“Kadare ishte në ankth për sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe”- Rama: Të alarmuar për barbarizmat në fjalor e sintaksë në rrjetet sociale

Nov 21, 2024 | 11:00
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe tha se artisti i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare, ishte gjithmonë në ankth për sulmet që i bëheshin gjuhës sonë.

rama

“Sot mungon një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe, Ismail Kadare. Mjafton t’i referohesh faqeve të tij. E kujtoj sa ankth kishte nga sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe. Po ju rikujtoj disa vargje të tij: “Kur panë se gjuhës S’i hodhën dot prangat, Lëshuan drejt saj Gjithfarë merimangash. Parashtesa e pjesëza E lidhëza së prapthi, Të bukurën gjuhë Ta bënin lesharapi””, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh më tej se historia ka treguar se sa e guximshme ishte vendimmarrja e Kongresi të Manastirit për një alfabet të veçantë në gjendje për të shprehur shpirtin dhe botëkuptimin e shqiptarit.

Ndër të tjera, Rama bër me dije se ditën e nesërme do të bëhet publik drafti i fjalorit të madh i Gjuhës Shqipe, i cili do të hidhet për një konsultim të gjerë publik.

“Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori. Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë”, tha ai.

Rama: Historia ka treguar se sa e guximshme ishte vendimmarrja e Kongresi të Manastirit për një alfabet të veçantë në gjendje për të shprehur shpirtin dhe botëkuptimin e shqiptarit. Ishte ai moment që frymëzoi Ndre Mjedën të shkruante poezinë që e mësonim përmendësh në shkolla: “Përmbi za që lshon bylbyli, gjuha shqype m’shungullon, përmbi er’ që jep zymbyli, pa da zemren ma ngushllon. Geg’ e tosk’, malsi, jallia, jan’ nji komb, m’u da, s’duron; fund e maj’ nji a Shqypnia e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.”

Është e hatashme të përjetosh që delirantë dhe injorantë me damkë, për të gjithë ata që vijnë nga betejat për gjuhën shqipe, që njohin rrënjët e gjuhës, sot e gjithë ditën reklamojnë gjithfarëlloj tezash, ndërkohë që borxhi ynë, i institucioneve bëhet gjithmonë e më i madh dhe i pashlyeshëm, sepse bëhet gjithmonë e për të qeshur nëse nuk do të jetonim këtë kohë kur barbarizmat në sintaksë dhe fjalor, nuk do të gjenin shesh për të bërë përshesh në hapësirat e rrjeteve sociale.

Na bën që të jemi të alarmuar që të bëjmë çmos për të rezistuar. Fatkeqësisht është e pamundur të jemi në sulm, sepse barbaria e kësaj injorance është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë me dy fjalë, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta nuk ka veshur akoma pantallonat”.

Por që të rezistojmë e kemi të domosdoshme dhe ky Kuvend është pjesë e kësaj rezistence. Sot mungon një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe, Ismail Kadare. Mjafton t’i referohesh faqeve të tij. E kujtoj sa ankth kishte nga sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe. Po ju rikujtoj disa vargje të tij: “Kur panë se gjuhës S’i hodhën dot prangat, Lëshuan drejt saj Gjithfarë merimangash. Parashtesa e pjesëza E lidhëza së prapthi, Të bukurën gjuhë Ta bënin lesharapi”.

Sot më vjen mirë se si pjesë e kësaj rezistence mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket gjuhës së prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që më në fund përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave.

Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori. Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë.

VIJON…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura