VALENTINA MADANI/ Për Genc Pollon është koha që opozita pasi ka protestuar më shumë se kushdo tjetër kundër regjimit dhe pasi e ka denoncuar atë me fakte, tashmë duhet të kalojë në marshin elektoral. Z.Pollo thotë për gazeta “Panorama” se në një kohë kur opozita po goditet nga koka, prej saj lipset që të ngjallë shpresë te njerëzit me një ekip të ardhshëm kuvendor e qeveritar kompetent e të paqortueshëm.
Ish-ministri flet për situatën ku ndodhet opozita, rrugëdaljet, përndjekjen politike ndaj saj, mosbindjen civile, projektin elektoral dhe mundësitë e heqjes së “non-grata”-ës së Sali Berishës. Genc Pollo zbardh një bisedë tri javë më parë me ish-ofiqarë të presidencës “Trump” 2017-2021 dhe të afërt me ekipin aktual të Presidentit të ri të SHBA-ve.
Nga pyetja për rishikimin e “përcaktimeve moshyrje” të firmosura nga Blinken, Pollo thotë se mori përgjigjen e tyre: “Politika e përcaktimeve do të shqyrtohej nga administrata ‘Trump’ dhe se në këtë kuadër ishte shumë e mundur që të anuloheshin përcaktimet problematike të së shkuarës”. Ndaj, z. Pollo shprehet se do të ishte në nderin e Departamentit të Shtetit që ta anulonte sa më parë vendimin për “non-grata”-n e Sali Berishës.
Z.Pollo, që nga lirimi i z.Berisha vihet re një eufori te demokratët. Çfarë ndryshon për ta? Si po ndikon tek opozita lirimi i tij?
Kush rifiton lirinë, e gëzon atë më shumë se ai që nuk e ka humbur ndonjëherë. Krishti i ringjallur është më i fuqishëm se Krishti ende i pakryqëzuar. Mund të rendisja të tjera krahasime e metafora për të shpjeguar që fundi i kalvarit “arrest shtëpiak” ngjall gëzim e shpresë te demokratët, por edhe te të tjerët, që i kanë për zemër parimet kushtetuese.
Duket se me lirimin e z.Berisha ka marrë hov mosbindja civile, por në kushtet aktuale, a është e nevojshme apo zgjidhje për demokracinë në vend?
Mosbindja civile ka qenë një formë reagimi edhe para arrestit të z. Berisha. Nëse biem dakord që po jetojmë në një regjim autoritaro-kleptokratik, çdo reagim është legjitim e i nevojshëm. Jo thjesht për të përmbysur regjimin me një të rënë sëpate, por për të mbajtur gjallë e lart frymën e qëndresës që do të japë frytet e veta.
Mosbindja civile synon krijimin e një qeverie teknike, si duhet të jetë qeveria kujdestare, me qëllim sigurimin e standardeve më minimale të zgjedhjeve të 2025?
Ky model i dakordësuar në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2015 rezultoi i dobishëm në një shtet, ku pushteti personalizohet e shteti partiakizohet. Shqipëria është e ngjashme. Sot është më keq se Maqedonia në vitin 2015. Ky model do të ishte i nevojshëm jo vetëm për zgjedhjet parlamentare mbas pesë muajsh, por edhe në të ardhmen, cilado parti qoftë në pushtet.
Kundrejt kërkesave të opozitës, PS-ja është shprehur se ka fituar me epërsi të madhe votash, duke e quajtur të panevojshëm krijimin e qeverisë së përkohshme…!
Ky duket si argument në favor të opozitës. Qeveria teknike nuk vë në dyshim zgjedhjet e shkuara, ajo forcon besimin te zgjedhjet e ardhshme.
Në situatën ku është opozita, armën e vet ka fjalën, ndikimin e opinionit publik, vënien përballë të funksionarëve të lartë të shtetit. Çfarë të drejtash nuk po i njihen opozitës?
Deri dje nuk i njiheshin të drejtat më normale zgjedhore e parlamentare, por sidomos tani do të lipsej fokusimi te mohimi i të drejtave bazë të qytetarit: të pronës, të sipërmarrjes, të informimit, të zgjedhjes së lirë e të jetës me dinjitet. Ky debat prek nervin e njerëzve. Vetëfokusimi te cenimi i të drejtave të opozitës, sado qendror të jetë në një demokraci, mund të duket edhe si vetëviktimizim. Në publik partia lipset të merret më shumë me çështjet e popullit se me çështjet e vetvetes.
Çfarë efekti ka fitorja e republikanit Donald Trump?
Së pari, fitorja e Donald Trump është një çlirim i jashtëzakonshëm për SHBA-të, që po asfiksoheshin nga ideologji të mbrapshta dhe një administratë gjysmë e indoktrinuar dhe gjysmë inkompetente. Joe Biden ka qenë i respektuar e i pëlqyer si senator e zv.President; ka qenë edhe mik i Kosovës. Por si President, fill mbasi u zgjodh, premtoi se do të bashkonte amerikanët, por nuk e bëri këtë, përkundrazi me fjalë e me vepra i përçau më keq. Ndoshta nga ndikimi i krahut ekstremist-ideologjik të partisë së tij.
A besoni se do të anulohet “non-grata” e Sali Berishës?
Sa për “non-grata”-n e Berishës, siç e quani ju apo “përcaktim (designation) për moshyrje” siç e quajnë ata, do të ishte në nderin e Departamentit të Shtetit që ta anulonte sa më parë. Para tri javësh bashkë me miq e kolegë nga Europa e bota isha në një konferencë me tre referentë, ish-ofiqarë të presidencës ‘Trump’ 2017-2021 dhe të afërt me ekipin aktual të Presidentit Trump. I pyeta për rishikimin e “përcaktimeve moshyrje” të firmosura nga Blinken për motive partiake, siç kanë deklaruar senatorë republikanë, përfshi edhe Marco Rubion (i nominuar për Sekretar Shteti), sepse në Shqipëri psh., kemi raste problematike (Berisha). Përgjigja e tyre ishte se politika e përcaktimeve do të shqyrtohej nga administrata “Trump” dhe se në këtë kuadër ishte shumë e mundur që të anuloheshin përcaktimet problematike të së shkuarës.
Çfarë lipset të bëjë Partia Demokratike?
Mbasi ka protestuar më shumë se kushdo tjetër kundër regjimit autoritar e kleptokratik, mbasi e ka denoncuar atë me fakte, dokumente e argumente më shumë se kushdo tjetër; mbasi i ka rezistuar më shumë se të tërë, PD të lipset të kalojë në marshin elektoral. Një fushatë elektorale kërkon më shumë shpresë për të ardhmen, më shumë zgjidhje për problemet konkrete, më shumë dritë në fund të tunelit. Dhe mund të jetë e drejtë në rrethanat tona që të kërkojmë masa sociale si psh., rritje pensionesh. Por, krijimi i pasurisë ka precedencë ndaj rishpërndarjes së saj. Këtu qeveria “Rama”, shpesh në mënyrë të padukshme, ka mbytur me lloj-lloj rregulloresh të tepërta e abuzive e me lloj-lloj tarifash pa kuptim, por me efekt zhvatës për bizneset e vendit, sidomos ato të mesme. Dhe fokusi te këto probleme e të tjera të ngjashme me to lipset të jetë fokusi i debatit opozitar, krahas një ekipi të ardhshëm kuvendor e qeveritar kompetent e të paqortueshëm që ngjall besimin e publikut.
Opozita ankohet se është vënë në shënjestrën e SPAKut, por ka edhe një perceptim tjetër se po godet në të dyja krahët…
Së pari, SPAK-u po e tepron me paraburgime të paarsyeshme e të pabazuara në frymën e ligjit. Le të mos merremi me arrestet e Berishës e të Metës, që janë skandaloze, mbasi nuk përmbushin kriteret. Por shihni “në krahun tjetër”, Vangjush Dakon, që e mbajtën dy vjet në paraburgim deri sa skadoi afati sipas procedurës penale dhe u detyruan ta nxjerrin jashtë pa qenë në gjendje të paraqesin aktakuzën. Ai akuzohej për një tender 10 vjet më parë e një leje ndërtimi 5 vjet më parë. Kur prokurori e kishte dokumentacionin në dosje, pse duhet i pandehuri në paraburgim? Ky shqetësim i është shprehur në Kuvend titullarit të SPAK-ut, por ky i fundit dha një shpjegim thjesht formalist.
A po godet në të dyja krahët e politikës?
Kjo është tjetër çështje: është vënë në dukje se SPAK-u e godet opozitën në krye, duke funksionuar si gijotinë; kurse mazhorancës i pret ndonjë këmbë të krimbit centipedes (njëqindkëmbëshit). Për çdo qeveri në një demokraci funksionale, këto arrestime do të ishin problem, por për regjimin autoritaro-kleptokratik Rama, jo dhe aq. Por, ka një aspekt tjetër: shihni akuzat ndaj opozitarëve: Berisha akuzohet se ka miratuar në qeveri një projektligj gjenerik; Beleri akuzohet se ka blerë një dyzinë votash nga agjenti-provokator i policisë; Salianji se ka fabrikuar një provë në një kallëzim penal që nuk ka ndodhur. Të tria këto raste janë pa precedent jo vetëm në praktikën penale shqiptare, por me shumë gjasë konsiderohen si jo të pranueshme në jurisprudencën europiane. Gjithsesi, këto çështje të opozitës nuk janë si ato që kemi parë në krahun tjetër me miliona euro që i zhvaten shtetit dhe përmes privatit përfundojnë në xhepin e ofiqarëve. Pra, në thelb kundër opozitës ka akuza abuzivo-banale dhe jo akuza për korrupsion. Në kontrast me çështjet e opozitarëve kemi raste nga Tahiri tek Veliaj, që janë për korrupsion me shuma gjigante e për abuzim me pasoja të rënda. Shihni modelin Tahiri: nga një superakuzë, që normalisht të çonte në 15 vjet burg, përfundoi në një minidënim si për delinkuentin e lagjes. Pastaj edhe ky minidënim përgjysmohet për shkak të “rrethanave të veçanta”.
Dhe pastaj i dënuari për megakorrupsion jeton i lirë me milionat e korrupsionit. Dhe shpreson që mbas pesë vjetësh, kur të jetë harruar zullumi, po të duan e rifillojnë karrierën politike. Kështu keni Beqjan, që deri dje dukej se do të dënohej për fatura restoranti, por jo për “sterilizimin”, që i kushtoi taksapaguesit 95 milionë euro. Kështu keni edhe Veliajn, ai duket se nuk do të dënohet për inceneratorin 150 milionë euro që nuk ekziston, nuk do të dënohet për aferën “5D”, që prishi bursën e korrupsionit, duke e çuar ryshfetin nga 10% në 100%, por duket se do të ngecë në dosjen ‘Abule’, që është rast banal shkëmbimit të favorit me para dhe që ka ndodhur rëndom në dy dekadat e fundit në Bashkinë Tiranë. I vetmi që është dënuar deri tash për korrupsion mirëfilli është Lefter Koka, i cili të kujton aforizmin se tradhtinë e duan të tërë, kurse tradhtarin nuk e do kush. Kam lexuar mbi akuzën e SPAK-ut për mosdeklarim pasurie kundër deputetit opozitar, Asllan Dogjani, për një banesë të blerë para 20 vitesh para se ai të hynte në politikë.
Ndërtuesi, i cili vitet e fundit hyri në sherr me Dogjanin për një ndërtim të paligjshëm, e kallëzoi atë duke paraqitur letra të tjera e të njëanshme për blerjen e dikurshme. SPAK-u me hetim blitz ngre akuzë kundër Dogjanit, edhe pse nuk ka logjikë penale. Ndërsa opozita para 6 vitesh ka publikuar dokumente që tregojnë se Edi Ramës nuk i përputhen fare shpenzimet për vilën në Surrel me të ardhurat familjare. Pra, rasti klasik i fshehjes së pasurisë gjatë kohës së ofiqit më të pushtetshëm të Republikës. A ju duket se SPAK-u po vepron me dy kute, apo ju duket normale sa më lart? Prokuroria e Gjykata e Posaçme Antikorrupsion u ngrit me qëllimin që të parandalonte korrupsionin e jo thjesht ta ndëshkonte. Por, një pjesë e madhe e çështjeve penale që po hetohen nga SPAK-u kanë filluar të konsumohen mbasi SPAK filloi të funksionojë. A mos tregon kjo se rilindistët e babëzitur kanë besim te modeli Tahiri dhe tek “dora e ngrohtë e partisë”?
Pavarësisht kritikave të opozitës, sondazhet tregojnë nivele të larta të besimit publik te SPAK-u! Edhe BE e SHBA shprehen pozitivisht për SPAK-un e gjyqësorin postreformë! Madje, së fundi Sekretari Blinken e dekoroi Dumanin…
Së pari, shihni se mos ka konflikt interesi mes porositësve të sondazheve, mbasi ka plot syresh të cilëve u leverdis “success story” më shumë se realiteti. Së dyti, po të kishte sondazhe opinioni në vitet kur dënohej Todi Lubonja apo Kadri Hazbiu, me siguri besimi tek Hetuesia e Përgjithshme do t’i afrohej nivelit 100%. Është tipike në psikologjinë e turmës, eksitimi me dënimet e të mëdhenjve që kanë rënë nga fiku. Kështu dëshmohet që nga lashtësia. Pra, këto sondazhe nuk ka pse të jenë surprizë. Pastaj mos harroni se ka sondazhe ku shumica e të anketuarve e konsiderojnë SPAK-un si të ndikuar politikisht. Sfida e një gjyqësori modern është procedimi penal (e në tërësi veprimtaria) në frymën e ligjit e jo arrestimi e dënimi me çdo kusht; apo më keq akoma përndjekja për llogari të pushtetit politik. Për fat të keq, gjyqësori postreformë është shumë larg nga ky ideal. Do të doja të isha pozitiv, por siç ka thënë Aristoteli “e vërteta është mikeshë më e madhe se miku im Platoni”.
Sa i takon vlerësimit nga BE dhe SHBA padyshim, se kanë nevojë për success story për investimin e tyre. Duhet shtuar se ka ca doza realizmi së fundmi. Pastaj edhe në goditjen e disa grupeve kriminale që veprojnë në Europë e më gjerë e pastaj investojnë te ne, duket se SPAK-u ka pasur një bashkëpunim të mirë me homologët europianë. Lidhur me dekorimin e z.Dumani, dua të kujtoj se në vitin 2021 kur Blinken dekoroi Dvoranin si kampion antikorrupsion kujtoj se në një intervistë me “Deutsche Welle”-n thashë se kjo ishte e pakuptueshme për persona me busull morale. Vetëm një vit më parë Komisioni i Venecias e kishte identifikuar Dvoranin si përgjegjës për korruptimin e procesit të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Pa folur sesi ai e kaloi vetingun pa u lagur. Prandaj nuk kam çfarë të shtoj për dekorimin e fundit. Pse nuk kemi akoma përgjigje nga Prokurori i Përgjithshëm apo Inspektori i Lartë i Drejtësisë për gjyqtaren Gjoka-Maneku, për të cilën në mars mësuam se ishte dënuar penalisht në një shtet të Bashkimit Europian dhe nuk e kishte deklaruar këtë, duke kryer kështu një vepër penale në Shqipëri? A i shërben mbajtja në atë post e një personi të dyshuar besimit të publikut te gjyqësori?
Çfarë mund ta reduktojë korrupsionin…?
Çështje komplekse. Së pari, unë nuk jam nihilist ndaj SPAKut e gjyqësorit të ri, por drejtësia dhe një gjyqësor që i shërben asaj ndihmohen duke i thënë të vërtetat hapur dhe jo me lëvdata pa bazë, apo duke bërë si struci me kokën në rërë. Të bësh strucin është psh., të pretendosh se PS-ja nuk ka arritur të kapë mjaftueshëm institucionet postreformë. Pastaj edhe sikur të kishim SPAK e gjyqësor funksional e besnik të ligjit, është iluzore të mendosh se ato vetëm do e zgjidhin problemin. Vetë një shtet demokratik me pushtete të ndara krijon kuadrin për trajtimin efektiv të korrupsionit, por kjo është teorike, mbasi në raste si Shqipëria pushteti ekzekutiv kontrollon legjislativin (përmes mazhorancës) dhe gjyqësorin përmes katapultimit aty të besnikëve dhe të të shantazhueshmëve (si gjyqtarja e lartpërmendur). Atëherë e vetmja forcë balancuese reale është opozita.
Mbas saj në distancë vijnë mediat e OJF-të e pakapura nga pushteti e nga donatorët “me agjendë speciale”. Vetëm alternimi i pushtetit pengon konsolidimin e regjimit autoritaro-kleptokratik. Kjo nuk do të thotë se në pushtetin e nesërm apo të pasnesërm, korrupsioni e abuzimi do të jetë zero. Kjo nuk ndodh kurrkund, por korrupsioni e abuzimi do të jetë i reduktueshëm dhe i kontrollueshëm. Fatkeqësisht disa nga ata që mbajnë fjalime kundër korrupsionit, njëkohësisht kanë ndikuar për të dobësuar opozitën, e cila është shpresa e vetme kundër regjimit. Dua të përmend një tjetër rast por që nuk ka të bëjë me SPAKn.
Si e konsideroni vendimin e Kryeministrit Rama për mbylljen e “TikTok”-ut?
Z.Rama ka dashur prej kohësh të mbyllë median “online” përmes urdhrave administrativë dhe jashtë procesit gjyqësor. Ju kujtohet projektligji antifjalë ,ë 2018. Mbas shumë përpjekjesh, Rama u zmbraps sepse u përball me qëndresë të fortë brenda e jashtë vendit. Mbyllja e “TikTok”-ut, përveçse të kujton këtë mendësi, spikat se nuk është e qartë procedura e ndjekur dhe kush konkretisht e vendosi mbylljen e firmosi urdhrin. Tipike e një regjimi arbitrar. Fatkeqësisht prindër të traumatizuar dhe konsultime të organizuara nga partia shërbejnë si justifikim demagogjik. Nuk po them se algoritmi i “TikTok”-ut nuk ka probleme, por për mbylljen e një platforme nevojitet një raport ekspertësh të pavarur dhe debat parlamentar. Mund të mbyllej “TikTok”-u vetëm për të miturit (madje ka shtete në Europë që nuk po lejojnë celularët në shkollë). Por të mbyllet për 30-vjeçarët e 50-vjeçarët, do të thotë të mbyllet për elektoratin.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al