PËLLUMB NAKO
Ditë më parë një punonjës administratës qendrore të njërës prej ministrive në kryeqytet e ndjeu të nevojshme të hapej me miqtë e tij për një problem që kishte kohë që e shqetësonte. Ai ka një shkollim të mirë, blinduar me specializime jashtë vendit dhe njihet si profesionist i zoti. Aktualisht ushtron një funksion në nivel relativisht të lartë. Miqve u tha se për shkak të këtij shqetësimi ishte konsultuar edhe me një psikanalist. Në thelb, si çdo njeri në kushtet e tij, ky person e ndjente që joshej nga paratë që i ofroheshin abuzivisht, por nuk i pranonte. Dhe vetëm për këtë fakt kishte rënë në një pozitë bullizimi apo dhe izolimi nga kolegët e tjerë të ambientit ku punonte. Këta të fundit e tallnin, e përqeshnin, e vinin në lojë aq sa i ishte krijuar një ndjenjë inferioriteti dhe i dukej vetja pa vlerë, jashtë kohës. Ngjarje duket surreale, por është e vërtetë.
Ndërkohë, në një kontekst shumë më të gjerë, në realitetin social shqiptar, në këtë dekadë të fundit konstatohet një situatë e përgjithshme shkak i eksperiencës së përjetuar si më sipër. Bëhet fjalë për fenomene të lidhura me joshjen e pa përmbajtshme për pasurim sa më shpejtë dhe me çdo kusht të gjithkujt me pak pushtet, që është kthyer në vlerë dominuese të shoqërisë së sotme shqiptare. Ajo ushtron presion të madh mbi individë apo grupe individësh që paraqesin cilësi sociale pozitive në përputhje me civilizimin e një shoqërie me vlera të shëndosha siç janë ndershmëria dhe modestia në kryerjen e misionit që të ngarkon detyra administrative.
Më konkretisht janë identifikuar raste të shumta kur persona të ngarkuar me detyra administrative për t’i shërbyer publikut, abuzojnë dhe korruptohen jo tradicionalisht në mënyrë individuale, por në grup. Nëse në fillimet e demokracisë në Shqipëri, kur kontrolli social ishte mjaft i dobët, ekzistonte perceptimi i gjerë se ky apo ai individ me pushtet politik ose të lartë administrativ, ishte i korruptuar, aktualisht, përtej këtij perceptimi, drejtësia ka vendosur me fakte përballë përgjegjësisë penale grupe të tëra individësh të akuzuar pikërisht për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Mjafton me këtë rast të përmenden grupi i drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, ministra me bashkëpunëtorë zëvendësministra apo drejtorë ministrish, grupe punonjësish të policisë, grupe mjekësh, grupe të niveleve të larta të administratës qendrore e më shumë.
Duket qartë se gati në çdo nivel të piramidës sociale të vendit dhe në shumë lloje profesionesh, joshja për para duke abuzuar me detyrën dhe për t’u pasuruar shumë dhe shpejtë, ka arritur të marrë përmasa të tilla sa që krijohet një situatë sociale në kufijtë e ekstremes. Pasurimit sa më shumë dhe më të shpejtë, i është shtuar edhe ekspozimi i luksit, fenomen ky tipik i shoqërisë shqiptare. Të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse një formë për të treguar pushtet dhe për të dominuar të tjerët, duke u konsideruar si arritje.
Dhe janë ekzaktësisht situatat ekstreme, të cilat do të ushtrojnë presion mbi çdo individ natyrshëm të joshur nga paraja. Ky presion arrin të thyejë rezistencën e tij morale për të realizuar veten mbi vlera pozitive sociale dhe për ta orientuar pikërisht drejt abuzimit apo korrupsionit. Është kjo situatë ekstreme e cila me presionin që ushtron, e detyron një individ të caktuar që nuk thyhet, të shkojë te psikanalisti dhe të tjerë, më me shumicë, të joshur dhe që bashkohen në grup e vjedhin së bashku. Dhe në situata ekstreme, është mjaft e vështirë të gjesh individë të përballojnë presionin e madh të ambientit për të ruajtur vlerat sociale të një shoqërie të shëndoshë.
Nëse do të kthenim kokën pas dhe do të shihnim kohën e diktaturës, situatat e politikës ekstreme prodhuan individë përbindësh, ndërsa sot është një situatë po e natyrës ekstreme, por në kushte të tjera sociale dhe politike. Po fabrikohen përsëri individë të deformuar që janë duke shtrembëruar dhe vetë moralin social. Problemi është realisht madhor dhe nuk mund të zgjidhet e as të parandalohet nga drejtësia, sado e ashpër qoftë ajo. Gangrena është më e thellë. Sapo është krijuar një klase të re të pasurish shpesh pa tradita kulturore dhe pa sens përgjegjësie. Ajo thjesht është e etur për para dhe e përzgjedhur në sajë të tyre, megjithëse dihet sesi është pasuruar.
Pavarësisht se shpesh thuhet që “një popull ka mbi kokë atë qeveri që meriton”, e vërteta serioze nuk është e tillë. Të paktën, në kohën kur lindi, në Greqinë e Lashtë, demokracia kuptohej si “zgjedhja e më të aftëve, e më të mirëve” për të drejtuar fatet e qytetshteteve. Pra, klasa drejtues e një shoqërie, “drejton” edhe formimin e opinionit publik. Është ajo që organizon diturinë sociale, përzgjedh kujtesën kolektive duke përcaktuar se çfarë duhet kujtuar dhe çfarë jo në përputhje me vlerat sociale duke imponuar nga lart shembuj pozitiviteti dhe jo negativiteti. Dhe kur një klasë politike degradon popullin e saj, do të ndodhemi përballë një rrethi vicioz për faktin se më pas do të jetë vetë klasa politike ajo që do të degradojë. Ky rreth vicioz është natyrshëm tregues i situatës ekstreme ku ndodhen vlerat sociale të shoqërisë. Duket qartë që e keqja vjen nga lart.
Në kontekstin e klasës drejtuese politike të vendit tonë, rastet dhe fenomenet kur ngjitja në politikë shoqërohet automatikisht me ngritjen në shkallët sociale nëpërmjet pasurimit, nuk janë të pakta dhe të perceptuara si masive nga ana e popullatës së gjerë. Gërshetimi i interesave politike të një partie me interesat personale të drejtuesve të saj, çojnë automatikisht në moralitet të dyshimtë për qeverisje. Dhe moraliteti i dyshimtë është baza e delegjitimimit të pushtetit. Njerëzit e zakonshëm, në shumicë e dallojnë qartë këtë gjë, ndryshe nga ç’mendohet dhe nga çfarë interpretohet. Problemi është se në kushtet kur partitë politike kthehen në makineri të pushtetit, pjesa më aktive e shoqërisë shqiptare ndihet e kërcënuar. Sepse kjo shumicë ka arritur të ketë avantazhe, ndoshta dhe të merituara, por gjithmonë nëpërmjet kanaleve partiake dhe po kështu shpreson të vazhdojnë e t’i ketë në vazhdim ose të ketë frikë t’i humbasë ato më pas. Ndaj dhe është e topitur.
A ka tregues të orientimit të drejtë të popullatës në raport me vlerat sociale?
Mjafton këtu të kujtojnë faktin se thuajse rregullisht zgjedhjet politike dhe ato lokale në Shqipërinë e pas diktaturës, me përjashtime të rralla, janë kontestuar rregullisht. Pavarësisht deklarimeve publike, thelbi mbetet te fakti se ky kontestim vjen në saje të gërshetimit të interesave politike me ato individuale edhe të drejtuesve politikë, edhe të militantëve. Të dyja palët shpresojnë që nëpërmjet makinerisë politike, të realizojnë të ardhmen ekonomike. Ndaj dhe shihen kontestime të shpeshta dhe po aq lehtësi për të mbledhur militantë me qëllim realizimin e tij. Ndërkohë në Shqipëri janë zhvilluar edhe dy referendume. Njëri në kohën kur e djathta politike ishte në kulmin e pushtetit të saj dhe tjetri në kohën e fillimeve të pushtetit të së majtës me shumicë absolute. Në të dy rastet nuk pati kontestime. Përse? Sepse referendumi si instrument politik nuk gërshetohet me interesa ekonomike që fitohen apo humbasin dhe njerëzit shprehen shumë më qartë në atë që mendojnë. Për fat të keq, është ekzaktësisht ky instrument kaq demokratik dhe efikas që i mungon shoqërisë shqiptare për të parë më pastër se çfarë mendimi ka popullata e pa shtrënguar nga interesa dhe situata ekstreme./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al