Jam e inatosur. Jo me vapën

Aug 28, 2024 | 7:45
SHPËRNDAJE

ANETA WOLTERANETA WOLTER

Jam e inatosur me atë moderatorin, i cili, ndërkohë që politikani evropian i ftuar prej tij, thoshte qartë dhe pa asnjë ekuivok që “Plani për futjen e Ballkanit Perëndimor në BE, që në ditën e tij të parë, ka pasur vetëm dy qëllime për ta: Zgjerim për tregun evropian dhe stabilitetin për evropianët”, moderatori i përgjigjej, ndër të tjera, me atë fjalinë e mërzitshme që “shqiptarët janë më proevropianët dhe më proamerikanët nga të gjithë dhe që ai nuk e kuptonte dot politikën me dy standarde të Perëndimit ndaj Serbisë”. A thua se BE-ja është një konstrukt i ndërtuar mbi parimet e bamirësisë, dashurisë dhe të mëshirës ndaj pjesëtarëve. Asnjëherë s’ka qenë e tillë. Dhe më tej, në bisedë, i ftuari i huaj nuk kishte asnjë problem t’ua kujtonte ballkanasve, pra moderatorit, se “ne ju japim mjaft para, për të cilat ju duhet të bëni disa gjëra sipas dëshirave tona…”. Nuk e di nëse duhet folur më qartë se kaq nga të huajt për të kuptuar se si funksionojnë për ta lidhjet mes shteteve. Këtu duhet të fillonte në fakt biseda midis të barabartëve. Pasi i ftuari evropian u shpreh qartë për interesat e evropianëve, ai kishte rastin të dëgjonte se çfarë duan shqiptarët e vetëdijshëm, çfarë interesash ka Shqipëria, çfarë merr dhe çfarë jep dot me vendet e BE-së.

A mendon shteti shqiptar që është gati? Dhe, në fund fare, për atë se sa ia vlen kjo “martesë”, diskutohet hapur. Por nuk ndodhi. Në fakt, nuk ka asnjë arsye të jetë askush inferior apo superior në të tilla diskutime; bëhet fjalë thjesht për marrëveshje interesash të ndërsjella ekonomike dhe politike, ndaj dhe duhet bërë mirë “pazari”, ndaj dhe duhet forcuar patjetër Shqipëria dhe e gjithë zona shqipfolëse! Jam e inatosur me shitësin e shalqirit. Sapo mbërrita në Tiranë, bleva së pari një shalqi. Ai ishte i pabërë! Në këtë vapë, kur edhe guri mund të piqet,paskësh shalqi ngjyrë rozë? Nuk e kuptova dot. Kush ia ka “hedhur” kujt këtu? Shitësi blerësit, apo e kundërta? Apo mua si konsumatore, të dy? Dikush mund të thotë që askush nuk sheh dot brenda. Po, por shitësi e di mirë se kur e ka mbjellë dhe çfarë po i shet blerësit të ndërmjetëm.

Unë jo. Unë u besova të dyve dhe mora rrugën me shalqinin te kazani i plehrave, i cili ndodhej edhe më larg se dyqani. Jam e inatosur me atë artikullshkruesin, i cili në artikullin e tij mbi ujin e pijshëm, theksonte që në krye se Shqipëria paskësh rezerva të ujit të pijshëm për konsum për banorë dukshëm më tepër se nevoja. Për shembull, tek ne në Gjermani, konsumi ditor i ujit të pijshëm për banor është rreth 128 l/ ditë (për banjë, kuzhinë, dush) ndërkohë që konsumi indirekt i ujit të pijshëm, pra ku futen industria, prodhimi i ushqimeve, mishit, perimeve, rrobave etj., është rreth 4000-5300 l për banor për ditë. Sa e ka Shqipëria konsumin direkt dhe indirekt të ujit të pijshëm për banor në ditë? Ndërkohë dihet që vendet përreth Shqipërisë në Mesdhe e që bëjnë matje të sakta janë në gjendje emergjence për ujin e pijshëm.

Si ka mundësi që Shqipëria jo? A thua ka Shqipëria një hartë dixhitale të ujit të pijshëm të përditësuar për të gjitha burimet nëntokësore, burimet mbitokësore, konsumin direkt dhe indirekt, cilësinë dhe sasinë e tyre në kohë dhe dinamikë, për sot dhe për të paktën 200 vitet e ardhshme, ashtu siç e kam unë në qytetin tim? Kur janë bërë shpimet dhe matjet e fundit në Shqipëri? Dihet që ato kushtojnë jo pak. Duhet t’ia kujtojme vetes dhe njerëzve përreth me përgjegjësi faktin që ujin që përdorim sot ua kemi marrë hua brezave që do të vijnë dhe që vetëm 2.5% e të gjitha burimeve ujore janë ujë i pijshëm në botë! Ndaj tema me e rëndësishme do të ishte: Si ta kursejmë ujin dhe si ta riciklojmeë atë!/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura