Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel shpalos pikëpamjet e saj lidhur me politikën globale, veçanërisht për luftën Rusi-Ukrainë dhe ndërhyrjen e perëndimit në konflikt.
Në një intervistë për BBC ish-kancelarja gjermane tha se marrëveshjet e gazit që ajo bëri me Rusinë kishin për qëllim të ndihmonin firmat gjermane si edhe të ruanin paqen me Moskën.
Merkel insistoi se lufta me Ukrainën do të kishte filluar më herët nëse ajo nuk do të kishte bllokuar hyrjen e Kievit në NATO në 2008.
Gruaja e Hekurt, Angela Merkel udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet. Ajo mbajti këtë pozicion gjatë krizës financiare dhe krizës së emigrantëve të vitit 2015.
Nëse Merkel nuk do të kishte bllokuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në 2008, a do të kishte një luftë në Ukrainë tani?
Lidhur me këtë pyetje Merkel tha se beson se lufta në Ukrainë do të kishte filluar më shpejt dhe ka të ngjarë të ishte më e ashpër, nëse Kievi do të kishte nisur rrugën drejt anëtarësimit në NATO në 2008.
“Ne do të kishim parë një konflikt ushtarak edhe më herët. Ishte plotësisht e qartë për mua se presidenti Putin nuk do të kishte qëndruar duarkryq dhe të shihte Ukrainën të bashkohej me NATO. Dhe në atë kohë, Ukraina si vend me siguri nuk do të ishte aq e përgatitur sa ishte në shkurt 2022”, tha Merkel për BBC.
Sakaq presidenti aktual i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është dakord me pikëpamjet e Merkel.
Ai e përshkruan vendimin e zonjës Merkel në NATO, të mbështetur nga presidenti i atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy, si një “llogaritje të gabuar” të qartë që “i dha zemër Rusisë”.
Merkel e cila u tërhoq nga politika tre vjet më parë, shprehu shqetësimin për kërcënimet e përsëritura të presidentit rus, Vladimir Putin për përdorimin e armëve bërthamore.
Dy liderët patën komunikim të mirë me njëri-tjetrin gjatë dy dekadave.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore”, tha ish-kancelarja gjermane.
“Potenciali është i frikshëm.”
Merkel tha se në kohën kur ishte aktive në politikë bëri gjithçka që mundej për të siguruar mjete paqësore të bashkëpunimit me Rusinë.
Në fakt, Putin filloi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës vetëm disa muaj pasi ajo u largua nga detyra.
Kjo nxiti një rishqyrtim të plotë në Evropë të politikave energjetike, diplomacisë me Rusinë dhe gjithashtu politikave të migracionit që ishin bërë normë në kohën e zonjës Merkel.
Në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës, ajo ishte, siç thotë ish-kryeministri italian Matteo Renzi, liderja de-fakto e Evropës – “bosja e Bashkimit Evropian”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al