Joe Biden kundërshton idenë për ofensivë tokësore nga Izraeli: Duhet të kemi një armëpushim

Sep 30, 2024 | 19:01
SHPËRNDAJE

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kundërshtoi idenë e nisjes së një ofensive tokësore nga Izraeli në Liban dhe bëri thirrje për një armëpushim, në një kohë tensionesh të shtuara pas vrasjes së Hassan Nasrallahut, liderit të Hezbollahut – grupit militant që është edhe parti politike, e që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

joe biden

I pyetur nëse është në dijeni të planeve të Izraelit për një operacion të tillë dhe nëse ishte i qetë me këtë plan, Biden u tha gazetarëve: “Jam më i informuar nga sa mund të mendoni dhe jam i qetë me ndaljen [e planit për operacion tokësor]. Duhet të kemi një armëpushim tani”.

Më herët gjatë ditës, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, aludoi se shteti i tij po përgatitet për një ofensivë tokësore në Liban.

Duke folur me trupat e brigadës 188 të armatosur dhe të trupave të këmbësorisë Golani në kufirin verior, Gallant tha:

“Eliminimi i [Hassan] Nasrallahut është një hap shumë i rëndësishëm, por nuk është gjithçka. Ne do të përdorim të gjitha aftësitë që kemi”.

Ai iu referua vrasjes së udhëheqësit të Hezbollahut më 27 shtator gjatë sulmeve në periferi të Bejrutit.

Hezbollahu është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka në listë së zezë krahun e tij të armatosur, por jo dhe partinë politike. Partia politike Hezbollah ka ulëse në Parlamentin libanez.

Gallant shtoi se “nëse dikush nga ana tjetër nuk e ka kuptuar se çfarë nënkuptojnë aftësitë, do të thotë të gjitha aftësitë dhe ju jeni pjesë e kësaj përpjekjeje”.

Izraeli së fundi ka intensifikuar sulmet në jug të Libanit, por edhe në Bejrut, duke vrarë disa komandantë të lartë të Hezbollahut.

Po ashtu, Hezbollahu ka intensifikuar sulmet me raketa drejt Izraelit, por ushtria izraelite ka thënë se shumica e raketave janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore.

Javën e kaluar, edhe shefi i ushtrisë izraelite aludoi se shteti mund të nisë një operacion tokësor në Liban.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, mes Izraelit dhe Hamasit.

Ushtria izraelite ka thënë se sulmet e saj në Liban kanë për synim të degradojnë aftësitë e Hezbollahut./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura