Aktori Robert Downey Jr. do të rikthehet pas një shkëputjeje të gjatë në botën e superheronjve të Marvel-it, por jo më në rolin e tij legjendar Iron Man, por në atë të Doctor Doom në një film të ri të titulluar “Avengers: Doomsday”.
Lajmi është bërë i ditur në San Diego Comic Con gjatë panelit të Marvel, kur Downey Jr. u shfaq në skenë para turmës në sallën Hall H.
“Maskë e re, e njëjta detyrë,” tha Downey Jr., sipas pamjeve të postuara në internet. “Më pëlqen të luaj personazhe të komplikuar”, është shprehur ai.
Sipas CNN, “Avengers: Doomsday” do të dalë në kinema në maj të vitit 2026, sipas një njoftimi për shtyp, dhe do të drejtohet nga Anthony dhe Joe Russo, të cilët më parë kanë drejtuar katër filma të Marvel.
Vëllezërit Russo janë caktuar gjithashtu për të drejtuar filmin “Avengers: Secret Wars”, i cili do të vijë në maj 2027.
Joe Russo është shprehur se rikthimi i Downey Jr. në grupin e Marvel është “provë e mundësive të paimagjinueshme në Marvel Multiverse” dhe se ai është “i vetmi person që mund të luajë Victor Von Doom”.
Fituesi i Oskarit ka folur më parë për gatishmërinë e tij për t’u rikthyer në MCU, duke u shprehur se “MCU është pjesë integrale e ADN-së sime”.
Downey Jr. për herë të parë portretizoi superheroin e librit komik Iron Man në filmin e vitit 2008 me të njëjtin emër, i cili pati dy vazhdime.
Ai gjithashtu u shfaq në një numër filmash të ekskluzivitetit të Marvel, duke përfshirë “Infinity Wars” dhe “Spider Man: Homecoming” të vitit 2018.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al