Shefi i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, ka deklaruar se sulmet e fundit në Liban janë për t’u përgatitur për hyrjen e mundshme të trupave të tyre në territorin libanez.
Para trupave ushtarakë, Herzi Halevi ka thënë se sulmet do të vijojnë dhe se Hezbollahu do të marr një përgjigje shumë të fortë.
“Ju dëgjoni avionët lart, ne kemi goditur gjatë gjithë ditës. Kjo është edhe për të përgatitur terrenin për hyrjen e mundshme dhe për të vazhduar degradimin e Hezbollahut,” u tha Herzi Halevi trupave. “Sot Hezbollahu zgjeroi rrezen e tij të zjarrit dhe më vonë sot ata do të marrin një përgjigje shumë të fortë. Përgatituni. Sot do të vazhdojmë, nuk po ndalemi, vazhdojmë t’i godasim dhe i godasim kudo. Qëllimi është shumë i qartë, të kthehen të sigurtë banorët e veriut”, ka thënë ai sipas BBC.
Ndër të tjera, ai u tha ushtarëve se për të arritur kthimin e sigurt të banorëve e veriut, ushtria po përgatit procesin për tu futur në territorin libanez.
“Ushtria po përgatit procesin e një manovre, që do të thotë se çizmet tuaja ushtarake, çizmet tuaja manovruese, do të hyjnë në territorin e armikut, do të hyjnë në fshatrat që Hezbollahu i ka përgatitur si poste të mëdha ushtarake”, tha ai.
Më shumë se 90,000 njerëz janë zhvendosur në Liban që nga e hëna, thotë OKB, ndërsa ushtria izraelite thotë se po kryen një valë të re sulmesh të gjera në Libanin jugor dhe zonën Beqaa.
Pesëdhjetë e një persona janë vrarë në sulmet ajrore izraelite të mërkurën, thotë ministria e shëndetësisë e Libanit. Më parë, Izraeli tha se kishte kapur një raketë balistike të lëshuar nga Hezbollahu drejt Tel Avivit, raketa e parë e tillë që synon qytetin.
Në përditësimin e fundit operacional, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë se avionët e saj luftarakë kanë sulmuar rreth 280 objektiva të Hezbollahut në Liban të mërkurën.
Ai thotë se objektivat përfshinin platformat e lëshimit nga ku u kryen sulmet në Izraelin verior, si dhe depo armësh dhe infrastrukturë tjetër ushtarake.
Midis vendeve të sulmuara të mërkurën ishin 60 objektiva të përdorur nga inteligjenca e Hezbollahut, tha IDF.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al