Nëse java e kaluar u hap me tronditjen e arrestimeve që eliminuan krerët e dy tifozërive milaneze, në 7-10 ditët e ardhshme hetimi i do të kalojë në fazën tjetër.
Pasi kanë hequr vellon e infiltrimit të “Ndranghetas” në botën e ultrasve në qytet dhe për hezitimet e Milanit dhe Interit për të përballuar presionin, prokurorët do të dëgjojnë disa punonjës të të dyja klubeve si njerëz të informuar mbi faktet. Askush nuk është nën hetim, por të gjithë ata që do të pyeten kanë pasur marrëdhënie të llojeve të ndryshme me disa prej të arrestuarve.
Tek Interi, lista është prestigjioze dhe figurat e ekspozuara variojnë nga trajneri Simone Inzagi, te zëvendëspresidenti jo i pranishëm në bordin e drejtorëve, Havier Zaneti. Në anën tjetër të qytetit, do të jetë radha e kapitenit Davide Kalabria. Për momentin, megjithatë, nuk duhet të ketë prej të pandehurish nga drejtuesit e lartë të dy klubeve. Nëse do të jetë e nevojshme, ata do të thirren më vonë, edhe në bazë të asaj që do të raportohet në këtë “raund” të parë deponimesh.
FAZA E RE — Deri dje në mbrëmje nuk ka ardhur asnjë thirrje zyrtare nga prokuroria, por hapi do të bëhet në këto ditë, duke përfituar nga pauza për ekipet kombëtare. Për më tepër, prokurorët e Milanos Paolo Storari dhe Sara Ombra kanë treguar se duan të thellohen deri në detaje në hetimin e quajtur “Doppia Curva” duke pasur parasysh profilet “kritike”” të gjetura tek Interi dhe Milani. Marrëdhëniet e tyre me ultrasit janë cilësuar si “toksike” dhe për këtë arsye është hedhur një procedurë parandalimi, e cila në skenarin më të keq mund të çojë edhe në administrimin e kontrolluar të dy klubeve: pikërisht mbi këtë bazë, hetuesit kanë deleguar policinë për të dëgjuar palët.
Në urdhrin paraprak për aksionin kundër ultrasve, për shembull, i referohet përgjimeve nga maji 2023, vetëm pak ditë para finales së Ligës së Kampioneve. Telefonuesi është Marco Ferdiko, tashmë ish-kreu i ultrasve interistë dhe aktualisht në burg me akuzën e bashkëpunimit mafioz, ndërsa në anën tjetër të telefonit është Simone Inzagi të cilit i kërkohet të ndërhyjë me klubin për të marrë 200 bileta shtesë për finalen e Stambollit. Ferdiko do të marrë 500 të tilla e 1500 në total, për t’i rishitur me çmime të çmendura.
PËR T’U VERIFIKUAR— Në rastin e Kalabrias, megjithatë, temë do të jetë edhe takimi i “fotografuar” më 8 shkurt 2023 në një lokal të Milanos me Luka Luçin, i arrestuar gjithashtu në këtë hetim, teksa në vitin 2022 ishte dënuar me 7 vjet heqje lirie për trafik droge. Aktualisht, po konsiderohet edhe mundësia e dëgjimit të Milan Shkrinjar në një afat të shkurtër. Lojtari është i grumbulluar me Sllovakinë dhe gjetja e një date mbetet për t’u verifikuar. Kur ai kishte vendosur të largohej nga Interi disa ultras e takuan në një lokal pranë San Siros dhe mbi të gjitha shumë larg kamerave të “Appiano”-s. Lojtari u tremb, por edhe i rezistoi presionit duke gjetur një rrugë shpëtimi te PSG-ja.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al