Ashtu siç ka ndodhur në të gjitha goditjet e kryera nga SPAK ndaj grupeve kriminale, edhe me bandën e Suel Çelës, Prokuroria ka çelur një hetim pasuror për të gjithë anëtarët.
Provat dhe faktet që i kanë çuar anëtarët e kësaj organizate nën akuzën e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, kanë bërë që të lindin dyshimet e pastrimit të parave. Për pasojë, SPAK bën me dije se paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në vendin tonë.
Në fakt, hetimi pasuror i anëtarëve të organizatave kriminale që kanë shtrirje edhe jashtë vendit i nënshtrohen këtij hetimi, ku vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, e ka konsideruar si një prej sukseseve më të mëdha të prokurorisë, identifikimin dhe sekuestrimin e këtyre pasurive.
Vetë Suel Çela ende nuk është vënë në pranga, edhe pse ai rezulton në regjistrat e kërkimit ndërkombëtar që prej dy vjetësh, kohë kur Nuredin Dumani mori statusin e të penduarit dhe nisi të rrëfente krimet monstruoze të disa grupeve kriminale që kishin vepruar dhe veprojnë ende në vendin tonë.
VERIFIKIMET
Referuar të dhënave hetimore, bëhet me dije se organizata kriminale e drejtuar nga i kërkuari Suel Çela, që u zbulua dhe shkatërrua pas hetimeve të SPAK të koordinuara me partnerët në disa vende, përfshirë Belgjikën dhe Italinë, ka pasuri të shumta brenda vendit. Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të përcjellë kërkesat për ekstradimin në Shqipëri të të arrestuarve si pjesë e kësaj organizate, duke informuar se hetimet po vazhdojnë dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë vendimtar për këtë goditje.
Paralelisht për personat e dyshuar si anëtarë të organizatës ka nisur edhe hetimi pasuror. Organizata dyshohet të ketë vepruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së dhe aktivitete të tjera të paligjshme, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat i kanë investuar edhe në Shqipëri, në sektorë të ndryshëm. Ndonëse ende nuk janë bërë me dije sektorët e dyshuar, mësohet se nga bisedat e zbardhura të “Sky Ecc” janë përftuar shuma marramendëse për të cilat flitet mes anëtarëve.
Ndërkohë, autoritetet janë duke përpunuar provat dhe dëshmitë për të çuar anëtarët e grupit përpara gjykatës. Më 27 nëntor, GJKKO la në fuqi masat e sigurisë për 20 personat e akuzuar si pjesë e kësaj organizate, ndërsa ndryshoi masën vetëm për avokaten e grupit Blerina Beqirin, që nga “Arrest shtëpie” e la në “Detyrim paraqitje”. Deri tani rezultojnë 4 persona në kërkim, mes tyre edhe kreu i bandës, Suel Çela, Prekë Kodra, i cili konsiderohet snajperit i grupit, Fuad Verzivolli e Ledio Zabeli.
Të arrestuar në Belgjikë rezultojnë vëllai i Suelit, Mario Çela dhe një nga bashkëpunëtorët e tij, Serger Hasanpapaj. Në Itali u arrestua biznesmeni Bujar Shega, i cili etiketohet si truri financiar që pastronte paratë e grupit, por nuk dihet se në cilat fusha i hidhte paratë.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al