“Kam pritur që udhëheqësit e Kosovës ta kundërshtojnë”- Shaban Murati në Panorama TV: Rama hodhi një tezë skandaloze për partneritet me Serbinë

Jun 7, 2023 | 22:52
SHPËRNDAJE

Shaban Murati, gazetar dhe publicist ka folur në Panorama TV për marrëdhëniet e Shqipërisë për shtetet rajonale.

Ai tha në studion e emisionit “Log.” në Panorama TV se është i pafalshëm fakti që udhëheqësit e vendit tonë nuk kanë arritur të krijojnë simetrinë e raporteve të Shqipërisë me shtetet e Ballkanit.

“Fatkeqësia e shtetit, qeverisë është se nuk ishte në gjendje të krijonte integritetin e shtetit dhe vendin dinjitoz të shtetit në marrëdhënie ndërkombëtare. Unë kam punuar 25 vjet në Ministrinë e Jashtme. Është e pafalshme të nxjerrësh konkluzion që udhëheqësit tanë nuk ishin në gjendje të krijonin simetrinë e duhur të raporteve të Shqipërisë me shtetet e Ballkanit”, deklaroi ai.

Murati kujtoi një deklaratë të kryeministrit Edi Rama në vitin 2018 në mbledhjen e qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovë, për raportet me Serbinë.

“Fenomeni negativ në vitet e fundit është se kemi një shkallëzim të politikës servile të Shqipërisë ndaj Serbisë. Kjo është tronditëse për interesat shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë. Nuk jemi ne që kërkon por është gjithmonë Serbia që kërkon.

Në vitin 2018 kur është bërë mbledhja Shqipëri Kosovë, kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se duhet të bëjmë partneritet strategjik me Serbinë. Ishte një tezë idiote dhe e tha në mbledhjen e qeverisë. E tha dhe në konferencë shtypi, Kam pritur që udhëheqësit e Kosovës ta kundërshtojnë. Është tezë skandaloze”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura