Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump pritet të investojë në dy zona turistike të Shqipërisë, në ishullin e Sazanit dhe në Manastirin e Zvërnecit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ata që flasin për shkatërrim të zonave të mbrojtura, thjesht delirojnë, pasi siç u shpreh ai “Sazani nuk ka qenë kurrë zonë e mbrojtur, përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës”.
Rama u shpreh ndër të tjera se Ishulli i Sazanit do të kthehet në xhevahirin e kurorës së turizmit në Mesdhe.
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri!
Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe!
Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e Flotës së Shtatë Amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi, se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.
Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale nga zemërimi i tij, – ju kujtohet si thonin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot- i pengon ata më gojështhurrurit ti bashkangjiten këtyre zërave të lëshojnë rrufetë e akuzave e të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë të dalë nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega-aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit!
Shyqyr xhanëm, se balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, për të kontribuar në Shqipëri me fondacione apo me investime, e bën Shqipërinë të duket padrejtësisht qesharake në sytë e botës, siç janë qesharake akuzat e shpifjet e tyre për ta!
Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme”, tha kryeministri Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al