Kalim paqësor, apo i mirëmenduar? Incidenti i Korfuzit me 45 oficerë britanikë të vdekur, pse u fajësua Shqipëria në vitin 1946

Oct 23, 2024 | 12:29
SHPËRNDAJE

Më 22 tetor të vitit 1946 ndodhi incidenti i Kanalit të Korfuzit. Incidenti pati një jehonë të paprecedentë për nga rrjedhojat e mundshme politike në marrëdhënien mes Shqipërisë e Britanisë së Madhe.

incidenti ne korfuz

Lidhur me këtë episod historik, palët e përfshira mbajtën qëndrime diametralisht të kundërta. Dy luftanije britanike pasi ndeshën në mina, u dëmtuan rëndë, teksa kishin depërtuar në ujërat territoriale shqiptare, rreth 1200 metra larg brigjeve të Sarandës. Për pasojë gjetën vdekjen 45 oficerë të Marinës Britanike ndërsa 42 të tjerë pësuan dëmtime të rënda. Britania e Madhe e çoi çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky organ ia delegoi Gjykatës së Hagës dhe secila pas një procesi 2-vjeçar vendosi të shpallë Shqipërinë fajtore për minimin e kanalit lundrues ndërkombëtar.

Ky verdikt nuk u pranua nga Shqipëria dhe si kundërpërgjigje, Britania e Madhe konfiskoi arin e Rezervës Shtetërore. Për një periudhë 40-vjeçare, marrëdhëniet diplomatike bilaterale u pezulluan. Pas rënies së regjimit komunist, qeveria shqiptare u prapësua nga qëndrimi i mëhershëm duke pranuar verdiktin e Hagës. Incidenti i datës 22 tetor 1946, i cili njihet si Incidenti i Kanalit të Korfuzit është rezultat i incidentit të datës 15 maj 1946, në të cilën dy kryqëzorë britanikë H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb, në orën 08:30, ndërsa po kalonin nëpër Kanalin e Korfuzit në përputhje me regjimin e kalimit paqësor nëpër rrugëkalimin MEDRI, sipas versionit britanik, një bateri e artilerisë bregdetare shqiptare (në Kepin Paladha) hapi zjarr kundër tyre. Zjarri zgjati për rreth 7 minuta dhe u hodhën 18 predha 100 mm, të gjitha mosmbritëse. Anijet britanike nuk iu kundërpërgjigjën zjarrit të baterive bregdetare shqiptare.

Mbas incidentit, midis dy qeverive pati një shkëmbin intensiv të notave diplomatike, në të cilat Britania e Madhe i kërkonte Shqipërisë të kërkonte ndjesë dhe të dënonte personat përgjegjës, duke e justifikuar se anijet ishin duke ushtruar të drejtën e kalimit paqësor nëpër Kanalin e Korfuzit. Shqipëria u justifikua se nuk kishte mundur t’i identifikonte anijet dhe “zjarri u ndërpre mbasi u identifikua kombësia e tyre (britanike)”. Incidenti i datës 15 maj 1946 ngeli në agjendën diplomatike të dy vendeve, pasi gjatë këtij incidenti nuk pati të dëmtuar dhe disa muaj më pas do të ndodhte incidenti “i vërtetë” i Kanalit të Korfuzit. Më 21 maj 1946, një “urdhër ekzekutiv” i qeverisë së Shqipërisë shpalli pezullimin e përkohshëm të kalimit paqësor nëpër detin e saj territorial (në Kanalin e Korfuzit) për të gjitha anijet e huaja ushtarake pa autorizim paraprak të qeverisë së Shqipërisë. Deri më 15 maj 1946, trafiku detar në Kanalin e Korfuzit, sipas rrugëkalimit MEDRI, duke përfshirë edhe anijet e luftës, funksiononte relativisht pa probleme dhe pa ndonjë kundërshti nga vendet bregdetare, përfshirë Shqipërinë.

Operacionet e pastrimit të minave në Kanalin e Korfuzit u kryen nga Marina Britanike në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945, duke përfshirë rrugët e afrimit për në Portin e Sarandës, Vlorës dhe Durrësit. Nga Shqipëria kalimi nëpër rrugëkalimin (MEDRI – Mediteranian 18/ 34) i anijeve luftarake të huaja nuk ka pasur kundërshti, duke përfshirë edhe anijet e Marinës Britanike deri më 15 maj 1946. Rrugëkalimi MEDRI deri në këtë periudhë nuk ishte një rrugëkalim ku ushtrohej e drejta e kalimit paqësor por, një rrugëkalim i pranuar nga palët, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Goditja e anijeve britanike nga bateritë shqiptare ka qenë i paramenduar dhe pasojë e marrëdhënieve të përkeqësuara disa muaj më parë. Nëse dotë ishte një gabim, Shqipëria duhet të kërkonte ndjesë Britanisë së Madhe. Nëse Shqipëria nuk dëshironte që luftanijet britanike të përdornin rrugëkalimin MEDRI, duhet t’i kishte lajmëruar në kohë. Pezullimi i të drejtës së kalimit paqësor mbas incidentit, më 21 maj, provon se incidenti i 15 majit ishte i qëllimshëm.

INCIDENTI

Kanali i Korfuzit është një ngushticë ndërkombëtare që shtrihet ndërmjet bregut të Shqipërisë dhe ishullit grek të Korfuzit. Gjerësia e tij varion nga një deri në gjashtë milje detare, prandaj vija e kufirit që kalon në mes të tij ndan ujërat territoriale të të dy vendeve. Në fakt, kur flitet për Incidentin e Kanalit të Korfuzit (IKK) kihet parasysh incidenti kryesor, ai i datës 22 tetor 1946, në të cilin nga shpërthimi i minave në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit, humbën jetën disa marinarë dhe oficerë anglezë, u fundos një anije dhe u dëmtua rëndë një tjetër. Por ky incident ka lidhje të ngushtë edhe me dy incidente të tjera, me atë të 15 majit 1946, që i paraprin atij, si dhe me atë të 12-13 nëntorit 1946, që do ta pasonte atë. Në mënyrë kronologjike, zhvillimi i ngjarjeve mund të paraqitej shkurtimisht në këtë mënyrë: Më 15 maj të vitit 1946, rreth orës 8″ të mëngjesit, dy kryqëzorë britanike, “Suberb” dhe “Orion”, po lëviznin në drejtimin nga veriu në jug të kanalit, brenda ujërave territoriale të Shqipërisë. Bateritë bregdetare shqiptare hapën zjarr paralajmërues dhe më pas të dy anijet u larguan.

Përmes shkëmbimit të notave mes dy vendeve, Britania pretendonte se në bazë të normave të së drejtës ndërkombëtare detare, anijet e saj kishin të drejtën e kalimit paqësor në Kanalin e Korfuzit, pa qenë e nevojshme t’i marrin leje apo t’i bëjnë njoftim paraprak palës shqiptare. Referuar incidentit, pala britanike insistonte që qeveria shqiptare të kërkonte falje publike, si dhe garancinë se personat përgjegjës “do të dënoheshin rrepte”. Për më tepër, në Foreign Office britanik parashikoheshin edhe masat e mëtejshme që mund të merreshin në rastin e “mosrespektimit” të palës shqiptare ku, ndër të tjera, parashikohej:

a) Paraqitja e çështjes në Këshillin e Sigurimit, për të dëshmuar se Shqipëria nuk e meritonte anëtarësimin në OKB. b) Të kundërshtohej kërkesa shqiptare për të marrë si dëmshpërblim lufte një pjesë të flotës italiane, pasi një vendi si Shqipëria nuk mund t’i besoheshin armë modeme; si dhe c) Mbështetje britanike për “pretendimet greke për pjesën shqiptare të Kanalit të Korfuzit”. Në të kundërt, pala shqiptare theksonte se për kalimin e anijeve në zonën e kanalit, brenda ujërave të saj territoriale, ishte e nevojshme të bëhej fillimisht njoftim paraprak e më pas të merrej edhe leja nga autoritetet kompetente shqiptare. Për këtë qëllim, Komanda e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të Shqipërisë lëshoi edhe një urdhër të veçantë që iu bë i njohur të gjitha shteteve.

Për të testuar qëndrimin e Shqipërisë, më 21 shtator 1946, Flota Britanike e Mesdheut mori porosi nga Londra të dërgonte ndonjë prej anijeve të saj në zonën e Kanalit të Korfuzit, pasi ende diskutohej nëse mund të vendoseshin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, prandaj “Qeveria e Madhërisë së Saj dëshironte të dinte nëse Qeveria Shqiptare kishte mësuar se si të sillej”. Mbi këtë bazë, më 22 tetor 1946 rreth drekës, 4 luftanije britanike, dy kryqëzorët “Mauricius” dhe “Leander” dhe dy destrojerët “Somarez” dhe “Volazh”, po lundronin në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit, brenda ujërave territoriale të Shqipërisë, pa marrë leje dhe pa bërë njoftim paraprak për autoritetet shqiptare. Në orën 2: 53 të pasdites, destrojeri “Somarez” ndeshi në një minë nënujore, nga shpërthimi i së cilës u dëmtua rëndë. Në orën 4: 16 ndeshi në minë dhe u dëmtua edhe destrojeri “Volazh”. Nga të dyja shpërthimet, përveç dëmeve materiale, u vranë 1 oficer dhe 43 marinarë dhe u plagosën 3 oficerë e 39 marinarë të tjerë. Pas këtij incidenti, në mënyrë të njëanshme, pa marrë pëlqimin e Komitetit Ndërkombëtar për Pastrimin e Minave dhe pavarësisht protestave të Qeverisë Shqiptare, më 12 — 13 nëntor 1946, rreth 30 luftanije britanike, të mbështetura nga aviacioni, kryen një operacion të gjerë për pastrimin e minave në ujërat territoriale shqiptare në zonën e Kanalit të Korfuzit.

SI NDODHI NGJARJA

Incidenti i kanalit të Korfuzit i referohet tri ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur në vitin 1946, në kanalin e Korfuzit, ku Britania e Madhe dhunoi sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet një operacioni ushtarak të qëllimshëm, të paramenduar dhe të mirëplanizuar, me karakteristika të dukshme kërcënuese, duke hyrë në detin e brendshëm dhe territorial të Shqipërisë. Këto tri incidente janë konsideruar si një manifestim i hershëm i Luftës së ftohtë. Më 15 maj 1946, dy anije luftarake duke lundruar pa flamur ose shenja të tjera identifikimi hyjnë në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Sarandës. Bateria e artilerisë bregdetare u jep sinjal anije luftarake që të ndryshojnë kursin. Pasi anijet vazhdojnë të ndjekin të njëjtin kurs, bateria hap zjarr paralajmërues.

Anijet luftarake ngrenë flamurin anglez dhe tërhiqen nga ujërat territoriale shqiptare. Nasho Xani, ushtar i postës së Rojës Bregdetare në Ksamil me detyrën e mitraljerit tregon se me të parë anijet, që ata i mendonin greke, i gjithë efektivi i postës kufitare u hap në pozicione luftimi dhe u përgatit të angazhonte kundërshtarin. Kur anijet u afruan në distancën e qitjes, ai hapi zjarr direkt mbi njërën nga anijet (jo zjarr paralajmërues) me një mitraloz të lehtë italian. Mbas kësaj anijet ngritën flamurin anglez dhe u tërhoqën ngadalë nga ujërat territoriale shqiptare. Më 22 tetor 1946, katër anije luftarake (1 kryqëzor e 3 destrojerë) të ardhur nga Porti i Korfuzit, kalojnë kanalin e futen në ujërat tona territoriale, duke u afruar midis kepit të Varesë dhe kepit të Kasiopeas. Në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerë ranë në minat e mbetura të Luftës së Dytë Botërore, duke u dëmtuar në konstrukt e njerëz. Nasho Xani ka rrëfyer për këtë ngjarje:

“Më 22 tetor të po këtij viti (1946), katër luftanije angleze po vinin drejt brigjeve tona, pa na paralajmëruar më parë për misionin. Kishim urdhër të mos qëllonim edhe nëse ato do të afroheshin shumë afër. Një oficer, këshilltar sovjetik na porosiste orë e çast që të mos qëllonim edhe sikur anijet të preknin bregun. Po ndiqnim me sy çdo lëvizje të anijeve, kur dëgjuam një shpërthim dhe pamë, se dy nga anijet kishin marrë flakë. Kishin rënë në mina. Kush i kishte vendosur minat në Kanalin e Korfuzit? Sipas mendimit tim, minat nuk ishin vendosur nga autoritetet tona, pasi nuk kishin as mundësi për një gjë të tillë, por as jugosllavët siç përflitej në atë kohë. Ato mina janë vënë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjermanët, për të penguar sulmin aleat kundër tyre e për të bllokuar hyrjen në Kanalin e Korfuzit. Praninë e minave në kanal dhe në gjithë detin Mesdhe e dëshmon edhe ngritja e Komitetit të Pastrimit të Minave.”

VERSIONI ANGLEZ

Më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u larguan. Më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarët tanë.(Nga ditari i anijes flamurmbajtëse angleze, paraqitur në gjyqin e Hagës).

HEQJA E MINAVE DETARE NGA MARINA ANGLEZE

Më 10 nëntor 1946 qeveria angleze njoftoi qeverinë shqiptare, ndërsa më 12 nëntor 1946 nisi operacionin për çminimin e bregdetit të Shqipërisë. Me skuadronin e 15-të të Flotës Angleze, i përbërë nga aeroplanmbajtëse, kryqëzorë, fregata, nëndetëse, minahedhëse, të komanduara nga admirali Konnahan filluan lundrimin nga Butrinti në Karaburun ; gjë të cilën e përsëritën edhe me 13 nëntor 1946. Tytat e të gjitha armëve e gati për zjarr, në mënyrë provokatore i kishin i drejtuan drejt bregut tonë. Thanë një herë se në distancën 3 milje gjetën një minë, pastaj dhe 22 të tjera, duke thënë se i hoqën.

AKUZAT E ANGLEZËVE NË HAGË

Minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, duke sjellë dëmtimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e disa marinarëve anglezë. Shqipëria ka dijeni se kush i ka vendosur dhe nuk ka njoftuar për këtë akt. Rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kanë vendosur minat e për këtë mbajnë përgjegjësinë penale.

DËSHMITARËT

Në funksion të fajësimit të Shqipërisë për vendosjen e minave në kanalin e Korfuzit, anglezët kishin përgatitur e sjellë në gjyq dhe një dëshmitar jugosllav, i quajtur Kovaçeviç. Ai në gjyq dëshmoi se në mbrëmjen e datave 17tetor 1946 dhe 18 tetor 1946, ai kishte parë dy anije në portin e Shibenikut që ngarkoheshin me mina, udhëtuan drejt jugut, por nuk e dinte destinacionin. Gjykata Ndërkombëtare dërgoi një komision për të verifikuar këtë dëshmi në Shibenik, por arriti në konkluzionin se dëshmia e Kovaçeviçit ishte e rreme.

ARRATISJA

Në funksion të provës, anglezët përgatitën edhe një ngjarje tjetër, tepër e rëndë për kohën, arratisjen e një anije luftarake, pikërisht të motovedetës “Mujo Ulqinaku”, duke përdorur një agjent të tyre, nënoficer në flotën tonë luftarake, i cili kishte marrë detyrë të dëshmonte se “ishte pikërisht kjo anije dhe efektiva të saj që kishin vendosur minat në kanalin e Korfuzit”. Kjo arratisje që brezat e njohin nëpërmjet lojës së aktorëve Rikard Ljarja në filmin “Duel i heshtur”, rezultoi e dështuar falë trimërisë së detarit Spiro Kote. Lidhur me këtë akt, Vangjel Nano, ish-shefi operativ (i luftës) në FLD, në kujtimet e tij shkruan: “Agjentët e anglezëve që kishin mundur të futen në radhët tona, mashtruan detarin Spiro Kote, duke i thënë se do të dilnin në det të hapur për t’i ardhur në ndihmë komisarit të bazës që i rrezikohej jeta. Por pas kalimit në ujërat neutrale, agjentët i tregojnë Spiros qëllimin e arratisjes, duke i ofruar në shkëmbim të jetës së garantuar në perëndim, pjesëmarrjen në dëshminë e përbashkët në favor të anglezëve, duke konfirmuar si të qenë vendosjen e minave në kanalin e Korfuzit. Por patrioti e besniku i betimit të bërë, Spiro, u përlesh e triumfoi mbi ta, duke bërë që të dështojë kjo provë tjetër e anglezëve!

DY ÇËSHTJET

A ka përgjegjësi Shqipëria për rënien në mina e dëmtimin e dy destrojerëve anglezë në kanalin e Korfuzit dhe a e ka për detyrë të paguajë kompensim ? A kanë dhunuar anijet luftarake angleze sovranitetin e Shqipërisë ?

VENDIMI

Megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12 nëntor 1946 dhe 13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin, dhe lëshoi një vendim, sipas të cilit Shqipëria duhej ti paguante 844.000 £ Mbretërisë se Bashkuar.

BLLOKIMI

Qeveria shqiptare refuzoi njohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që do t’u shpërndahej proporcionalisht shteteve të cilave Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura