“Ishim duke ngrënë drekë kur…”- Zjarri shkrumboi totalisht banesën në Pukë, familja në qiell të hapur! Apeli: Kush ka mundësi të ndihmojë!

Sep 21, 2024 | 19:31
SHPËRNDAJE

Një zjarr ra në banesën e Ardian Kecit në fshatin Mesul të Pukës, duke bërë që gjithçka të shkrumbohej në pak minuta.

banesa

Kryefamiljari ndodhej në spital i shtruar në QSUT në momentin që ka ndodhur ngjarja, ndërsa familja e tij kishin qenë duke ngrënë drekë kur kanë parë flakët në tavanin e banesës.

“Ishim duke ngrënë bukë dhe kemi parë zjarrin në tavan që kishte rënë, nuk e dimë nga erdhi. I kam marrë mamin, nënë dajën dhe i kam nxjerrë jashtë. Na janë djegur televizori, dushi, raftet, kolltuqet, frigoriferi, lavatriçja”, tha për News24, Geraldo Keci, djali i familjes.

Mungesa e rrugës automobilistike ka bërë të pamundur mbërritjen e zjarrfikëses, e për pasojë shtëpia u dogj e gjitha.

Pas ngjarjes, përfaqësues të Bashkisë së Pukës shkuan te shtëpia e djegur dhe ndër të tjera apeluan për ndihmë ndaj familjes.

“Dëmet janë të konsiderueshme. E gjithë banesa është jashtë funksionit pasi është e dëmtuar totalisht nga zjarri me të gjitha orenditë dhe pajisjet brenda. Fatmirësisht nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është fat, për pjesën tjetër na duhet i gjithë angazhimi i strukturave vendore, i shtetit, drejtorive përkatëse për t’i ardhur në ndihmë kësaj familje. Po ashtu i apeloj biznesit pukjan dhe kush ka mundësi ta ndihmojë në mënyrë që kjo familje ta kalojë sa më shpejt këtë situatë“, u shpreh Ferit Ringaj, nënkryetar i Bashkisë së Pukës.

Njoftimi i policisë:

Në fshatin Mesul, në banesën e shtetasit ka rënë zjarr dhe për pasojë  banesa është djegur plotësisht.

Nga zjarri nuk ka asnjë person të lënduar.

Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektike.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të rënies së zjarrit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura