Intervista/ Përgjimi i zyrtarëve nga SPAK, juristi Sokol Hazizaj: Zbërthimi i bisedave në SkyECC, goditi fort bandat dhe korrupsionin! Si e tronditën krimin e organizuar

Oct 30, 2024 | 12:33
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Hapja e platformave ENCRO CHAT dhe SKY ECC të komunikimit të grupeve kriminale ka sjellë goditje të forta jo vetëm në fushën ku vepronin e veprojnë anëtarët e këtyre grupeve, por deri në rangje të politikës dhe të sistemit të drejtësisë.

sokol hazizaj

Falë këtyre bisedave të zbardhura, sot gjenden pas hekurave ose në arrati emra të njohur të botës së krimit, siç edhe deputetë, prokurorë, shefa policie e deri te punonjës të drejtësisë. Nëpërmjet hetimit dhe verifikimit të fakteve të dala nga këto biseda, goditje ka marrë edhe korrupsioni, ndonëse duket se ka prevaluar krimi ndaj jetës në punën parësore të prokurorëve të Strukturës së Posaçme, SPAK.

Por gjithë kjo situatë si shihet dhe analizohet nga një prej juristëve më të njohur në vend? Sokol Hazizaj, avokati i zëshëm i dukurive të së drejtës, ka ndarë me gazetën “Panorama” mendimet e tij mbi gjithçka që solli hapja e platformave dhe vënia në dispozicion të prokurorëve tanë.

Juristi Hazizaj ndalet te prishja e zonave të ‘rehatisë’ së krimit dhe jo vetëm të atyre që përbëjnë këto grupe, por edhe në goditjen që po iu bëhet të korruptuarve. Ai beson se hapja është një ndihmë jo e vogël në lidhje me qasjen drejt goditjeve shteruese të të përfshirëve në këto vepra penale, edhe pse për të shkuar deri te sigurimi i provës është punë e madhe dhe kërkon kohën e vet. Në lidhje me betejën kundër korrupsionit, Hazizaj thekson: “Besoj se do të detyrojnë të korruptuarin të kuptojë dhe ndjejë që liria ka çmim, që nuk shkëmbehet me para, por përkundrazi kjo e fundit ta merr atë, pse jo, dhe gjithçka”.

Po ashtu juristi cek edhe një fakt, të parrahur ende mes aktorëve të hetimit të këtyre materialeve hetimore që lidhet me biznesin e telefonave të dy platformave, që sipas tij “kanë konkurruar kompanitë celulare” më të fuqishme në vendin tonë. Në fakt numri i përdoruesve ende nuk është i qartë nga ana e hetuesve, për shkak të qindra e mijëra personave që rezultojnë të kenë këmbyer biseda në këto rrjete komunikimi!

INTERVISTA

Z. Hazizaj, hapja e bisedave të grupeve kriminale në platformat e komunikimeve “Encro Chat” dhe “Sky Ecc” duket se e ka tronditur paksa zonën e ‘rehatisë’ së krimit të organizuar. Sa mendoni se ka ndryshuar realiteti i aktivitetit të tyre brenda vendit?

Është e vërtet që për pasojë të rezultateve të përgjimit masiv, që janë përftuar me ndërhyrje në fluksin e bisedave të të gjithë komunikuesve, nuk flitet më për rehati apo qëndrim indiferent të poseduesve apo përdoruesve të sistemit të platformës “Sky ECC”. Ndonëse në pikëpamjen time dhe në optikën e një mbrojtësi ligjor duhen trajtuar pa nxitim dhe me shumë kujdes, për shumë arsye dhe shkaqe që vijnë në përputhje me të drejtën dhe realizimin e një procesi të rregullt ligjor, në përputhje me nenin 6 të KEDNJ-s.

Përkundër dhe një simbolike të përdorur nga ana e medias, apo e organeve të hetimit mbi cilësimin e krimit tonë si krim të organizuar, unë sërish në optikën time saktësoj se duhet patur kujdes për disa arsye, të cilat janë sa të karakterit procedural dhe material penal. Sepse të pranosh jo vetëm në mënyrë deklarative por dhe në mënyrë institucionale ekzistencën e krimit të organizuar në Shqipëri, duhet domosdoshmërish të krahasosh këtë fenomen, në kohë dhe histori me strukturat kriminale me karakter ndërkombëtar. Sepse faktet kanë treguar ndryshe, kanë treguar që vetëm krimi organizuar multinacional nuk ka përdorur të tillë sistem. Ndaj dhe çështjet ligjore në vendet europiane janë të vogla në numër dhe kanë vendosur në pozitë të vështirë procedurale organet e drejtësisë në kuptimin e konsiderimit të tyre në cilësinë e provës ose jo.

Po të shihni me vëmendje vendim i GJED-së që lidhet me kërkesën e Gjykatës së Berlinit (Gjermani), mbi konsiderimin në cilësinë e provës të transkripteve të përgjimeve e të komunikimeve të platformës “Encrochat”, që janë kryer prej autoriteteve franceze nëpërmjet një pajisje teknike që ka depërtuar në trafikun e komunikimeve të bazuara në internet, Gjykata edhe pse konfirmon parimin e njohjes reciproke të vendimeve gjyqësore të vendeve anëtare, kërkon që provat e dërguara nga gjykata franceze me Urdhrin Europian të Hetimit Penal, të verifikohen nga autoritet gjyqësore të vendeve të tjera, nëse janë marrë në përputhje me procedurën e parashikuar nga legjislacioni i brendshme dhe nëse janë në harmoni me parimet e të drejtës së shtetit përkatës.

Pra kemi dy pamje mbi të njëjtin parim, i cili mund të analogohet në dy momente të tjera.

a. A duhet të ishte krimi i frikësuar në se transkriptet do të ishin kërkuar dhe gjetur në rrugën e duhur procedurale e ligjore?

b. A duhej hetuar në mënyrë proporcionale dhe brenda një standardi dhe krijuesi i sistemeve të komunikimeve të platformës Encrochat dhe SKY ECC, të cilat janë paguar nga komunikuesi?

Në lidhje me sqarimin e të parës, pra pikës (a), citoj se për hetimin dhe gjykimin në vështrimin procedural është e rëndësishme të gjenden një seri provash të tjera, të cilat do të identifikonin qartë dhe saktë se përdoruesi mund të ishte urdhëruesi, apo ekzekutori i një ngjarje penale. Prania e të vetmes indicie, duke konsideruar atë rastësore nuk përbën provë. Madje në jurisprudencë pranohet që dhe prania e dy indicieve mund të jetë rastësi, vetëm prania e tri indicieve përbën dyshim ose provë dhe më tepër. Por kjo e fundit duhet të ndjekë rregullat procedurale penale. Ndaj në këtë kuptim hetimi ose prokuroria duhet të jetë shumë e kujdesshme në lidhje me përdorimin e tyre. Gjithsesi dhe kaq informacion që është marrë nga transkriptet tregon se situata është shumë e mprehtë dhe përdoruesit e sistemeve të sipërcituara duket apo dyshohet që kanë abuzuar apo janë inkriminuar thellësisht ndaj vetes dhe familjes tyre.

Sa i përket përgjigjes së pikës (b), do të sqaroja se nëse e shohim në vështrimin juridiko-civil, marrëdhënia që ka pasur përdoruesi me sistemin ka qenë një marrëdhënie e karakterit të biznesit, fakt të cilën deri tani nuk e ka trajtuar njeri. Si mundej, me kaq informacion sa kemi marrë, të konkurronte apo të përdorej kaq masivisht dhe hapur një sistem komunikimi që mund të ketë konkurruar shoqëritë si Vodafoni etj. që e mbajnë veten si subjekte të teknologjisë celulare më moderne dhe që ofrojnë shërbime inovatore në fushën e komunikimit. Mendoj se nuk ka qenë e pamundur kërkimi prej tyre për të ndaluar funksionimin e një sistemi komunikimi konkurrent me ato. Ndaj për këtë arsye kam opinionin që gjetja dhe identifikimi i prodhuesit të sistemeve “Enchro Chat” dhe “Sky Ecc” nuk kanë qenë dhe nuk janë të pamundur, si dhe do ta bënin procesin ligjor sa proporcional edhe të drejtë. Gjithashtu do të parandalonin maksimalisht kryerjen e veprave penale, si dhe do të ishte më e thjeshtë identifikimi i autorëve të tyre. Gjithsesi, në cilësinë e juristit, do të pranoja që hapja e komunikimeve të grupeve kriminale në platformat e komunikimeve “Encro Chat” dhe “Sky Ecc” e ka tronditur jo paksa zonën e ‘rehatisë’ së krimit të organizuar, por dhe më shumë se sa duket, pse Jo!.

Duke qenë se në materialet që disponon dhe po heton SPAK gjenden edhe emra të njohur të politikës dhe emra edhe ish-zyrtarësh të sistemit të drejtësisë, gjurmimi i këtyre fakteve që kanë dalë nga këto platforma a do ta ndihmojnë Prokurorinë në luftën kundër korrupsionit në vend?

Ka qenë jashtë përfytyrimeve të mia që një politikan të ketë poseduar dhe përdorur sisteme të tilla komunikimi jo ligjorë, ky është koncepti im. Por ja që dhe ndodh, thoni Ju. Ose është e pakonceptueshme që nëpërmjet kësaj platforme të jenë dhënë rekomandime me përmbajtje kriminale.

Por ja që ndodhin ose kanë ndodhur. Por në cilësinë e juristit, kam përshtypjen që poseduesit e këtyre sistemeve në jo pak raste kanë përdorur në mënyrë jo të drejtë emrat e politikanëve, kur kanë dashur të kryejnë një akt apo veprim. Në këtë kuptim duhet shumë vëmendje dhe sigurisht duhen gjetur prova të tjera. Hetimi i një akti kriminal është përplasje dy anëve të kundërta në formë, por që në përmbajtje i qasen të vërtetës.

Ndaj kur citojmë që përuruesit kanë infektuar politikën, apo politika paska qenë e infektuar duhet të jemi të kujdesshëm, sepse shumë dilema duket sikur krijojnë të vërtetën, por nga ana tjetër mund të fajësojnë/penalizojnë gjithë shoqërinë duke e çuar në një rrugë jo të duhur. Duhet domosdoshmërish të hetohet me kujdes dhe pa ngurrim, por gjithsesi pa u nxituar.

A mendoni që të pasurit akses në këto biseda mes eksponentëve të fuqishëm të botës së krimit, drejtësia shqiptare ka në duar mundësinë të godasë të “pagoditshmit”?

Ritheksoj se çdo hap që sjell përsosmërinë e hetimit dhe gjykimit, sjell për pasojë gjetjen e të vërtetës dhe sundimit të ligjit. Aksesi i sigurimit të përmbajtjes së bisedave është siguruar, por ky përben thjesht një dokument, i cili duhet përqasur me akte të tjera procedurale. Ndaj kërkohet maturi dhe pa u nxituar. Përhershmërisht “nxitimi” na ka renditur në të parat vende eksperimentale, që kemi shkuar të sigurt drejt dështimit. Procesi i hedhjes së tymnajës dokumentare, apo i fajësimit potencial të të gjithë njerëzve sjell atrofizimin apo lodhjen e institucionit.

Krijimi i klimës së ndërshkueshmërisë nuk është vetë ndërshkueshmëria. Ndaj ne jemi ende te krijimi i kushteve klimaterike të ndërshkueshmërisë, por s`kemi ardhur të ndëshkimi, i cili kërkon propocionalitet, shpagueshmëri, shpejtësi dhe respektim të së drejtës ligjore. Psh, vendosja e masave të sigurimit të ‘arrestit me burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, më duket se po jepet “pa doganë”, për mos të thënë pa lexuar asnjë akt, ose në mungesë të dyshimit ligjor. Më duket se shoqëria rëndohet më tepër, ose merr barrë më shumë ekonomike mbi veten e saj. Pra njerëzit ndonëse ndihen të vjedhur, por ngarkohen me barrën e mbajtjes apo ushqyerjes për ata që dyshohen që e kanë vjedhur. Kjo zgjedhje dhe zgjidhje ligjore nuk më duket normale.

A mendoni se do të ishte e mundur një goditje e tillë ndaj tyre nëse nuk do të na viheshin në dispozicion komunikimet mes tyre?

Ndaj të njëjtin mendim apo opinion me median në tërësi, që për shkak të dokumenteve të përftuara nga komunikimet midis identiteteve kriminale nuk do të ishte e mundur gjithë ky moment që ju e quani “goditje”. Por sërish në kuptimin juridiko-procedural, sqaroj se finalizimi i një procesi kërkon shumë prova, ndaj nuk duhet të jesh i kënaqur vetëm me formën, sa kohë nuk parashihet përmbajtja. Por mendoj se çdo hap që hidhet në zbulueshmërinë ndaj krimit, veçanërisht atij kundër shëndetit dhe njeriut është shumë i rëndësishëm në kuptim të rritjes së peshës së të drejtës ligjore. Gjithashtu, nuk mendoj se Struktura e Posaçme e kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe GJKKO janë të parat që esencialisht po e bëjnë këtë betejë me krimin. Në kuptim të memories së drejtësisë, ka pasur dhe ka çdo kohë dhe do të ketë më pas struktura dhe ekipe të cilat do të godasin më shpejt dhe saktë krimin në vendin tonë.

Ka zëra edhe kundra marrjes si provë të këtyre bisedave, cili është opinioni juaj mbi këtë qasje?

Neni 221 dhe vijues i Kodit të Procedurës Penale flet qartë dhe në mënyrë shteruese mbi dhe për përgjimin, transkriptet dhe përdorshmërinë e tyre, veprimet procedurale paraprake dhe vendimet që merren për organizimin e përgjimit. Ndaj jam i rezervuar të pranoj se këto dokumente përbëjnë provë, në kuptim të nenit 149 e vijues të Kodit të Procedurës Penale. Por si indicie, akte apo dokumente të cilat të çojnë te prova mund të konsiderohen. Marrin karakterin e provës nëse përputhen të gjitha ose në shumicën e tyre.

A mendoni që ndikon në punën hetimore koha e shkurtër e ‘përgjimit’ të njerëzve të krimit dhe të korrupsionit, meqë tre vitet e fundit nuk janë të përfshira në këto materiale, ndërkohë që në vendin tonë kanë ndodhur shumë ngjarje të tjera me impakt të fortë në opinionin publik?

Hetimi dhe gjykimi është një proces kompleks dhe i pandalshëm. Opinioni publik, nga ana tjetër ka nevojë për shembuj. Në këtë kuptim mjafton dhe identifikimi i autorit të një vepre penale pas shumë vitesh, të forcoj bindjen se nuk ka krim pa ndëshkim. Ndaj serish më duhet të citoj se beteja me korrupsionin nuk kërkon vetëm ndëshkimin e autorëve të tyre, por kërkon dhe ndryshime ligjore të vazhdueshme dhe të qarta. Duhen hartuar ligje sa më të qarta gjuhësisht dhe të përqasura me ato të komunitetit europian. Arsye për të cilën qeverisjet tona nuk duhet të rendin shumë pas fasadës së trajnerëve të huaj të cilët kërkojnë të kopjojnë ligje që tradita jonë e ka të vështirë t’i përtyp, duke krijuar kështu një hendek të madh midis përmbajtjes ligjore dhe nivelit të zbatimit të tij. Për këtë shkak ndonjëherë ka një diferencë shumë të madhe midis impaktit publik dhe zbatimit të ligjit. Ajo çka vë re shpesh, konstatoj se pjesa më e madhe e impakteve të opinionit publik kanë të bëjnë më shumë me fenomene që lidhen me nocione të tilla si vrasja, burgu, vdekja etj. etj., të cilat lidhen më shumë me cenimin e lirisë, se sa me vet lirinë, ose kanë të bëjnë me nocionin e lirisë me shkak, origjinë urrejtjen, fakt i cili nuk më pëlqen.

Cilat janë pritshmëritë tuaja, në lidhje me gjithë këtë proces; pra çfarë prisni të arrijë Prokuroria pas përfundimit të procesit të njohjes, identifikimit dhe ndëshkimit të të korruptuarve dhe të inkriminuarve në çdo fushë?

Çfarë pres?! Thjesht unë besoj te drejtësia, jo duke e identifikuar atë vetëm me shtrëngimin, burgimin apo ndëshkimin, por besoj se do të detyrojnë të korruptuarin të kuptojë, ndjejë që liria ka çmim, që nuk shkëmbehet me para, por përkundrazi kjo e fundit ta merr atë, pse jo dhe gjithçka!/ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura