Josep Borrell takon liderët e rajonit: Duhet të merrni vendime të guximshme për të ecur drejt integrimit

Sep 26, 2024 | 7:32
SHPËRNDAJE

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka takuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor të mërkurën në New York.

borrell me lideret e rajonit

Ata diskutuan për sfidat gjeopolitike, duke theksuar nevojën për harmonizim strategjik me Bashkimin Evropian për ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Borrell ka thënë se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e së ardhmes së Evropës. Ka theksuar rëndësinë e lidhjeve BE-Ballkani Perëndimor dhe ka përsëritur se “anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen”.

Në njoftimin e shpërndarë nga Borrell thuhet se takimi ishte mundësi për të kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese, ndërsa është përmendur rëndësia për fqinjësi të mirë të arritur përmes dialogut dhe kompromisit si hapa esencialë për integrim në BE.

“Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane”, citohet të ketë thënë Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell përfundoi duke rikonfirmuar angazhimin e BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre evropiane, duke theksuar se zgjerimi mbetet një prioritet kryesor për BE-në.

Në takim ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beçiroviç, zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropë i Malit të Zi, Filip Ivanoviç dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura