Dy persona të tjerë kanë rënë në prangat e policisë lidhur me kapjen e 119 kg kokainë në kontejnerin e bananeve në një magazinë në Vaqarr.
Të arrestuarit janë Julian Merhori agjent doganor dhe Bujar Qurku Inspektor i AKU, raporton “News 24”.
Kujtojmë që më herët Policia e Tiranës ka shoqëruar dhe pyetur të paktën 9 punonjës të skanerit në portin e Durrësit, agjentë doganore dhe punonjës të Autoritetit Kombëtar Ushqimor.
Gjithashtu, të paktën tre nëpunësve të Portit të Durrësit iu është ‘lëshuar’ fleta e arrestit dhe pritet të vendosen në pranga pasi kanë manipuluar skanerin e portit ku kaloi sasia e madhe e kokainës prej 119 kg drogë në 30 dhjetor të vitit që lamë pas.
Kokaina u zbulua mes kutive me banane në një magazinë në zonën e Vaqarit në rrethinat e Tiranës. Nga kontrolli i skanerit në Portin e Durrësit, kamioni ku ishte fshehur droga dhe që besohet se sasia mund të jetë rreth një ton, doli i pastër. Kjo ngre dyshime nga ana e hetuesve mbi rolin e skanuesve në portin e Durrësit, ku vitin e shkuar u zbuluan mbi 1 mijë kg kokainë.
Tre persona u arrestuan në lidhje me kapjen e sasisë prej 119 kg kokainë në magazinat e kompanisë “Zico” me pronar Trifon Murataj. Në pranga përfundoi menaxheri i kompanisë, Marson Murataj, dhe dy shoferët, Hasan Salihu, 63 vjeç, dhe Gëzim Kalaja, 31 vjeç.
Ky i fundit thotë se nuk ka asnjë dijeni në lidhje me trafikun e sasisë së madhe të kokainës dhe se e ka marrë vesh lajmin nga pronari i kompanisë, i cili ka zhvilluar me stafin një mbledhje online të nesërmen, duke sqaruar se çfarë kishte ndodhur.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al