Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje Kongresin e Manastirit, kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres mbarëkombëtar, i cili u mbajt në Manastir, më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Historia e alfabetit të shqipes është shumë e gjatë dhe e ndërlikuar: lidhet ngushtë me fillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim nga Turqia. Nis me alfabete të përdorura nga persona të veçantë, vijon me të tjerë, përdorur nga shoqëritë e para jashtë e brenda atdheut, si “Shoqnia” e Stambollit, “Bashkimi” e “Agimi” të Shkodrës e shkon deri më 12 nëntor 1908, kur në Manastir u mblodh Kongresi, që kishte për qëllim vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm.
Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për çështjen e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria “Bashkimi” dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij “Lirija”: “… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”, – kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar në Kongresin e Manastirit qenë At Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e At Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar.
Nismëtar i kësaj fryme qe At Fishta, i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ishte aty thjesht për të mbrojtur ABC-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm. Tri alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri.
Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e “Bashkimit”, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shihnin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të “Bashkimit” e të Stambollit.
Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallëshkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, tek alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe. Kongresi i Manastirit shqyrtoi çështjen e rëndësishme të alfabetit të gjuhës shqipe e gjithashtu disa çështje të lëvizjes kombëtare.
Pas diskutimesh të shumta, u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, ashtu si dhe alfabeti i ri. Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Në këtë Kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al