BESARTA BASHA/ Pas pak ditësh, me shpalljen e fituesve nis beteja e vërtetë midis të rinjve që kanë aplikuar për të fituar të drejtën e studimit në universitet.
Gjithë qëllimi i tyre është të regjistrohen në degën që dëshirojnë më së shumti, investimi më madhor i tyre për të ardhmen, por asnjë nuk duhet të druhet se mund të mbetet jashtë dyerve të universitetit. Në kuadër të ezaurimit të kuotave në çdo departament, Ministria e Arsimit u ka dhënë të drejtën IAL-ve, qoftë publike apo private, të vijojnë regjistrimet edhe përtej raundit të tretë. Pra, do të ketë një të katërt, ose derivat i raundit të fundit, në të cilin do të kenë mundësi të rinjtë të aplikojnë e regjistrohen menjëherë aty ku konstatohet se ka vende të lira.
REGJISTRIMET E LIRA
Kushti i vetëm që ata, të cilët pas tri raundesh nuk e kanë gjetur ende vendin në fakultet të mund të regjistrohen, është aplikimi fillestar. Pra, ata duhet të kenë plotësuar më herët Formularët A2, A3, për të vijuar garën në universitete. Por në këtë fazë, finalen, nuk kanë rëndësi programet e studimit që ata kanë zgjedhur. Mjafton të kenë dëshirën dhe shprehin vullnetin për të qenë pjesë e një departamenti ku konstatohen vende të paplotësuara. “Pas përfundimit të raundit të tretë, kandidatët që janë pjesë e portalit U-albania dhe rezultojnë të paregjistruar në asnjë program studimi, kanë të drejtën e regjistrimit në programe studimi ku ka kuota të paplotësuara në të gjitha IALtë, pavarësisht aplikimeve në raundet e mëparshme, brenda dy ditëve pune nga data e përfundimit të raundit të tretë”, citohet në udhëzimin nr.16, datë 29.06.2022 “Për disa ndryshime de shtesa në udhëzimin nr.10, datë 15.05.2019, ‘Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë’, i ndryshuar”. Duke qenë se të ardhurat kryesore të universiteteve vijnë nga tarifat dhe kanë një ndikim të madh në mbarëvajtjen e punëve (veçanërisht pagat e pedagogëve), regjistrimet e lira janë i vetmi mekanizëm që MAS ka gjetur për të mbushur “gropat” e universiteteve. Nëse nuk e bën, do të duhet të marrë përsipër vetë detyrimet e tyre, duke qenë se gëzon shumicën në bordet respektive të administrimit, përveç Universitetit të Tiranës.
DEGËT NË RREZIK
Ndodh çdo vit që disa programe studimi të mos tërheqin më tepër se dhjetë studentë, që është numri minimal me qëllim që ai të mbahet hapur. Për shembull, në gjuhën ruse, greke apo edhe degë të shumta mësuesie në universitetet e rretheve, aplikojnë dhe regjistrohen 3 apo pesë të rinj, çka e detyron atë program të mos hapet në rast se diçka e tillë përsëritet disa vite rresht. Të rinjtë e regjistruar nuk penalizohen në këtë rast, por brenda departamentit mund të kalojnë të drejtën e studimit në një tjetër program të ngjashëm. Këtë e përcakton udhëzimi në fjalë. “Studentët, të cilët pas përfundimit të raundit të tretë rezultojnë të regjistruar në një program studimi ku nuk plotësohet numri minimal i parashikuar në aktet e brendshme të IAL-ve për aktivizimin e programit, brenda 30 ditëve, me vendim senati akademik, bëhet kalimi në program studimi të përzgjedhur prej studentit, ku ka kuota të paplotësuara. Vendimi i njoftohet ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe QSHA-së për të vijuar procedurën e regjistrimit dhe matrikulimit”. Në çdo rast, sekretaritë mësimore mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit si dhe nënshkrimin e kandidatëve të regjistruar. Ata që kanë bërë regjistrimin me dokumentacion e gjithashtu kanë nënshkruar në regjistër nuk kanë të drejtë të ndryshojnë programin e studimit për atë vit akademik.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al