Nga Durrësi ku prezantoi kandidatin për deputet, kreu i PDIU, Shpëtim Idiriz tha se kapja e pushteteve nga Rama ka rrënuar ekonominë dhe ka varfëruar shqiptarët.
Ekuilibrat e demokracisë janë prishur, tha Idrizi, ndërsa bëri thirrje që në 25 prill shqiptarët të votojnë ndryshimin.
“Ne duhet të kuptojmë që ky përqendrim pushteti në një dorë e ka sjellë vendin në krizë shumë të madhe ekonomike, sociale, demografike dhe krizë në ekuilibrat politikë. Ne sot shohim që kemi një shtet që nuk i ka frikë qytetarët, por shohim qytetarë që kanë frikë shtetin e tyre sepse qeveria vjen me vota të inkriminuara, me vota të basofonëve të errëta qoftë edhe këtu në Durrës dhe që sigurisht është ajo që nuk e ka frikë qytetarin. Një nga krizat më të mëdha që ka Shqipëria sot, është kriza demografike, një krizë shumë e madhe njerëzore, 450 mijë shqiptarë kanë lënë vendin 4 vitet e fundit. Kemi qenë 4 mln në 1990 me moshë mesatare 26 vjeç, sot jemi 2.7, ose edhe më pak, mosha mesatare 46 vjeç. Kjo është një dramë shumë e madhe”, tha Idrizi duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se ngritën në sistem korrupsionin, aq sa sipas KLSH, abuzimet me fondet në 8 vite kapën shifrën e 7.7 mld euro, sa një buxhet e gjysmë”, u shpreh Idizi.
Një javë përpara zgjedhjeve, kreu i PDIU denoncon se qeveria po bën gjithçka për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, nga tentativat për të blerë votat, premtimet për vende pune, e deri te legalizimet masive javët e fundit. Idrizi komentoi edhe ftesat e kryeministrit Edi Rama drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha, për bashkëqeverisje pas 25 prillit. Kreu i PDIU tha se Rama ka humbur sensin e arsyes, teksa njëherë fyen dhe ofendon kundërshtarët politikë, e më pas i fton për bashkëpunim.
“Etiketon e flet si me qenë llaxorja e Tiranës (nuk e di kë keni pasur ju këtu në Durrës) dhe pasi e bën këtë gjë, nuk le llaf pa thënë, sa thua ore, ça është ky?, pasi i ka marrë të gjithë nëpër gojë, një ditë të bukur thotë: “Dëgjo, a e bëjmë bashkë qeverinë nesër?” Sepse ky njeri bashkë me pushtetin po humb edhe dinjitetin njerëzor. Kjo është arsyeja pse në 25 prill, e shohim në sondazhe, e shohim kudo, takojmë përditë njerëz, nuk gjej një njeri që të mos thotë ky duhet të ikë, dhe kjo bëhet në radhë të parë për t’i dhënë shpresë vendit. Nuk ka një bilanc pozitiv, nuk ka një premtim të mbajtur”, tha ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al