Bashkëshortja e aktorit të mirënjohur Arben Dehemi, rrëfen për mëmësinë! Ardhja në jetë e vajzës, si po kujdeset për Darlinën, nevoja për sakrifica dhe sa pranë po i qëndron i shoqi në këtë “sulm” prindëror në emër të rritjes së fëmijës së tyre!
Thuajse 10 orë në ditë është larg vajzës së saj, kjo për shkak të punës. Ndërsa fundjava i duket e largët për t’i dhuruar gjithë kohën e nevojshme dhe dashurinë pa kushte së bijës! Sigurisht, të rriturit e një fëmije nuk është diçka e lehtë, ndaj sakrificat që lypen janë jo vetëm fizike, por edhe mentale e shpirtërore. Kështu ka ndodhur edhe me nënën e re Iva Korumi. Për psikologen në profesion, por edhe folësen e “Top Albania Radios”, e prezantuesen e emisionit muzikor “My Music”, terreni i pashkelur i mëmësisë e ka gjetur thuajse të papërgatitur. Kursi i ditës së 27-vjeçares ka ndryshuar kahe që kur në jetën e saj dhe bashkëshortit, aktorit të njohur Arben Derhemi, erdhi e vogla Darlin. Net të tëra pa gjumë, zgjime çdo dy orë, nevojë për ta ushqyer për ta veshur, për t’u argëtuar dhe për t’u bërë palë me botën e vajzës së vogël. Iva po mëson t’i ngjisë shkallët e mëmësisë një nga një. I beson më tepër kësaj teorie, duke këmbëngulur se të mëkuarit e vajzës me vlerat njerëzore është një ndër ato synime që i ka vendosur vetes si një nënë ende e re.
Jeni bërë mamaja e një vajze të shëndetshme dhe simpatike. Na rrëfe pak ato emocionet e para të lindjes, ardhja në jetë e vajzës dhe ndjenjat e pleksura tek ju?
Fatmirësisht shtatzënia ime shkoi shumë mbarë. Kam qenë aktive në lëvizje deri ditën kur jam shtruar në maternitet. Si pasojë e kësaj, nuk akumulova aspak ndjenja frike apo tensioni. Kam qenë shumë e qetë dhe e sigurt se gjithçka do të shkonte mirë. Dhe në të vërtetë ashtu shkoi. Pata një lindje krejt normale, falë zotit, aspak komplikuese, si dhe një staf mjekësh të përkushtuar ndaj meje. Ime bijë lindi në parametra fizikë të shëndetshëm dhe kjo më gëzoi shumë.
Ngjan se të qenit psikologe ju ka ndihmuar për t’i bërë terapi vetes dhe për ta pranuar realitetin natyrshëm e pa asnjë sforcim?
Është e vërtetë. Kam punuar shumë me veten, për të mos u sforcuar jashtë ndjenjave dhe mundësive të mia. Për ta pranuar ardhjen në jetë të këtij fëmije, si një proces natyral që i ndodh çdo femre. Të përcjellësh jetën është një nga ato misionet e vërteta që na përket ne femrave dhe ndihem fatlume që e përjetova.
Ardhja në jetë e Darlinit ishte e paparashikuar për ju dhe bashkëshortin. Kësisoj, sa të papërgatitur ju gjeti roli i ri i prindërve?
Në momentet kur ndodhi, ishte vërtet e paplanifikuar si shtatzëni, pavarësisht se e dëshironim shumë një fëmijë. Në planet tona për të ardhmen, asnjëherë nuk ka qenë jashtë fëmija, por e kishim menduar në tjetër kohë. Fakti që vajza jonë erdhi atëherë kur nuk e prisnim, na bëri më të fortë të dyve ne si prindër të saj. Sigurisht, për mua si nënë e re dhe pa eksperiencë, them se ia kam dalë mbanë. Përpos lodhjes së madhe dhe ndryshimeve sociale, gjithçka tjetër ka shkuar shumë mirë. Por, nuk mbetet me kaq. Përpara na pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë, për sa kohë synojmë ta rrisim me vlera vajzën tonë.
Darlin, pse një emër i huaj për fëmijën?
Besomë, është shumë e vështirë t’i vësh emër një fëmije. Kishim jashtëzakonisht shumë alternativa, të shumtë ishin emrat shqiptarë, por ishim të pavendosur. Emri iu vu 30 minuta pasi lindi. E zgjodha unë. Dhe të mendosh se Darlin ka qenë një nga alternativat që nuk ia kishim vënë shumë rëndësinë. Me pas, kur ajo lindi, mua m’u duk se i shkonte shumë ai emër. Është shumë melodioz.
Çdo të thotë të rrisësh një fëmijë, sa e vështirë ka qenë për ju në aspektin social dhe psikologjik?
Të rrisësh një fëmijë është shumë e vështirë, të paktën për sa kohë mendoj se nuk mjafton vetëm ushqimi dhe veshja për t’u kujdesur për të. Vështirësia qëndron në të gjitha aspektet: sociale, ekonomike, psikologjike etj. Më duhet t’i përkushtohem fëmijës, më shumë se gjithçkaje tjetër. Në fillim ka qenë shumë e vështirë. Shumë net pa gjumë. Por fatmirësisht jam ndihmuar shumë nga mami i Benit dhe nga mami im. Im shoq nuk mbetet pas në këtë aspekt, kështu që i përkushtohem vetëm sime bije dhe askujt tjetër. Çdo të qare të saj i jam përgjigjur duke qëndruar non stop 24 orë vetëm me të.
Ndërkohë, jeni duke punuar edhe si psikologe edhe si folëse në “Top Albania Radio”. Si ia dilni t’i menaxhoni edhe punët edhe rritjen e Darlinës?
Punoj prej katër vjetësh si psikologe në qendrën “Alternativa Profesionale”, projekt i shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare”. Është një qendër sociale për adoleshentët në vështirësi, që asiston në formimin profesional të tyre. Jam këshilluese për problemet që manifeston ky brez dhe çështjet që trajtoj gjatë ditës janë pikërisht ato që vështirësojnë jetën e adoleshentit. Mundohem që t’i ndihmoj për të gjetur drejtim në jetën e tyre. Dhe pasi përfundoj këtë mision, një tjetër më pret në studiot e “Top Albania Radio-s”, ku drejtoj emisionin tim “Pro Shqip”. I ndjek paralelisht të dyja punët dhe kjo gjë nuk më shqetëson aspak, përkundrazi të punuarit është një nga gjërat që bëj me shumë dëshirë. Sapo mbaroj dhe emisionin, nisem menjëherë në shtëpi për t’iu dedikuar plotësisht vajzës sime dhe Benit. Është e lodhshme vërtet për t’i menaxhuar njëherësh edhe shumë mirë të gjitha këto angazhime, por rrugë të mesme nuk ka. Punën e dëshiroj shumë dhe i përkushtohem me gjithë mundësitë e mia, ashtu siç bëj më të mirën për t’i qëndruar pranë sime bije, për ta rritur shëndetshëm dhe për t’i dhuruar gjithë dashurinë time. Ajo tashmë ma ka “rrëmbyer” atë!
Por, a ka pasur momente dobësie, kur jeni dorëzuar sepse e keni pasur të vështirë menaxhimin e gjithë situatave?
Sigurisht që ka pasur. Ndodhën kaq shumë ndryshime, që erdhën kaq vrullshëm. Personalisht e kam përjetuar shtatzëninë si një proces shumë normal të jetës dhe u përgatita për të gjitha ndryshimet që vinin më pas me lindjen e vajzës. Kështu që edhe menaxhimi i këtyre situatave ka ndodhur normalisht si pjesë e rritjes sime, si dhe përgjegjësisë prindërore.
Dhe në këtë moment dalin në pah gjyshërit. Roli i tyre i pazëvendësueshëm që ndonjëherë përqafohet nga çiftet, e herë të tjera jo. Sa ju kanë ndihmuar ata?
Gjyshërit na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Është fat i madh të kesh gjyshër, siç ka Darlin, që mendojnë 24 orë vetëm për të, që kujdesen dhe e përkëdhelin pa kushte. Darlin ka dy gjyshe të mrekullueshme, të cilat e mbajnë gjatë javës, ndërsa në fundjavë rri me mamin e vet (qesh). Pavarësisht se e mendojmë çerdhen si alternativë, përsëri i rikthehemi gjyshërve, duke qenë se vetëm tek ata kemi besim të plotë. Kur të mbush tre vjeçe, patjetër që do të shkojë në kopsht.
Gjatë kohës që ia besoni atyre dhe jeni larg vajzës, sa emotive bëheni? Telefononi shpesh herë nga puna për të pyetur për shëndetin e saj?
Në fillim isha shumë e bezdisshme. Telefonoja shpesh herë, kur ikja për në punë lija shumë porosi. Por, pastaj telefonatat nisën të rralloheshin. Më merr shumë malli për vajzën gjatë ditës. Unë rri minimalisht pothuaj 10 orë në ditë larg saj. Mezi pres të shkoj në shtëpi e të çmallem me të. Fundjava është e gjitha vetëm për të.
E llastoni, apo bëni psikologen në rritjen e saj?
Pesë vitet e para të jetës janë ndër më të vështirët. Janë vite që damkosin personalitetin e fëmijës. Aty zgjidhet enigma që e formon fëmijën. Duhet të dish si të sillesh që të mos iu lësh pasoja kur të rriten. Unë bashkë me Benin mundohemi të supervizojmë çdo lëvizje dhe sjellje të saj në mënyrë që ta disiplinojmë, por pa vendosur limite kategorike apo të përcaktojmë rregulla absolute të pashkelshme. Aktualisht vajza ime është 16-muajshe dhe nuk është ende aq e zhvilluar emocionalisht që të kuptojë të mirën nga e keqja. Ajo provon. Kur i dhemb nuk e bën përsëri. Unë ndaloj lëvizje që janë të rrezikshme dhe që mund të lenë pasoja të rënda. Loja është terapi shumë e mirë për zhvillimin mendor dhe social të fëmijëve. Sigurisht që luajmë shumë me Darlinën.
Vajza i ngjan plotësisht bashkëshortit tuaj Arbenit. Ju mërzit ky fakt?
Darlin është fiks si Beni. Nuk i ka lënë gjë mangët, ndërsa nga unë ka trashëguar vetëm ngjyrën e lëkurës. Por, mua nuk më vjen aspak keq për këtë.
Iva, a keni menduar për një fëmijë të dytë?
Jo. Për momentin dua që Darlin të rritet mirë dhe të ketë vëmendjen maksimale. Por kjo nuk e përjashton idenë se në të ardhmen do të ketë një fëmijë të dytë.
ERMIRA ISUFAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al