“Inzagin dhe mua na nënvlerësojnë shumë”, Lautaro Martinez: Jetoj për golin, por kam ndryshuar stilin

Dec 23, 2024 | 9:08
SHPËRNDAJE

“Jam një sulmues dhe jetoj për golin”. E thotë pa frikë, Lautaro Martinez, kur flet për “Corriere Della Sera”. Megjithatë, sulmuesi i Interit thotë se kohët e fundit ka ndryshuar mënyrën e lojës dhe është duke u aktivizuar shumë larg zonës kundërshtare.

Inter-Milan-Striker-Lautaro-Martinez-1-scaled

Por nisur nga kjo, ka ndryshuar edhe pozicioni i Turamit…

Po. Markus është më në qendër ose më i avancuar, por nuk është diçka e studiuar. Nis nga bashkëpunimi që kemi në fushën e lojës. Vitin e kaluar ishte ai që tërhiqej më shumë dhe pastaj shkonte në anësore. Tani i takon atij të shënojë më shumë gola.

Mendon se ka ndikuar fakti që nuk bëtë përgatitje në verë?

Pas fitores së Kupës së Amerikës u riktheva disa ditë më përpara për shkak të dëmtimit të Taremit dhe pata pak vështirësi. Trupi ndonjëherë e di më mirë se çfarë duhet dhe e kisha të vështirë të luaja. Por tani jam shumë mirë.

A ndiheni ndonjëherë si robot?

Ndonjëherë po, ndonjëherë jo. Të pushoj më pëlqen shumë pak, por herë të tjera këmbët nuk përgjigjen kur ka shumë ndeshje. Të dyja gjërat duhet të jenë të lidhura me njëratjetrën dhe të menaxhojmë forcat. E rëndësishme është që kur gjërat nuk dalin siç do, të japësh 100% në fushën e lojës. Kjo është gjëja që unë bëj në fushë dhe duhet ta transmetoj për të tjerët si kapiten.

E di atë historinë që thoshte Higuain që ndonjëherë sulmuesit janë si ketchupi dhe kur e shtyp shishen derdhet e gjitha. Kështu edhe me golat…

Shpresoj që të ndodhë kështu. Më ka ndodhur edhe në të kaluarën. E rëndësishme është që të jem i qetë dhe të punoj në mënyrën e duhur. Gjithmonë.

Në janarin e vitit të kaluar në Arabi ju thatë që tek Interi argëtohesh sikur të luash me miqtë. Mund të thuhet që kjo gjë sapo ka nisur me fitoren ndaj Lacios?

Mund ta them. Ajo ndeshje ka qenë një sinjal i rëndësishëm dhe duhet t’i japim vazhdimësi intensitetit në fushën e lojës. Edhe pse kampionati këtë vit është më i vështirë dhe i ekuilibruar. Kur kam thënë që skuadra argëtohej ishte diçka e dukshme. Ndoshta këtë herë kemi dhënë idenë që argëtohemi më pak. Por tani e dimë çfarë bëjmë në fushën e lojës. Inzagi na lë të lirë të shprehim vlerat tona.

Çfarë shpjegimi i keni thënë vetes për vendin e shtatë në Topin e Artë?

Ka shumë aspekte që ndikojnë. Por unë mendoj që kam bërë një vit të rëndësishëm dhe jo vetëm për faktin që kam qenë golashënues në Kupën e Amerikës dhe Serinë A. Ndoshta edhe për mënyrën e të luajturit.

Ndiheni i nënvlerësuar?

Ndonjëherë po. Por trofetë që kam fituar me skuadrat kanë një peshë më të madhe dhe vlejnë më shumë.

Nisur nga fakti që Turam thotë se ju qeshni më pak sesa të tjerët, nuk është pak ai që duhet të jetë më i “keq”?

Ndoshta po. Por secili ka personalitetin e tij. Unë kam një shikim të egër, por vetëm ditën e ndeshjes. E rëndësishme është që të jesh i përqendruar, sidomos kur gjërat nuk shkojnë siç duhet. Por Inzagi di ta menaxhojë siç duhet këtë.

Bastoni dhe Mkitariani votojnë për një tjetër finale Champions. Turam ëndërron një tjetër titull. Por kapiteni çfarë mendon?

Unë dua gjithçka. Kur nis të fitosh, nuk ke ndërmend të ndalesh sepse e di që kështu kompensohet puna e bërë. Ky është mentaliteti që dua të përçoj edhe në ndeshjet stërvitore. Unë kam pasur fatin që fitova Botërorin dhe mendova se pas tij nuk ka asgjë më shumë, por jo… Ka shumë të tjera.

Mendon që edhe Inzagi është i nënvlerësuar?

Për mendimin tim po. Sekreti i tij është që vazhdon të mendojë si një futbollist dhe i kupton më mirë gjërat dhe i jeton ashtu si ne. Për ne ky është fat dyfish, sepse ai ka qenë sulmues dhe e di mirë çfarë përjetoj. Janë gjëra shumë pozitive. Unë me Konten kam mësuar shumë gjëra dhe dua ta falënderoj, por me Inzagin mendoj se jam rritur në një nivel më të lartë. Fakti që Konte është një nga rivalët direktë është një stimul apo një shqetësim? Asnjë nga të dyja. E dimë që Napoli është i fortë, ashtu si rivalët e tjerë. Por ne do të bëjmë rrugën tonë. Sipas meje është rruga e duhur që do të na çojë në arritje të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura