Ambasadori i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Danny Danon bëri të hënën atë që ai e quajti një paralajmërim të fundit për militantët Houthi të Jemenit, që kanë mbështetjen e Iranit, për të ndalur sulmet me raketa ndaj Izraelit.
Ai tha se nëse një gjë e tillë nuk ndodhte Houthit do të kishin të njëjtin “fat si Hamasi, Hezbollahu dhe Bashar al-Assadi i Sirisë”, siç tha ai.
Zoti Danon paralajmëroi ndërkohë Teheranin se Izraeli ka aftësinë të godasë çdo objektiv në Lindjen e Mesme, përfshirë Iranin, duke shtuar se shteti hebre nuk do të toleronte sulmet nga grupet militante që e ka mbështetjen e Teheranit.
Grupi i militantëve Houthis ka kryer vazhdimisht sulme me dronë dhe raketa drejt Izraelit duke i cilësuar si akte solidariteti me palestinezët në Gazë.
“Ndoshta ju nuk i keni kushtuar vëmendje asaj që ka ndodhur në Lindjen e Mesme gjatë vitit të kaluar. Më lejoni t’u kujtoj se çfarë ka ndodhur me Hamasin, Hezbollahun, Assadin, dhe të gjithë ata që kanë bërë përpjekje për të na shkatërruar. Le të jetë ky paralajmërimi i fundit. Do të keni të njëjtin fat të mjerë. Ky nuk është një kërcënim. Është një zotim. Ju do të keni të njëjtin fat të mjerë”, tha ambasadori izraelit Danny Danon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke iu drejtuar grupit militant.
Duke folur para takimit, Ambasadori Danon u tha gazetarëve: “Izraeli do të mbrojë popullin e tij. Nëse 2000 kilometra nuk mjaftojnë për të ndarë fëmijët tanë nga terrori, më lejoni t’ju siguroj, nuk do të mjaftojnë për të mbrojtur terrorin e tyre nga forcat tona”.
Javën e kaluar, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi grupin Houthi se Izraeli “sapo ka filluar” pas sulmeve ndaj objektivave të shumta të lidhura me grupin jemenas, duke përfshirë aeroportin në Sanaa, portet në bregun perëndimor të vendit dhe dy termocentrale.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ai ishte gati të hipte në një aeroplan në aeroport kur aeroporti u sulmua nga Izraeli. Një anëtar i ekuipazhit në aeroplan u plagos, tha ai.
Eliminimi nga Izraeli i udhëheqësve të lartë të grupit palestinez Hamas dhe grupit libanez Hezbollah dhe shkatërrimit të strukturës së tyre ushtarake së bashku me rënien e Asadit përfaqësojnë një sërë fitoresh monumentale për Kryeministrin Netanyahu.
Ndërsa informonte mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Lindjen e Mesme Khaled Khiari përsëriti shqetësimin e madh për përshkallëzimin e dhunës, duke u bërë thirrje grupit Houthi të ndalojnë sulmet ndaj Izraelit dhe të respektohet ligji ndërkombëtar dhe humanitar.
“Përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak mund të rrezikojë stabilitetin rajonal me pasoja negative politike, të sigurisë, ekonomike dhe humanitare”, tha Khiari.
“Miliona njerëz në Jemen, Izrael dhe në të gjithë rajonin do të vazhdojnë të mbajnë barrën e përshkallëzimit pa fund”.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, ndërsa dënoi sulmet me raketa të grupit Houthi ndaj Izraelit, kritikoi gjithashtu sulmet hakmarrëse të Izraelit në Jemen, si dhe ato të asaj që ai e quajti “koalicioni anglo-sakson” i luftanijeve amerikane dhe britanike në Detin e Kuq, duke thënë ato ishin “qartësisht jo proporcionale”./VOA/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al