Kaos në Kuvend dhe 23 deputetë demokratë në SPAK/ Grupi i PD-së mblidhet në seli për të përcaktuar skenarët e aksionit në Parlament!

Oct 2, 2024 | 10:20
SHPËRNDAJE

Grupi Parlamentar i PD-së do të zhvillojë ditën e sotme një takim në selinë blu për të përcaktuar skenarin për në seancën e ardhshme parlamentare, që do të zhvillohet të enjten (3 Tetor).

karrige te djegura kuvend kaos bardhi (5)

Takimi do të zhvillohet në orën 12:00 dhe në rend dite është aksioni i tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë që Partia Demokratike, në formë proteste për burgosjen e Ervin Salianjit, ka bojkotuar Komisionet Parlamentare dhe në seanën e kaluar në Kuvend (30 Shtator) shkaktoi kaos duke djegur karriget para institucionit.

Një ditë pas kaosit, u referuan në SPAK 23 deputetë të opozitës, ndërsa Grupi i PS i është drejtuar me kërkesë Kryetares së Kuvendit, për të marrë masa disiplinore ndaj 24 deputetëve të opozitës.

Për shqyrtimin e kësaj kërkesë, Sekretariati i Etikës mblidhet të mërkurën në orën 15:00. Grupi i PS ka kërkuar masa disiplinore, ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.

“Këto sjelle dhe veprime të rënda kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare. Këto situata të rënda kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, por edhe pengojnë përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme. Veprimet e deputetëve të opozitës janë një shkelje e hapur dhe flagrante e detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e Grupit të PS.

Kuvendi ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna e ushtruar në seancën e së hënës nga deputetët e opozitës dhe deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar.

“Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike”, bën të ditur Kuvendi.

KALLËZIMI

Komisariati Nr.1 i policisë ka dorëzuar pranë Strukturës së Posaçme kallëzim për 23 deputetë të opozitës që u përfshinë në seancën e djeshme në akte dhune dhe zjarrvënie. Flamur Noka është i vetmi që akuzohet për dy vepra penale, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, pasi ai dhe Gazment Bardhi hodhën në drejtim të kryetares së parlamentin sende të forta, mes të cilave dhe këmbët e një karrigeje. Bardhi, në akuzën e policisë bëhet përgjegjës vetëm për goditje për shkak të detyrës, ndërsa për Bledion Nallbatin që së bashku me Nokën i hodhën benzinë dhe më pas iu vendosën zjarrin karrigeve në oborrin e Kuvendit akuza që rëndon është “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. 20 deputetët e tjerë, përfshirë dhe aleatët Vangjel Dule e Monika Kryemadhi, akuzohen për “shkatërrim të pronës” pasi nxorën ndenjëset e tyre në oborrin e parlamentit. Por duket se opozitarët do t’i paguajnë nga xhepi i tyre kostot e aksionit që ndoqën në seancën e të hënës. Kuvendi ka njoftuar se ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe në përfundim deputetët e përfshirë në aktet e djeshme do të ngarkohen me përgjegjësi për dëmshpërblimin financiar.

“Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”,-thuhet në njoftimin e Kuvendit. Ndërkohë, përveç ndalesave nga paga për shkak të kostove që do Iu faturohen për dëmtimin dhe djegien e karrigeve, nga paga e tyre pritet të mbahen dhe ditët e përjashtimit për 24 prej deputetëve të opozitës.

Grupi parlamentar socialist ka kërkuar masa disiplinore për të gjithë kolegët që u përfshinë në aktet e të hënës dhe Sekretariati i Etikës do të mblidhet të mërkurën për të shqyrtuar propozimin. Veprimet bllokuese të opozitës në Parlament pasditen e së hënës dhe djegien e karrigeve jashtë Kuvendit, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i konsideron të papranueshme dhe paralajmëron se ngjarjen do ta referojnë në SPAK.

Në një njoftim për shtyp, ministri Hoxha thotë se pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, goditja me sende të forta dhe shkatërrimi i pronës me zjarr janë kundër ligjit për të cilat Policia e Shtetit dhe Garda po kryejnë veprimet hetimore dhe rastin më pas do ta referojnë në SPAK.

“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht. Pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese; heqja me dhunë e të drejtës së fjalës; goditja për shkak të detyrës; rrezikimi i jetës së deputetëve duke i goditur me mjete të forta; shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi. Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit. Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese. Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët”,- shprehet ministri i Brendshëm.

EMRAT:

  1. Flamur Noka
  2. Gazmend Bardhi
  3. Bledion Nallbati
  4. Dhurata Çupi
  5. Flamur Hoxha
  6. Xhelal Mziu
  7. Lefter Geshtenja
  8. Agron Gjekmarkaj
  9. Ina Zhupa
  10. Lindita Mataliaj
  11. Dashnor Sula
  12. Luan Baçi
  13. Lodovik Hasani
  14. Asllan Dogjani
  15. Elidon Bushati
  16. Erisa Xhixho
  17. Sorina Koti
  18. Sajmir Korreshi
  19. Edmond Spaho
  20. Kasem Mahmutaj
  21. vangjel Dule
  22. Monika Kryemadhi
  23. Isuf Çelaj
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura