Holanda ka marrë sërish kryesimin e investimeve të huaja sipas shteteve në tremujorin e tretë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të analizuara nga revista “Monitor”, investimet direkte holandeze në tremujorin e tretë të vitit arritën në 77 milionë euro, në rritje me 120% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa për gjithë 9-mujorin 2022 prekën vlerën e 147 milionë eurove, 4.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
PËRSE HOLANDA?!
Vlerat e mëdha të investimeve holandeze lidhen sidomos me faktin se Holanda është një nga juridiksionet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit. Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe kjo i ndihmon kompanitë në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituar nga investimet e kryera në vende të tjera. Arsyeja tjetër pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Në këtë pikë, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive me aksionerë shqiptarë që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.
PREZENCA NE SHQIPERI
Megjithëse sipas statistikave zyrtare investitori kryesor këtë vit është Holanda, në fakt detyrimet e konfidencialitetit të ligjit për statistikat mund të mbulojnë investimet e konsiderueshme të kryera nga kompanitë hungareze 4iG dhe OTP. 4iG këtë vit ka blerë kompaninë e telekomunikacioneve Albtelecom (edhe kompaninë One Telecommunications, por nëpërmjet kompanisë holding të regjistruar në Bullgari ATI, ndaj zyrtarisht ONE vazhdon të rezultojë si investim bullgar) dhe OTP, që finalizoi blerjen e Alpha Bank Albania. Vlera e investimeve të klasifikuara në grupe të tjera (për arsye konfidencialiteti) këtë vit ka arritur në 382 milionë euro.
Këtu besohet se përfshihen investimet hungareze (të lidhura kryesisht me blerjet e 4iG në tremujorin II dhe OTP në tremujorin III), por edhe ato kanadeze (të lidhura me investimet e Bankers Petroleum, që zyrtarisht vazhdon të klasifikohet si investim kanadez). Nëse analizojmë të dhënat e investimeve të huaja sipas shteteve të paraqitura në formën e stokut, në fund të tremujorit të dytë investimet hungareze kanë arritur vlerën e 249 milionë eurove, në rritje me 126% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën dërrmuese, besohet se kjo ka ardhur pikërisht nga blerjet e 4iG në sektorin e telekomunikacioneve dhe OTP në tregun bankar.
INVESTIME TE TJERA
Për aq sa detajojnë statistikat, investitori i dytë më i madh i huaj këtë vit është Italia. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin investimet italiane kishin vlerën e 98 milionë eurove. Megjithatë, flukset e investimeve italiane kanë rënë me 7% krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për të dytin vit radhazi, statistikat tregojnë një rritje të ndjeshme të investimeve gjermane. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9- mujorin investimet gjermane kishin vlerën e 75 milionë eurove, në rritje me 142% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Renditja e investitorëve të huaj për 9-mujorin vijon me Austrinë, me 55 milionë euro investimeve të reja, Kosovën, me 46 milionë euro dhe SHBA me 40 milionë euro.
Çmimet e hotelerisë, Shqipëria ndër më të lirat
Janë ditët e fundit të vitit. Shumë persona planifikojnë ta kalojnë fundin e vitit në shtëpi, apo në lokal brenda vendit, të tjerë nuk ngurrojnë të udhëtojnë. Europa ka shumë alternativa, disa të lira, mesatare apo dhe shumë të shtrenjta. Eurostat ka publikuar indeksin e çmimeve të restoranteve dhe hoteleve, të matura sipas fuqisë blerëse, ku si bazë krahasimi merret mesatarja e Bashkimit Europian (BE=100). Shteti më i shtrenjtë në Europë sipas vëzhgimit të “Monitor” është Zvicra, ku hotelet dhe restorantet kushtojnë sa 168% e mesatares europiane.
Shpenzimet nominale për banor për hotele e restorante në vitin 2021, sipas Eurostat, në Bashkimin Europian ishin 1067 euro, ndërsa në Zvicër i kalojnë 2,200 euro. Në nivele të ngjashme me Zvicrën janë dhe shtetet nordike dhe Islanda, ku duhet të paguani 32- 66% më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Më shumë sesa mesatarja duhet të paguani edhe në Belgjikë (123%), Francë (121%), apo Austri ( 116%). Në Itali, Angli apo në Gjermani, çmimet e hoteleve e restoranteve luhaten rreth mesatares së Bashkimit Europian. Në Qipro dhe Maltë, treguesi zbret në rreth 90% të mesatares europiane dhe në Greqi dhe Kroaci luhatet në rreth 81- 84%. Portugalia është një nga vendet më të lira të Bashkimit Europian për të qëndruar në hotel dhe për të shkuar në restorante, me rreth 73% të mesatares europiane. Për disa vite me radhë, kryeqyteti i Portugalisë, Lisbona, u rendit si një nga destinacionet kryesore të Europës.
RAJONI NUK KUSHTON
Vendet e rajonit në përgjithësi janë ndër më të lirat në Europë, ku akomodimi dhe ushqimi kushton mesatarisht sa gjysma apo më pak e mesatares europiane. Më të shtrenjtat në rajon janë Mali i Zi, me rreth 57% të mesatares europiane dhe Serbia dhe Bosnja me 55%. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë jo vetëm më të lirat në rajon, por edhe ndër më të lirat në Europë, me 46.2% të mesatares europiane. Sipas Eurostat, të dhënat tregojnë se shpenzimet nominale për banor për hotele e restorante në vitin 2021 në Shqipëri ishin 185 euro.
Vitet e fundit vendi ynë është bërë një destinacion tërheqës për turistët nga e gjithë bota, që vijnë të shijojnë jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe çmimet ende më të lira se në shumë shtete të tjera të Europës. Për 11-mujorin, sipas INSTAT, vendin e vizituan një numër rekord prej 7.1 milionë të huajsh, duke tejkaluar me 17% edhe nivelin e para pandemisë. Shifrat për Kosovën mungojnë, por renditje të tjera tregojnë se niveli i çmimeve është pak më i lirë sesa Shqipëria.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al