LLAMBRO SHKURTAJ
Zhvillimi i zgjedhjeve të fundit lokale në Bashkinë e Himarës nxori në pah edhe karakterin e fëlliqur të ca bukëshkalëve që e shesin veten dhe kombin për 50 euro, apo siç shprehet populli për 5 (pesë) kacidhe. Pavarësisht se këta janë një grusht i vogël njerëzish, ata i vunë vetes damkën e tregtarit të flamujve. Kjo kategori, që e ha turpin me bukë, e di mirë se sa e pështirë është në sytë e popullit patriot dhe liridashës të Lumit të Vlorës. Edhe në Vranisht, fshat i përmendur për kontribute të njohura në rrjedhat e historisë, pati nga ata që e futën lugën në çorbën e prishur që gatuan qarqet antikombëtare. Për ata që iu është tharë nervi kombëtar apo për pasardhësit e tyre, që tradita historike e fshatit iu është përcjellë në mënyrë konjukturaliste, po u sjell në vëmendje të tyre disa episode, që kur t’i lexojnë, nuk di se si do të ndjehen.
Rasti parë:
Sali Murati është skalitur në memorien e popullit jo thjesht si një kapedan me famë, por edhe si një njeri tepër i ndershëm e idealist, që nuk e kishte hedhur dyfekun në krah për të bërë plaçkë, siç e anatemojnë ata që e kthyen Shqipërinë në plaçkë tregu, si Eqerm bej Vlora me sërën e tij, por për të shporrur nga trojet kombëtare jo vetëm okupatorët e ndryshëm, por njëkohësisht për të shkulur nga trupi i popullit shushunjat në kurriz të tij. Karakterin e tij të kristaltë e japin më së miri edhe vargjet që i thuri populli kur ai u përball në duel me shovinistin
Delvinjotë të kërkojnë,
Kapedan more Sali (refreni)
Japin 300 napolonë,
Të bësh luftë me Thimjo Lolë.
Dhe reagimi i tij qe i menjëhershëm dhe
shumë kuptimplotë:
S’është Saliu për zorrë,
Por Thimjon të ma tregojnë….
Një kapedan që luftonte për ideale kombëtare nuk mund t’i lejonte vetes t’u tregonte vendin banditëve shovinistë grekë nga joshja me napolona flori, të cilat ai i konsideron “zorrë”. Jo! Sali Murat Vranishti ishte kapedan dhe jo zorraxhi, prandaj në duel me Thimjo Lolin, do t’i drejtohej atij burrërisht:
Dil pusht të shohim sho-shoqnë,
Se burrat fshehur s’luftojnë.
Kjo ngjarje bujshme për kohën, vazhdon të kujtohet edhe sot me shumë krenari për këtë bir të Vranishtit, që për aspiratat e lirisë nuk bëri kurrë pazare.
Rasti i dytë:
Në vitin 1914, si rezultat i luftërave ballkanike, Vranishti ishte okupuar nga ushtria greke. Në mes të fshatit, aty ku deri dje ishte një rrap madhështor, që për shkak të afrisë me xhaminë e fshatit ishte emërtuar “rrapi i xhamisë”, okupatorët grekë kishin vendosur në majë të tij flamurin helen.
Por, ai flamur nuk mund të valëvitej në atë fshat, ku Ismail Qemali kishte ndezur zemrat e vranishtjotëve në vjeshtën e vitit 1908 me idealet e lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Prandaj shpirti kryengritës dhe atdhetar i kryeplakut të fshatit Aliko Toto Skëndomemaj bëri që ai të hypte majë rrapit, të griste flamurin grek dhe në vend të tij të vendoste flamurin tonë kombëtar. Një akt të tillë nuk e bëri thjesht për t’u dukur, por si përfaqësues i zgjedhur i popullit dha mesazhin se Vranishti është fshat shqiptar dhe nuk mund t’i bëjë hije asnjë flamur tjetër, veç atij kuq e zi.
Rasti i tretë:
Gjatë qeverisjes së dytë të Berishës, ky, me cilësinë e kryeministrit, vjen një ditë në Vlorë për një inaugurim. Organizuesit e ceremonisë kishin planifikuar edhe një koncert me grupet folklorike për të nderuar këtë shtetar mëkatar, që Vlorës i kishte çuar tanke, policë e mercenarë për të shtypur me gjak e flakë revoltën popullore për falimentimin e firmave piramidale.
Për këtë koncert lajmërohet edhe këngëtari brilant nga Vranishti, “Mjeshtri i Madh”, Arap Çeloleskaj. Ky iu përgjegj pozitivisht ftesës pa e ditur se për kë jepej koncerti. Kur shkoi në Vlorë dhe e vunë në dijeni se koncerti do jepej për nder të Berishës, ai refuzoi kategorikisht. Do marrim nga 50.000 lekë, – i thanë. Mos hezito. Por Arapi ishte burrë me karakter. Edhe 5.000.000 të më jepni, nuk këndoj. Ju paskeni harruar se çfarë i ka bërë ai Vlorës,- reagoi Arapi i nevrikosur. Hodhi pallton në krah dhe u kthye në Vranisht. Arapi nuk kishte qenë komunist dhe nuk ishte militant partiak. Jo! Ai ishte një vranishtjot fisnik ashtu siç ishte edhe një këngëtar e valltar i famshëm, që me zërin dhe elegancën emocionuese kishte tundur skenat e vendit dhe ato të Evropës. Gjesti i tij tregoi se me pare të qelbura blihen njerëzit pa dinjitet dhe personalitet, por kurrë burrat e vërtetë. Prandaj, ata që për turpin e tyre u shitën për 50 Euro në Vranisht dhe në fshatrat e Lumit të Vlorës, që përbëjnë bashkinë e Himarës, për të pasur në drejtim një dhunues të simboleve kombëtare, siç ishte Bejleri, le të frymëzohen nga shembujt e mësipërm dhe t’i thërrasin mendjes në zgjedhjet e 4 gushtit, për të mos u qorrollepsur nga kalanderi tjetër, që valvit flamurin e Vorio-Epirit, por kur të përfundojë votimi, mos të hedhin valle për Spiro Milon, por t’ia marrin këngës së Nase Benit:
Kush është lulja e vilajetit?
Himara në Breg të Detit”!