat janë simptomat që paralajmërojnë se pacienti mund të vuajë nga migrena?

? Në ditët e sotme migrena është një sfidë e vështirë për atë që vuan, si për sa i përket të jetuarit me këtë sëmundje ashtu edhe trajtimit dhe lehtësimit të simptomave të saj, ku sigurisht dhimbja frustruese e kokës është dhe simptoma mbizotëruese.

Fillimet e një dhimbje koke mund të jenë sinjal i shumë patologjive, ku një rëndësi të veçantë këtu merr anamneza e kujdesshme e pacientit si dhe kryerja e ekzaminimeve të duhura për të përjashtuar një diagnozë tjetër. Le të themi që diagnoza e Migrenës është kështu më tepër një diagnozë përjashtuese.

Në rastet kur dhimbja e kokës, e cila mund të jetë e njëanshme, shoqërohet me simptoma të tilla, si ndjesi mpirje e krahut ose të këmbës, apo ndjesi mpirjesh në fytyrë, humbje e ndjenjave, çrregullime të të folurit atëherë është shumë e rëndësishme të përjashtohet mundësia e një ataku ishemik, ku pacientët duhet ti drejtohen shërbimit të urgjencës për vlerësimin e parametrave jetësorë si dhe kryerjen e ekzaminimeve të tjera të nevojshme.

Përgjithësisht ataku i migrenës, shfaqet papritur, me një dhimbje koke pulsuese ose shpuese dhe me intensitet të lartë, zakonisht në njërën anë të kokës, ku kohëzgjatja varion nga 4 orë e deri në 3 ditë. Karakteristike është siç u përmend në fillim simptomat paraprirëse, me turbullim të pamjes, ndjeshmëri ndaj dritës apo shkëndijat para syve, por jo vetëm, pacienti ankon dhe për ndjeshmëri të shtuar ndaj zhurmave, përzierje e të vjella.

Cilat janë masat që duhet të marrë një person që vuan nga dhimbjet kronike të kokës? Cila është këshilla juaj në këto raste?

Historiku i një pacienti me dhimbje koke kronike shpesh herë është i gjatë, ku secili rast ka tipologjinë e tij të veçantë me faktorë shpërthyes, ku nga më të shpeshtit është stresi, si pasojë e ngarkesës në punë apo dhe arsyeve të tjera personale. Duhet të kemi parasysh në këto raste në një pacient të padiagnostikuar, cilësimin e saktë se çfarë lloj dhimbje koke është sepse përveç migrenës ka dhe disa lloje të tjera të dhimbjeve kronike të kokës, si për shembull dhimbje koke tensioni, cluster, sinusale etj ku secila prej tyre ka veçantitë e saj, dekursin dhe kohëzgjatje të ndryshme.

Prandaj vetëdiagnostikimi nuk është asnjëherë zgjidhja më e mirë, por vlerësimi i simptomave dhe të drejtuarit tek mjeku neurolog ju ndihmon të lehtësoni problematikën tuaj duke u diagnostikuar dhe trajtuar në mënyrën e duhur.

Mund të na sqaroni një patologji me simptoma të ngjashme me migrenën dhe si duhet të veprohet për të diferencuar diagnozën?

Në kuadrin e patologjive me simptoma të ngjashme vlen për tu përmendur edhe tumori i kokës, i cili jep veçanërisht probleme me shikimin apo dhe infeksione të cipës së trurit fillimi i të cilave është me dhimbje të fortë koke shoqëruar me temperaturë të lartë dhe alterim të vetëdijes. Sugjerimi më i vlefshëm në këto raste është gjithmonë marrja e shërbimit të duhur mjekësor duke mos neglizhuar simptomat dhe duke mos vënë kështu në rrezik jetën.

Si mjekohet migrena si nga ana medikamentoze ashtu dhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për pacientin e prekur nga kjo patologji?

Pas vendosjes së diagnozës së migrenës , e cila siç e citova më lart vendoset më shumë duke përjashtuar nëpërmjet ekzaminimeve të ndryshme patologji të tjera, starton për pacientin një periudhë e gjatë e mjekimit me medikamente si dhe e njohjes së problematikës së tij shëndetësore, se kur dhe si i shfaqet, cilët janë faktorët shpërthyes, apo agravues të gjendjes së tij.

Çfarë e qetëson, dhe e ndihmon për të lehtësuar simptomat. Ky lloj bashkëpunimi për të njohur më mirë sëmundjen e tij realizohet me mjekun, duke i treguar detajet e mësipërme dhe duke vendosur kështu një plan trajtimi, i cili është individual për secilin pacient. Në një pjesë të rasteve medikamentet si paracetamoli, ibuprofeni e deri tek triptanet që janë dhe medikamente specifike kundër migrenës, janë të efektshme, në doza të ndryshme sipas rastit. Por për shumë pacientë terapia medikamentoze duhet kombinuar dhe me krijimin e një ambienti relaksues, pa zhurmë, pa dritë dhe në gjendje shtrirë për të përftuar qetësinë maksimale. Sigurisht që e përshkruar në këtë formë duket sikur zgjidhja është gjetur por në fakt, miliona njerëz në të gjithë botën përballen me këtë shqetësim i cili është i vazhdueshëm dhe kondicionues i aktiviteteve të përditshme jetësore.

A ka një zgjidhje përfundimtare për migrenën?

Sot vazhdojnë studimet për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për këtë dhimbje koke të fortë, turbulluese dhe shkaktare të rritjes së numrit të rasteve me depresion shoqërues për shkak të dinamikave të saj të përsëritjes së shpeshtë, si dhe dobësisë fizike dhe mendore që të shkakton përballja me një problem të tillë shëndetësor kronik. Por përpjekjet e shkencës dhe të mjekësisë nuk kanë reshtur asnjëherë në kërkimet dhe studimet për të gjetur forma dhe mënyra lehtësuese të kësaj patologjie mjekësore të padukshme, por që sfidon çdo ditë njerëz në të gjithë botën për ta përballuar dhe për të mësuar gradualisht të bashkëjetojnë me migrenën.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura